Kelmendi: Neglizhenca e organeve administrative dhe gjyqësore është një problem mjaft i rëndë

  • 11 February 2019 - 12:27
Kelmendi: Neglizhenca e organeve administrative dhe gjyqësore është një problem mjaft i rëndë

 Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë për gazetën "Kosova Sot" se çështja e kompensimit të dëmit material të pësuar nga neglizhenca e organeve administrative dhe gjyqësore është një problem mjaft i rëndë dhe deri më tani mund të llogaritet që ka vlerë miliardësh. Sipas Kelmendit, sikur Kosova të ishte anëtare e BE-së, do të detyrohej t'i paguante qytetarët e vet. "Lëndët, të cilat neglizhohen ose kryhen në kundërshtim me ligjin në organet administrative, hyjnë në kuadër të dëmit material të rregulluar juridikisht me Ligjin mbi marrëdhëniet e detyrimeve. Në ligj qëndron se kush me vetëdije apo në mënyra antiligjore i shkakton dëme subjektit tjetër fizik a juridik ka obligim që të marrë përgjegjësinë dhe të kompensojë dëmin e krijuar nga ai veprim". Dhe, më poshtë po ashtu shuhet: "Organet shtetërore janë të obliguara që në afat sa më të shkurtër të kryejnë lëndët e fushës detyrimore, pronësore etj., në mënyrë që dëmi të mbahet në kuadër të të mundshmes".

Bazat e tilla juridike obligojnë në dy mënyra: Së pari, kompensimin e dëmit nga subjekti që e ka shkaktuar atë dhe së dyti kompensimin e dëmit nga organet që nuk kanë qenë azhure në kryerjen e lëndëve me kohë. Në rastin tonë i kemi këto dy përgjegjësi, përveç përgjegjësisë penale të kompetentëve, të cilët me veprime kriminale dhe korrupsion i lënë lëndët në arkiva të pazgjidhura me vite e decenie. Këtu kemi përgjegjësi civile dhe penale të kompetentëve që në instancë të fundit përgjegjës është vetë shteti që i toleron kriminelët në organet administrative dhe gjyqësore.

Natyrisht se nëse Republika e Kosovës do të ishte anëtare e Këshillit të Evropës, do të kishim tjetër gjendje, sepse për çështjet e tilla do të kishin palët të drejtë për të ngritur padi në Gjykatën Evropiane dhe tëra dëmet me kompensim dhe me kamata do t'i paguante shteti. Prona dhe dëmi material e moral janë dukuri shumë të rënda dhe Gjykata Evropiane nuk bën pardon. Dënimet do të ishin të mëdha dhe përgjegjësia e rëndë. Ndaj, shteti duhet të kujdeset për rastet e tilla. Është një çështje që shumë vështirë parashkruhet, prandaj nesër, kur të bëhet Kosova anëtare e KE-së, kjo gjykatë do të mbushet me padi nga kosovaret dhe dënimet do të jenë fatale për shtetin", tha Kelmendi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)