“Talli” i majmë e josh edhe këtë Qeveri të zhytet në autostrada

  • 21 February 2019 - 07:46
“Talli” i majmë e josh edhe këtë Qeveri të zhytet në autostrada

Dy autostrada paralele planifikohen të ndërtohen, pa kurrfarë studimi paraprak

 “Edhe ndërtimi i saj mund të tingëllojë si një autostradë elektorale, sepse pjesa më e madhe e Dukagjinit janë me Qeverinë ‘Haradinaj’, ndonëse të jemi realë edhe ata kanë nevojë për autostradë. Por, e keqja është mënyra se si harxhohen kaq para në autostrada. Sepse, tashmë po duhet sa më shumë para në autostrada e asfalt, kurse interesi është më i madh i pushtetarëve që po merren me këtë lloj të biznesit, pasi ata marrin hisen e vet të ‘tallit’ dhe nuk e lënë keq”, thotë deputeti i opozitës në Kuvendin e  Kosovës, Salih Salihu

Qeveria vazhdon të ndajë fonde miliardëshe për autostrada, edhe pse nevojat janë për sektorë të tjerë shumë më të mëdhenj. Përveç autostradës për në Gjilan, së shpejti pritet që sivjet të nisin punimet edhe të autostradës nga Istogu për në Prizren. Një vendim i tillë i Qeverisë ka shkaktuar reagime. Analistët pyesin se përse pushtetarët tanë janë të dhënë aq shumë pas autostradave, ku çmimi për një kilometër është më i shtrenjtë se në vendet e BE-së. Analistët dhe deputetët e opozitës janë të mendimit se autostradat e reja, si ajo Istog-Prizren, po bëhen edhe për efekte elektorale, kësaj radhe për mbështetësit e rajonit të Dukagjinit. Sipas tyre, të gjitha paratë po zhvaten dhe gjoja shkojnë për rrugë, ku një pjesë e madhe dyshohet se po përfundon në xhepat dhe në kontot e pushtetarëve tanë të inkriminuar të pasluftës, ndërkohë që po mbesin prapa projekte të tjera zhvillimore që mund të rrisin punësimin.

Prandaj, pyetja që po e shtrojnë deputetë e opozitës dhe analistë është se përse ndërtimi i autostradave po bëhet pa një analize ekonomike, për të parë kostot dhe përfitimet nga këto autostrada.

Projektet zhvillimore lihen në hije

Deputeti i opozitës në Kuvendin e  Kosovës Salih Salihu për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se Kosova nuk ka pasur nevojë për një autostradë të tillë, sepse nuk ka qenë koha të niset tash, ngase ka qenë dashur të investohet në  projektet zhvillimore në ekonomi, në industri.

“Por, se ka nevojë për autostrada, kjo dihet, veçanërisht komuna e Vitisë ka nevojë që të kyçet në pikën e Gërlicës në autostradë”, u shpreh ai. “Qasja e tashme kësaj Qeverie është e gabuar që të investohet vetëm në asfalt e jo në kapacitetet përpunuese, depo të produkteve bujqësore, sisteme bujqësore, që ndikojnë në rritjen ekonomike të vendit dhe ndaljen  e produkteve të huaja. Kjo do të thotë se do të ishte më mirë sikur të shkohet paralelisht me investimet, si ato në infrastrukturë edhe në zhvillimin ekonomik”, vijoi më tej Salihu. “Edhe ndërtimi i saj mund të tingëllojë si një autostradë elektorale, sepse pjesa më e madhe e Dukagjinit janë me Qeverinë ‘Haradinaj’, ndonëse të jemi realë edhe ata kanë nevojë për autostradë.

Por, e keqja është mënyra se si harxhohen kaq para në autostrada është shuma e madhe. Sepse, tashmë po duhet sa më shumë para në autostrada e asfalt interesi më i madh i pushtetarëve që po merren me këtë lloj të biznesit, pasi ata marrin hisen e vet të ‘tallit’ dhe nuk e lënë keq”, ka vlerësuar ai.

 Investime me rrezik të madh

Ndërsa deputeti tjetër opozitar në Kuvendin e  Kosovës, Naser Osmani (LDK), për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se që të ndërtohet një autostradë nevojitet paraprakisht të bëhet një fizibilitet i arsyeshmërisë ekonomike se a është i nevojshëm një projekt i tillë. “Sidomos kur bëhet fjalë për autostrada të brendshme duhet shikuar arsyeshmërinë, sepse Kosova si një vend i vogël nuk ka nevojë për autostrada të brendshme, por rrugë të kategorisë tjetër që plotëson nevojat e qarkullimit të atij regjioni apo vendi. Derisa për autostradat ndërkombëtare, si Autostrada e Kombit dhe ajo e Shkupit, e ka pasur arsyeshmërinë e saj, pasi ato janë financuar nga buxheti i Kosovës. Por, në të ardhmen e kam frikën se buxheti i Kosovës nuk mund ta përballojë, sepse kostoja është e madhe dhe sipas mendimit tim mund të zëvendësohet me projekte të infrastrukturës rrugore të kategorive të tjera që e plotësojnë nevojën”, theksoi ai.

