Drejtësia e kapur nuk ua kompenson dëmet qytetarëve dhe bizneseve

  • 11 February 2019 - 07:49
Drejtësia e kapur nuk ua kompenson dëmet qytetarëve dhe bizneseve

Miftari: Në Kosovë pushteti ekzekutiv, por edhe ekzekutivet lokale, udhëhiqen nga shefat e shefave, pra udhëhiqen nga mafia politike

"Nëse Republika e Kosovës do të ishte anëtare e Këshillit të Evropës, do të kishim tjetër gjendje, sepse për çështjet e tilla do të kishin palët të drejtë të ngritin padi në Gjykatën Evropiane dhe tërë dëmet me kompensim dhe me kamata do t'i paguante shteti. Prona dhe dëmi material e moral janë dukuri shumë të rënda dhe Gjykata Evropiane nuk bën pardon. Dënimet do të ishin të mëdha dhe përgjegjësia e rëndë. Ndaj, shteti duhet të kujdeset për rastet e tilla. Është një çështje që shumë vështirë parashkruhet, prandaj nesër, kur të bëhet Kosova anëtare e KE-së, kjo gjykatë do të mbushet me padi nga kosovarët dhe dënimet do të jenë fatale për shtetin", thotë profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, për "Kosova Sot"

Njohësit e fushë së të drejtës dhe analistët e politikës po e shohin me shqetësim të madh mënyrën se si shkelen çdo ditë të drejtat e njeriut nga instanca të ndryshme të institucioneve të Kosovës dhe akoma mbetet pikëpyetje nëse do t'i kompensojë shteti dëmet që po u bëhen qytetarëve nga të gjitha institucionet e shtetit, por sidomos ato nga ekzekutivi, Qeveria komunale e qendrore, sikur edhe nga pushteti i drejtësisë së kapur nga mafio-oligarkia kriminale, të cilët janë dhunuesit kryesorë të këtyre të drejtave. Janë me qindra, mbase edhe mijëra, raste kur qytetarët apo bizneset nuk marrin kurrfarë kompensimi, edhe pse drejtësia e kapur i zvarrit rastet dhe ua shkel të drejtat atyre në format e ndryshme të moszgjidhjes apo neglizhencës së rasteve.

Edhe kur bëhet ndonjë kompensim, ai del të jetë i lidhur dhe i mirë organizuar nga interesi klientelist i politikës me krimin e organizuar dhe kështu zhvatet shteti. Prandaj, njohësit e kësaj fushe po e përcjellin me shqetësim edhe raportimin e organizatave të ndryshme që hartojnë raporte se i e pse po u shkelen nga drejtësia e munguar të drejtat e qytetarëve, sepse proceset zvarriten edhe me dhjetëra vite, kështu që qytetarëve nuk u ndahet dhe as nuk u jepet drejtësia, ose tepër e vonshme, pasi që ka humbur kuptimin! Kështu po i shkel të drejtat elementare njerëzore e qytetare sistemi i degraduar, i korruptuar dhe i stërkequr i (pa)drejtësisë në Kosovë.

Burjani: Keqbërësit mbesin të pandëshkuar

Sipas ligjëruesit të së drejtës, Blerim Burjani, shkelja e të drejtave të njeriut dhe pamundësia e kompensimit të dëmit vjen në shprehje, sidomos tek rastet kur zvarriten lëndët dhe të njëjtat parashkruhen."Proceset e zvarritura parashkruhen dhe me këtë mbeten të pandëshkuar keqbërësit, përplot raste do të fshihen nga regjistrat e parashkrimit, e ka gjasa që shumica të fshihen, sidomos rastet me kërkesë të palëve, për shkak se drejtësia ka dështuar t'i trajtojë dhe kompensim për dështim të drejtësisë nuk do të ketë farë. E vetmja gjë që mund të ndodhë është konfiskimi i pronave nga personat përfitues pa bazë, kjo do të ndodhë herët a vonë, sepse shumë persona që kanë thënë se janë marrë me politikë do të jenë objekt i konfiskimit një ditë. Më e keqja është tentativa për të ikur nga përgjegjësia për zhvatje të parasë publike, keqpërdorimi i detyrës zyrtare përmes votës, duke rritur numrin e dikastereve qeveritare apo numrin e madh të posteve publike. Edhe kjo temë duhet të trajtohet nga gjykatat si zhvatje dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare. Duhet të ketë ndëshkim për të gjithë ata që sollën paranë publike dhe interesin publik në këtë gjendje", theksoi Burjani për "Kosova Sot".

