Motra e shefit të GP të PDK-së merr projekt mbi 200 mijë euro

  • 21 February 2019 - 07:37
Motra e shefit të GP të PDK-së merr projekt mbi 200 mijë euro

 Aliu: Rasti i aktores Teuta Krasniqi, që është motra e Memli Krasniqit dhe që ka përfituar projektin në vlerën prej 216 mijë euro në RTK, është një rast tipik i keqpërdorimit të parasë publike

“Rasti i aktores Teuta Krasniqit është një konflikt interesi i pastër, ngase edhe ky rast na tregon se si PDK-ja po i shfrytëzojnë familjarët  e njerëzve të politikës për të marrë tender, si ky i Teuta Krasniqit, që është motra e Memli Krasniqit, që ndryshe është shef i Grupit parlamentar të PDK-së”, theksoi deputeti Ali Lajçi për “Kosova Sot”

Kohë më parë, motra e Memli Krasniqit, aktorja Teuta Krasniqi, e ka fituar një projekt në shumën prej  216 mijë euro në RTK, që janë para të buxhetit të qytetarëve të Kosovës. Përfaqësues të opozitës vlerësojnë se edhe ky rast na tregon se si po e shfrytëzojnë familjarët  e njerëzve të politikës për të marrë tender si ky i Teuta Krasniqit, vëllai i së cilës është shef i Grupit parlamentar të PDK-së.

Deputeti i opozitës në Kuvendin e  Kosovës, Ali Lajçi(LVV), për gazetën” Kosova Sot”, thotë se nuk ka asnjë dyshim se rasti i aktores Teuta Krasniqit është një konflikt interesi i pastër, ngase edhe ky rast na tregon se si PDK-ja po i shfrytëzojnë familjarët  e njerëzve të politikës për të marrë tenderë si ky i Teuta Krasniqit që është motra e Memli Krasniqit, që ndryshe është shef i Grupit parlamentar të PDK-së. “Rasti në fjalë na tregon se si pushtetarët tanë po abuzojnë me paranë publike dhe familjarët e tyre shfrytëzojnë lidhjet politike për të marrë tenderë publikë.

Prandaj, nuk duhet të çuditemi se përse po na akuzojnë se nuk kemi investime, pasi nga analistët vendorë e të huaj me të drejtë vlerësohet se në Kosovën e pasluftës, që është bërë një shtet, ku vetëm përmes lidhjeve me pushtetarët mund të marrësh projekte dhe tenderë”, u shpreh ai.

Edhe përkundër pyetjeve të dërguara nga gazetari për aktoren Teuta Krasniqi, ajo nuk e ka dhënë versionin e saj për akuzat që po i bëhen. Përgjigje nuk ka kthyer as Prokuroria e Shtetit.

Institucionet publike, të politizuara

Njohësi i rrethanave politike në vendin tonë Ali Hertica, për gazetën “ Kosova Sot’, thotë se në Kosovë nuk sundon ligji. “Institucionet e pavarura dhe ndërmarrjet publike në Kosovë, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal, udhëhiqen nga përfaqësues të partive në pushtet, thonë përfaqësues të shoqërisë civile. Kur them kështu bazohem në faktin se të gjitha bordet, të gjitha këto institucione që janë të pavarura, janë të ndikuara nga klasa politike”, u shpreh ai.

“Nëse nuk je i përkëdhelur i klasës politike, absolutisht nuk ka mundësi që të jesh në krye të një institucioni të pavarur, siç janë bordet e ndërmarrjeve,  një qasje e tillë e politizimit, por edhe partizimit të këtyre institucioneve, jo vetëm që dëmton funksionalitetin e këtyre institucioneve, por dëmton kushtetutshmërinë në vend, dëmton ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe përfundimisht është e dënueshme”, theksoi Hertica. Sipas tij, deri më tani supozohet se asnjë tender i vlerave të mëdha nuk ka pasur shans dhe nuk ka shans që t’i jepet cilësdo kompani, po qe  se ajo kompani nuk do të japë ryshfet, përqindje apo t`ia lagë fytin, siç e dëshmuan edhe përgjimet dhe regjistrimet te rasti i klanit “Pronto”.

Ndërsa, analisti Bislim Aliu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se rasti i aktores Teuta Krasniqi, që është motra e Memli Krasniqit, dhe që ka përfituar projektin në vlerën prej 216 mijë euro në RTK, është një rast tipik i keqpërdorimit të parasë publike, ngase ato janë para të buxhetit të qytetarëve të Kosovës. “Ky rast na tregon se kjo gjithsesi është një dëshmi se sa janë të politizuara të gjitha institucionet në Kosovës dhe si i tillë kjo pa mëdyshje është një konflikt i pastër i interesit, që duhet ta hetojë Prokuroria”, u shpreh ai.