Projekte të panevojshme

Eksperti i ekonomisë Zekim Istogu, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se nuk ka asnjë dyshim se edhe rritja e pagave, por edhe ndërtimi edhe i një autostrade tjetër, pas asaj për në Gjilan, që është ajo nga Istogu në Prizren, po bëhen vetëm për efekte elektorale. “Kjo, pasi  autostrada që lidh me rrugën e Kombit dhe ajo me Maqedoninë kanë qenë autostrada më se të nevojshme, por kësaj radhe kjo autostradë jam i mendimit se po bëhet vetëm për mbështetësit e rajonit të Dukagjinit. Po mbesin prapa projekte të tjera zhvillimore që mund të rrisin punësimin dhe veç saj ndërtimi i autostradave po bëhet pa një analizë ekonomike, për të parë kostot dhe përfitimet nga ato”, u shpreh Istogu.

 Buxheti po zhvatet

Ndersa, eksperti i çështjeve ekonomike Lulzim Beqiri, për gazetën “ Kosova Sot”, ka thënë se është i gabuar investimi në projekte kapitale, sikurse që është ndërtimi i autostradave, ngase kjo nuk duhet që të jetë një prioritet i Qeverisë së Kosovës, aq më tepër kur ka fusha të tjera më të rëndësishme investimi.

“Është vërtet për keqardhje që buxheti i Kosovës për vitin 2019 është i orientuar kryesisht në investime kapitale dhe  me miliona euro dhe kryesisht në asfalt, pra gjëra të vdekura, jo që se Kosova nuk ka nevojë për rrugë, por mendoj se nuk është prioritet i Kosovës shpenzimi i shumicës së buxhetit në asfalt, ngase duhet shtruar çështjen se ku po mbetet zhvillimi ekonomik, shëndetësia, arsimi, kultura, punësimi, integrimet evropiane, pra një ndarje klienteliste e buxhetit dhe për interesa personale të grupeve të caktuara”, potencoi ai.

 Investimet të orientohen në sektorin privat

Ndërsa, ligjëruesi i lëndëve të ekonomisë Sejdi Halimi, për gazetën “ Kosova Sot”, thotë se vërtet do të jetë shumë e vështirë që buxheti ta përballojë ndërtimin edhe të një autostrade tjetër, që pos asaj për në Gjilan tashmë kanë nisur dhe se shpejti pritet që sivjet të nisin punimet edhe të autostradës nga Istogu për në Prizren. “Ndaj, vlerësoj se një vendim i tillë i Qeverisë të detyron të mendosh se përse pushtetarët tanë janë të dhënë aq shumë pas autostradave.

Sepse, që nga pas lufta e deri më sot, janë shpenzuar më shumë se dy miliardë euro vetëm  për ndërtimin e autostradave që lidhin Prishtinën me Shqipërinë, Shkupin, Pejën, Mitrovicën dhe së fundi me Gjilanin. Hiç më pak se 1 miliard euro të tjera pritet të shpenzohen për përfundimin e punëve në autostrada ekzistuese, por edhe nisjen në ndërtimin e autostradës së re prej 91 kilometrash, që do ta lidhë Istogun me Prizrenin. Veç saj, ende pa përfunduar në tërësi punimet në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Shkup, Qeveria e Kosovës tashmë ka nisur ndërtimin e autostradës së re, që lidh Prishtinën me Gjilanin”, u shpreh ai.

“Unë po habitem se po ashtu gjatë kësaj periudhe kohore Qeveria ka iniciuar edhe hartimin e projektit për ndërtimin e autostradës së fundit, asaj që do ta lidhë Istogun e Prizrenin, e cila pritet ta ketë koston më të lartë se të të gjitha autostradave të tjera, për shkak të gjatësisë, por edhe numrit të madhe të pronave që pritet të shpronësohen për realizimin e saj”, vijoi më tutje Halimi “Shumat në buxhetin e Kosovës që janë të dedikuara për investime kapitale po i vlerësojnë si të ulëta. Andaj, duhet të ketë rritje të përqindjes për këto investime, ngase duhet të shtohen përqindja për investime kapitale që gjenerojnë fitim afatgjatë dhe krijimin më të madh të vendeve të punës, për investime kapitale që gjenerojnë fitim afatgjatë”, sugjeron ai. Sipas Halimit, për një zhvillim më të mirë ekonomik, Qeveria duhet të orientohet në sektorin privat, që duhet të jetë bartës i zhvillimit ekonomik dhe bartës i rritjes ekonomike.

(Kosova Sot)