Nice: Del Ponte donte t’i shihte liderët kosovarë të akuzuar dhe të dënuar

  • 21 February 2019 - 22:20
Nice: Del Ponte donte t’i shihte liderët kosovarë të akuzuar dhe të dënuar

Geoffrey Nice, ish-prokuror në Trubunalin e Hagës, deklaroi se ish-kryeprokurorja në këtë tribunal Carla Del Ponte, atëkohë u përgjigjej presioneve “që mund t’ju shërbenin interesave të serbëve”.

Ai theksoi se këta të fundit kishin për qëllim ta shihnin udhëheqësinë kosovare të akuzuar dhe të dënuar.

“Në fund të 2004-ës ajo (Carla Del Ponte) përcaktoi që të akuzojë Ramush Haradinajn. Dy ekipe të avokatëve të saj i thanë se dëshmitë që kishte ishin të pamjaftueshme për t’u ngritur aktakuza. Atëherë, ajo kërkoi nga tre avokatë të tjerë, te cilët s’kishin zotësi të nevojshme, që të hartonin aktakuzën”.

“Ajo kishte qëllime të ngritë aktakuza ndaj liderëve kosovarë”.

Ish-prokurori në një intervistë për media gjithashtu diskutoi edhe për hetimet lidhur me pretendimet për marrjen me dhunë dhe trafikimin e organeve, të cilat janë kryer para publikimit të raportit të Dick Marty-t.

“Tani e dimë se në vitin 2003 kishte një hetim në tribunal lidhur me fjalët që përhapeshin për marrjen me dhunë të organeve. Në atë kohë hetimi ishte i fokusuar në Ramush Haradinajn, atëkohë kryeministër, dhe vëllanë e tij Dautin. Ky hetim nuk dha asnjë rezultat dhe ata që po hetonin – ata që i bënë analizat forenzike dhe shkencore – thane se s’ka asgjë për t’u hetuar më tej. Pasi që e la tribunalin Hashim Thaçi u bë kryeministër dhe ajo i ngriti aktakuzat e njëjta. Se për çfarë qëllime nuk e di. Tani fokusi ishte tek Hashim Thaçi”.

“Nëse i bëni bashke këto dy gjera, njëherë kur ka qenë në zyre dhe herën tjetër sa ishte jashtë zyrës, del se ka pasur një dëshirë të fortë të Del Ponte për t’i parë liderët kosovarë të akuzuar dhe të dënuar”.

Nice theksoi se Serbia është treguar mjaft e mençur me Tribunalin e Hagës dhe me komponentë të tjerë të Ish Jugosllavisë, duke tentuar të krijoje një barazi të fajësisë.

“Këto angazhime për ta akuzuar Haradinajn me dëshmi të pamjaftueshme dhe të kthehet fokusi ndaj kryeministrit, tregon se sa e fuqishme ka qenë Serbia në kampanjën e saj për t’i barazuar ato që nuk mund të barazohen”.

 

(Kosova Sot)