Selmanaj: Themelimi i Gjykatës Speciale, ndër vendimet më të gabuara të Kosovës

  • 21 February 2019 - 23:38
Selmanaj: Themelimi i Gjykatës Speciale, ndër vendimet më të gabuara të Kosovës

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Rasim Selmanaj, ka thënë vendimi i Kuvendit të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale ishte ndër vendimet më të dëmshme për Kosovën.

Selmanaj, duke komentuar ftesën që Gjykata Speciale i ka bërë bashkëpartiakut të tij Blerim Kuçi, ka thënë se kjo gjykatë po ndjek vetëm shqiptarët për krime të supozuara për momentin.

“Ky vendim i Parlamentit nuk është dashur të ndodh, jo pse jemi kundër kësaj Gjykate, por sepse kemi votuar një gjykatë një etnike, dhe që ndjek vetëm ushtarët e UÇK-së për krime tash për tash të supozuara”, tha ai.

Ish-kryetari i Deçanit ka thënë se si në rastin e tanishëm të taksës, edhe me rastin e Gjykatës Speciale, ka pasur presione nga ndërkombëtarët.

“Kosova e themeloi Gjykatën Speciale, por koha po e dëshmon dhe do ta dëshmojë edhe në të ardhmen, se ky ishte një prej vendimeve më të gabuara që Kosova ka marrë”.

Deputeti i AAK-së ka thënë se Kosova tani do të përballet me pasojat e një vendimi të gabuar që është marrë në atë kohë me themelimin e Gjykatës Speciale.

“Do të kemi lajme të tilla edhe më tej, do të ketë të ftuar tjerë nga Gjykata Speciale. Por, e keqja është se mediat botërore do të raportojnë se sa shqiptarët po akuzohen kinse për krime. E vërteta është se Serbia ka bërë krime e ne luftë çlirimtare”, tha ndër të tjera Rasim Selmanaj.

 

(Kosova Sot)