Gjyqtarët dhe prokurorët nuk ka kush t’i vlerësojë

  • 21 February 2019 - 07:44
Gjyqtarët dhe prokurorët nuk ka kush t’i vlerësojë

Preteni: Duhet të shkëputen lidhjet politikë-biznes-gjyqësor

“Keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe nepotizmi ndodhin si me qenë shaka, sepse askush nuk merret me vlerësimin e zbatimit të ligjit dhe, duke mos ditur çka të bëjnë tjetër, fillojnë  të ndryshojnë ligje e kode, sepse edhe ashtu nuk dinë as nuk duan t’i zbatojnë ato”, thotë analisti Blerim Burjani për “Kosova Sot”

Ekspertët e fushës së drejtësisë akoma vazhdojnë të drejtojnë kritika në adresë të institucionit mbikëqyrës të punës së gjykatave kosovare - KGJK-së, për dyshimin që ata kanë, se nuk po bëhet vlerësimi adekuat i integritetit të gjyqtarëve, si një nga masat parandaluese në luftën kundër korrupsionit dhe për të parë se cila është cilësia e lëndëve që ata shqyrtojnë, për të parë se si janë vlerësuar rrethanat rënduese dhe lehtësuese, si dhe profesionalizmi në aktgjykimet e tyre.

Sipas ekspertëve të kësaj fushe, pa një vlerësim të paanshëm e profesional të punës dhe integritetit të gjyqtarëve nuk do të kemi luftë të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por vetëm do të vazhdojë ai avazi i tyre i vjetër, që një pjese e madhe e gjyqtarëve, të deleguar politikisht në gjykata, të shkruajnë ‘copy-paste’ edhe aktgjykime, pasi që idenë nuk e kanë se çfarë vendime marrin, por duhet të shkruajnë diçka për t`u arsyetuar para “shefave” të tyre të politikës dhe nëntokës mafioze-kriminale të cilëve u “detyrohen” pa ligj.

Preteni: Lidhjet kriminale

Sipas Hasan Pretenit, integriteti, etika, kultura dhe edukata janë vetëm çështje morale, që nuk sanksionohen penalisht, prandaj edhe u mungojnë shumicës në këtë sistem.“Nuk frikësohen ata për çështje që nuk sanksionohen penalisht. Me këto vlera këta janë ndarë qëmoti. Kodet e etikës dhe rregulloret tjera ( legjislacioni sekondar) nuk kanë peshë, respektimi i tyre nuk monitorohet.

Të gjitha institucionet që i kanë përgatitur ato, të njëjtat u shërbejnë vetëm për të plotësuar formën. Nuk është shënuar asnjë rast se dikush është sanksionuar për mosrespektimin e kodeve, as të etikës, as të veshmbathjes dhe as shumë ‘kodeve’ tjera”, u shpreh ai. “Këtyre nuk u bëjnë përshtypje as ligjet, sepse askush nuk po kujdeset për zbatueshmërinë e tyre. Prandaj, edhe kërkohet një reformë e fuqishme, duke marrë parasysh problematikën specifike. Pastrimi i gjyqësorit nga ndikimi politik, pastrimi nga ata që nuk kanë reflektuar që 20 vjet, pastrim nga ata që nuk e kanë biografinë e pastër.

Duhet të ndërtohen filtra të fuqishëm për të gjithë ata që kanë lidhje me krimin, që janë pjesë e krimit apo kanë lidhje farefisnore me ta. Duhet të shkëputen lidhjet politikë-biznes-gjyqësor. Një fillim i mbarë do të ndikonte në të gjitha sferat tjera, efekti domino. Ne po e shohim se si në Tiranë po vlon skena politike, sepse po përfundon vetting-u për gjyqtarët dhe prokurorët”, vijoi më tej Preteni. “E ata tani do t’i marrin dosjet e sakta për secilin nga aktorët dhe do të fillojë "belaja". Në Maqedoni po ashtu ndodhi një revolucion në gjyqësor dhe ata nuk kanë problem nga vetting-u. Atyre vetëm u kanë munguar përkrahja dhe pavarësia, prandaj e filluan nga kryeministri dhe po ecin më tutje, fuqishëm dhe furishëm. Edhe te ne, në Kosovë, nuk ka mungesë provash e dosjesh, por nuk po guxon askush t’i prekë. Madje as këtu nuk ka fare nevojë të bëhen analiza të fuqishme, sepse pasuria e tyre flet, i thotë të gjitha”, tha Preteni për “Kosova Sot”.

Rrogat e larta, performanca e dobët

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, konsideron se në vend të vlerësimit real e profesional, për të graduar dhe degraduar sipas mirës, respektivisht ndëshkuar sipas nivelit të dështimit, po ndodh e kundërta, shpërblim material marramendës në pako pa asnjë meritë e kriter.

“Sistemi gjyqësor, në përbërjen aktuale të gjyqtarëve, si ai prokurorial, janë të mbushur me njerëz, të cilët kryejnë punë kryesisht në bazë të interesave të grupeve dhe të personave. Në kuadër të kësaj vendimet janë ‘copy pastë’, të paanalizuar siç duhet dhe pa dëshmi e fakte për vendimet që i nxjerrin në aktgjykim. Pothuajse asnjë vendim i asnjë gjykate nuk ka mbetur në fuqi ashtu sikur është nxjerr në nivelin e parë”, u shpreh ai.“Të gjitha ato në hierarkinë e ankesave të bëra edhe janë kthyer në gjendjen më të ulët. 