Preteni: Të gjithë bëhen bashkë për të dëmtuar buxhetin

Ish-kreu i AKK-së, Hasan Preteni, theksoi për "Kosova Sot" se, pavarësisht dëmit të madh që një ditë do t'i shkaktohet buxhetit të shtetit të Kosovës, asnjë nga institucionet shtetërore e publike tani nuk po e merr seriozisht këtë temë, që obligimet ligjore t'i kryejnë me kohë për dëmet që u shkaktohen palëve, respektivisht qytetarëve apo bizneseve në procedura të ndryshme. Preteni konstaton se shumë kompensime bëhen me lidhje klienteliste, pavarësisht dëmtimit të buxhetit të shtetit. "Kompensimet për Qeverinë nuk janë problem. Janë me dhjetëra miliona të humbur sipas vendimeve gjyqësore. Paguhet për zyrtarët që padrejtësisht largohen nga puna, paguhet për kompensime, për mosrespektim kontratash dhe shumë pagesa tjera, si rezultat i mosrespektimit të ligjit. Nuk brengoset qeveria për këtë, nuk është me rëndësi se sa dëme bëhen është me rëndësi që të mos ketë probleme në punësim, largim dhe eliminim të kundërshtarëve politikë. Në Ministrinë e Drejtësisë është një Departament që ka për detyrë të mbrojë "interesat e shtetit".

Më vjen keq, por aty janë sistemuar disa juristë të vjetër që fare nuk e dinë misionin e vet, po sa raste i kanë fituar ata? Asnjë! Po a u sanksionua ndonjë titullar i një institucioni që i krijoi këto dëme? Asnjë! Disa dëme bëhen edhe me qëllim, largohen nga puna, punësohen diku tjetër dhe në fund në mënyrë retroaktive i marrin pagat për vite të tëra. Ky është një segment i krimit të organizuar, të gjithë bëhen bashkë për të dëmtuar buxhetin dhe për të siguruar klientelën. Politikanët tanë me marrjen e pushtetit vetëm mendojnë për mandatin tjetër. Çmimi nuk është me rëndësi!", theksoi Preteni për "Kosova Sot". 

Miftari: Mafio-politika e ka në dorë shtetin 

Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë për gazetën "Kosova Sot" se, sipas rregullave themelore, gati të çdo shtetit në botë nëse qytetari dëmtohet padrejtësisht nga drejtësia' e shtetit automatikisht i takon kompensimi për humbjet materiale, dëmtimet në shëndet, morale etj., etj."Por kjo në Kosovë nuk po funksionon. Problemi te ne në Kosovë është se vetë pushteti ekzekutiv, por edhe ekzekutivet lokale, udhëhiqen nga shefat e shefave, pra udhëhiqen nga mafia politike dhe nga klanet e para sistemet partiake politike dhe normale, që qytetari do të dalë humbës gjithmonë edhe kur faktet provat janë të bindshme në favor të qytetarit, por humbin nga vonesat dhe endjet koti me vite nëpër salla të gjyqësorit, ku një lëndë merr 8 vjet kohë për t'u zgjidhur. Kjo tregon se këto padrejtësi e këto vonesa nuk janë aspak të rastësishme.