Aliu: Familjarizmi politik

“Vërtet është për keqardhje se si këto situata përherë po e shfrytëzojnë familjarët e njerëzve të politikës, për të marrë tenderë, si ky i Teuta Krasniqit, që është motra e Memli Krasniqit, i cili është shef i Grupit parlamentar të PDK-së. Që absurdi të jetë edhe më i madh, vërtet është për t’u habitur se si RTK-ja vazhdimisht është ankuar se kanë borxhe milionëshe, ndërsa nga ana tjetër, drejtuesit e RTK-së nuk ka hezituar ta nënshkruajnë kontratën me vlera të larta, si është kjo me motrën e deputetit të PDK-së – që ka qenë ish-ministër të Kulturës, Memli Krasniqi”, theksoi Bislim Aliu.

 Qytetarët, dardha pik nën dardhë

Edhe qytetarët e anketuar thonë se janë të zhgënjyer me garniturat e pasluftës të pushtetarëve të vendit. Kësisoj, qytetari nga Prishtina, Mirsad Krasniqi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se ky rast është shembull tipik i konfliktit të interesit, sepse këta njerëz kanë hyrë në politikë për të zhvatur buxhetin e Kosovës. “Ndaj, e them se nuk duhet të jesh shumë i mençur për ta ditur këtë, sepse tenderi i jepet nga RTK-ja Teuta Krasniqit,që është  motra e Memli Krasniqit e vajza e Milazim Krasniqit dhe këtu më nuk ka fare nevojë për asnjë koment më shumë të flasësh”, potencoi ai.

“Ky  është një rast i pastër i konfliktit të interesit të politikanëve dhe deputetëve tanë që po e zhvatin këtë popull e këtë vend pa asnjë mëshirë. Prandaj, Prokuroria duhet që ta hetojnë urgjentisht këtë rast, por shtrohet pyetja se cila Prokurori do ta bëjë këtë hetim, kur dihet se edhe Prokuroria edhe Gjyqësia te ne në Kosovë janë të kapura nga politika ditore. Por, edhe nëse do të hetohet ky rast, Teuta Krasniqi do të dalë e pastër, ndonëse po dihet botërisht se e ka fituar projektin pa tender dhe asnjë meritë”, vlerësoi Krasniqi.

Ndërsa, qytetari tjetër nga Prishtina Xhafer Jashari, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se një fjalë e urtë e të moshuarve thotë se: Dardha pik nën dardhë. “Sepse, po ta kesh dikë në pushtet merr lekë sa të duash. Andaj, mjerë ata qytetarë tanë që nuk e kanë askënd nga familjarët apo të afërmit e tyre në pushtet. Sepse, unë nuk e di se për çfarë arsyeje asaj i ndahen këto para. Këtu në këtë rast bëhet fjalë për vjedhje të parave që janë para të popullit e të qytetarëve tanë. Prandaj, si i tillë ky është një rast i pastër i konfliktit të interesit. Andaj, Prokuroria duhet që të hetojnë këtë rast”, theksoi ai.

 Sindikata reagon

Pas raportimeve të fundit për tenderët prej qindra mijëra eurove të fituar nga njerëz të afërt me politikën në Televizionin Publik, ka reaguar Sindikata e RTK-së.“Sindikata e Pavarur e RTK-së reagon ashpër kundër kontratave të reja me kosto të lartë financiare, të lidhura nga menaxhmenti i RTK-së me producentë të pavarur . SPRTK në vazhdimësi ka alarmuar rreth blerjeve pa kontroll dhe pa mbulesë financiare, të cilat po e dëmtojnë RTK-në në shkallë të pariparueshme.

Madje, si Sindikatë kemi kërkuar që në kuadër të ligjit të ri kjo praktikë e dëmshme për RTK-në të ndalohet...Të punësuarit e RTK-së në vend se të përkrahen e të motivohen në punën e tyre, përkundrazi ndaj tyre po ushtrohet presion si në aspektin e termineve, kohëzgjatjes së emisionit, duke i sjellë kështu ata në situatë diskriminuese në raport me emisionet e blera. Po ashtu, presion ndaj të punësuarve po ushtrohet me qëllim të detyrimit të tyre për të nënshkruar kontratat e blerjeve në cilësinë e autoritetit kontraktues.

SPRTK kërkon nga organet drejtuese të RTK-së, që të distancohen nga këto sjellje ndaj të punësuarve dhe të lihen të lirë ata në ushtrimin e profesionit të tyre konform obligimeve kontraktuale. Të gjitha këto padrejtësi Sindikata do t’i adresojë në organet përkatës”, thuhet në reagimin e Sindikatës.

(Kosova Sot)