Pse kjo? Dy janë çështjet kryesore. Së pari, është paaftësia dhe mosangazhimi sa duhet i strukturës prokuroriale-gjyqësore për nxjerrjen e provave për të vendosur për çështje kontestuese dhe së dyti, interesat e këtyre strukturave ekonomike dhe të lidhura me politikën dhe ekonominë në vend. Kjo formë e punës ka bërë që të kemi sistem të dështuar juridik, i cili nuk mbështetet në ligj dhe i cili mbështetet kryesisht në raporte dhe interesa, qoftë ekonomike, qoftë politike etj.

Sistemit gjyqësor të Kosovës dhe atij prokurorial u duhet një spastrim i madh nga elementët e tillë korruptivë dhe një përzgjedhje adekuate dhe kualitative e prokurorëve dhe gjyqtarëve”, vijoi më tej Kelmendi.“Nuk është çështja e të ardhurave personale të tyre, sepse ata kanë të ardhura më të larta në nivelin e Kosovës. Me ligjin e ri të ardhurat e tyre shkojnë deri në 3000 euro në muaj. Pra, të ardhura kanë, por nuk kanë aftësi profesionale dhe ligjore në zbatimin e ligjit. Këtu është shkaku i çrregullimeve”, potencoi ai. Njohësi tjetër i kësaj fushe, Blerim Burjani, thotë se nuk mund të ketë vlerësim profesional të performancës  nga ata që edhe ligjet i iniciojnë që t’i  plotësojnë e ndryshojnë vetëm për t’i manipuluar e për të mos i zbatuar, sikur është ndryshimi i Kodit Penal të Kosovës.“Nuk pritet asgjë nga ky ndryshim, në mungesë të vullnetit të luftimit të krimit politik, në mungesë të vullnetit të luftimit të korrupsionit”, tha Burjani për “Kosova Sot”.

 Miftari: KGJK-ja e KPK-ja, kukulla të politikës

Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë për “Kosova Sot” se mosbërja e vlerësimit apo verifikimit të integritetit të gjyqtarëve është tregim në veti, sepse lidhet ngushtë me krimin e korrupsionin.“Nëse do të bëhej vlerësim neutral, i pavarur, kjo do t’i priste këmbët korrupsionit, pasi do të merreshin parametrat e një gjyqtari apo prokurori sa lëndë janë marrë nga këta, sa janë kryer me sukses, sa janë dështuar, ku do të llogariteshin notat, por kjo nuk ndodh, pasi nuk do të mbetet pothuajse asnjë gjyqtar apo prokuror që do t’i dilnin parametrat e punës së tyre pozitive, pasi dihet mirë se nga KPK-ja, KGJK-ja, shumica e këtyre institucioneve kontrolluese janë edhe vetë  të mbushura dhe janë të vendosura në ato institucione si servilë e kukulla të Hashimave, të Grabovcave, të Isave dhe të Ramushave, pra ndikimi i krimit të organizuar përmes korrupsionit nga politikanët e korruptuar e ka humbur besimin edhe te policia, edhe te prokuroria, edhe te gjyqësia.

E ka humbur po ashtu edhe neutralitetin dhe drejtësinë e vërtetë që më shumë mund ta quajmë drejtësi e shefave sesa sundim i ligjit. Dhe, nëse sot të bie rasti të kërkosh drejtësi vetëm rrezikon veten, pasi edhe Reshat Millakat, edhe Sylë Hoxhat, Drita Hajdarat e Kalludranat tjerë, janë vetëm kukulla të shefave të krimit të organizuar shtetëror, pasi vetë shteti është çerdhe e krimit të organizuar, ku fuqinë dhe ligjin e përbëjnë klanet dhe politikanët e korruptuar deri në fyt, politikanët gangsterë, hajna e kriminelë që kanë të bëjnë me korrupsion dhe ndikim politik e mafioz, e që bëjnë vepra të tilla pa e pasur frikë ligjin, pasi ligji është vetëm një libër i shkruar, të cilin nuk mund ta zbatojnë ata që janë edhe vetë të korruptuar dhe janë pjesë e klaneve të krimit të organizuar në politikë dhe shtet”, theksoi Miftari për “Kosova Sot”.

 Kapiti: VETTING-u, i domosdoshëm

Sipas njohësit tjetër të kësaj fushe, Skënder Kapiti, edhe kur bëhet ndonjë vlerësim, ai bëhet me masa të ndryshme, sipas dëshirës dhe simpatisë ndaj individit.“Kuti i vlerësimit për performancën e gjyqtarëve dhe të prokurorëve nuk është ndershmëria, as morali dhe as profesionalizmi, por kuti vlerësues për ta është injoranca dhe talenti për të bërë trafikimin e drejtësisë, korrupsionin dhe manipulimin e drejtësisë, si dhe mospersonaliteti, mosdinjiteti dhe servilizmi i ulët politik i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Prandaj, duhet një VETTING për  drejtësinë në Kosovë, ku si kritere për pastrimin e gjyqësorit të korruptuar dhe të kriminalizuar të jenë verifikimi i pasurive të gjyqtarëve dhe të prokurorëve për pasuritë e fituara nga ana e tyre joligjërisht dhe me korrupsion dhe me manipulim dhe trafikim të ligjit; VETTING-u të verifikojë vendimmarrjet e tyre si dhe aftësinë juridiko-profesionale të të gjithë gjyqtarëve e prokurorëve. Aktgjykimet e gjyqtarëve dhe koordinimi i tyre me veprimet e prokurorëve përbëjnë vetë ato si fakte dhe prova krimi dhe korrupsioni nga ana e tyre”, theksoi Kapiti për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)