Ky fakt tregon se Kosovën tonë e ka futur në kthetra mafia politike dhe nuk do ta lëshojë kurrë, derisa qytetari nuk vetëdijesohet, derisa nuk është më i vendosur dhe nuk e shet votën e vet për një mbushje telefoni apo për një favor të vetin që ia premtojnë mafia politike. Në fund shumë lehtë vijmë në konkludim se Kosova e ka edhe qytetarin lodër të mafisë politike. Pra, qytetari është edhe vetë bashkëfajtor në krimin që e ka mbërthyer shtetin dhe Kosovën, derisa bie nën ndikimin e mafisë. Problemi te ne në Kosovë është se vetë pushteti e drejtësia, ekzekutivi qendror por edhe ekzekutivet lokale, udhëhiqen nga shefat e shefave, pra udhëhiqen nga mafia politike dhe nga klanet e nga parasistemet partiake politike dhe normale, që qytetari do të dalë humbës gjithmonë edhe kur faktet - provat janë të bindshme, në favor të qytetarit, vonesat, endjet kot me vite nëpër salla të gjyqësorit, ku një lëndë merr 8 vjet kohë për t'u zgjidhur dhe tregon se këto padrejtësi, këto vonesa, nuk janë aspak të rastësishme", është shprehur Miftari.

Kelmendi: Neglizhenca e organeve administrative dhe gjyqësore është një problem mjaft i rëndë

 Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë për gazetën "Kosova Sot" se çështja e kompensimit të dëmit material të pësuar nga neglizhenca e organeve administrative dhe gjyqësore është një problem mjaft i rëndë dhe deri më tani mund të llogaritet që ka vlerë miliardësh. Sipas Kelmendit, sikur Kosova të ishte anëtare e BE-së, do të detyrohej t'i paguante qytetarët e vet. "Lëndët, të cilat neglizhohen ose kryhen në kundërshtim me ligjin në organet administrative, hyjnë në kuadër të dëmit material të rregulluar juridikisht me Ligjin mbi marrëdhëniet e detyrimeve. Në ligj qëndron se kush me vetëdije apo në mënyra antiligjore i shkakton dëme subjektit tjetër fizik a juridik ka obligim që të marrë përgjegjësinë dhe të kompensojë dëmin e krijuar nga ai veprim".

Dhe, më poshtë po ashtu shuhet: "Organet shtetërore janë të obliguara që në afat sa më të shkurtër të kryejnë lëndët e fushës detyrimore, pronësore etj., në mënyrë që dëmi të mbahet në kuadër të të mundshmes". Bazat e tilla juridike obligojnë në dy mënyra: Së pari, kompensimin e dëmit nga subjekti që e ka shkaktuar atë dhe së dyti kompensimin e dëmit nga organet që nuk kanë qenë azhure në kryerjen e lëndëve me kohë. Në rastin tonë i kemi këto dy përgjegjësi, përveç përgjegjësisë penale të kompetentëve, të cilët me veprime kriminale dhe korrupsion i lënë lëndët në arkiva të pazgjidhura me vite e decenie. Këtu kemi përgjegjësi civile dhe penale të kompetentëve që në instancë të fundit përgjegjës është vetë shteti që i toleron kriminelët në organet administrative dhe gjyqësore.

Natyrisht se nëse Republika e Kosovës do të ishte anëtare e Këshillit të Evropës, do të kishim tjetër gjendje, sepse për çështjet e tilla do të kishin palët të drejtë për të ngritur padi në Gjykatën Evropiane dhe tëra dëmet me kompensim dhe me kamata do t'i paguante shteti. Prona dhe dëmi material e moral janë dukuri shumë të rënda dhe Gjykata Evropiane nuk bën pardon. Dënimet do të ishin të mëdha dhe përgjegjësia e rëndë. Ndaj, shteti duhet të kujdeset për rastet e tilla. Është një çështje që shumë vështirë parashkruhet, prandaj nesër, kur të bëhet Kosova anëtare e KE-së, kjo gjykatë do të mbushet me padi nga kosovaret dhe dënimet do të jenë fatale për shtetin", tha Kelmendi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)