“Grabovcëve” u bëhet fyti oqean, sa për prokurorët dhe gjyqtarët e kontrolluar

  • 12 March 2019 - 07:37
“Grabovcëve” u bëhet fyti oqean, sa për prokurorët dhe gjyqtarët e kontrolluar

Kelmendi: Ky rast tregon shkallën e kriminalitetit të sistemit!

“Mafio-oligarkia duhet të tregohet sa më e kujdesshme, e t`ia lagë fytin sa më shpesh dhe atë mundësisht me vlera sa më të mëdha monetare, për ruajtjen e shëndetit të Grabovcit dhe mirëmbajtjen e elanit të klanit ‘PRONTO’! Kështu që Prokuroria e as Gjyqësori, tërësisht të kapura nga politika, përderisa në pushtet qëndron po ky klan mafioz, nuk ka shanse që ta zbardhin krimin e organizuar, jo se mungojnë faktet apo njëmend u duhen dëshmi shtesë, por se vetë krimi i organizuar ushqehet dhe zhvillohet pikërisht nga klanet ‘PRONTO’ dhe ‘Coca Cola Zero’, të njohura dhe të bëra HIT tanimë në gjithë Kosovën dhe më gjerë në rajon.

 Asnjë provë tjetër nuk i është dashur Prokurorisë së dirigjuar nga politika, kur edhe në përgjime dëgjohet qartë se si Grabovci kërkon hapur nga Shkëlqim Devolli t`ia ‘lagë fytin’, që është dëshmuar se atij i teret shpejt”, thotë analisti Gani Qarri për “Kosova Sot”

Analistët politikë, por edhe qytetarët, kanë filluar ta humbin skajshmërisht besimin në drejtësinë kosovare, duke parë shembujt e shpeshtë që po trajtohen nëpër gjykatat tona, raste spektakulare që po defilojnë nëpër medie, para kamerave, dhe më pastaj po zvarriten e po mbyllen sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Një fat të tillë duket që do ta ketë edhe dosja famoze ‘Pronto’, e cila ka kohë që po ‘vegjeton’ në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Analistët theksojnë se, edhe përkundër faktit se në këtë aktakuzë nuk u përfshinë urdhërdhënësit e klanit “Pronto” për veprime joligjore, e as mafio-oligarkët që pandalshëm ia ‘lagin fytin’ Adem Grabovcit, tanimë edhe pse kanë kaluar më shumë se tre muaj që kur ka nisur shqyrtimi fillestar, Gjykata ende është duke shqyrtuar dosjen dhe nuk dihet nëse do ta aprovojë aktakuzën, gjë që pastaj të mundësojë edhe fillimin e gjykimit. 

Për më tepër, pse qysh në seancën e dytë gjyqësore prokurorja Drita Hajdari kishte kërkuar hetim disiplinor për shkelje të etikës nga ana e gjyqtarit Shasivar Hoti, të cilën kërkesë e bëri pasi që Gjykata Themelore refuzoi ankesën e saj për përjashtim të gjyqtarit Shasivar Hoti nga ky proces. Deri më sot, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj, Zyra e Prokurorit Disiplinor ende nuk ka vendosur për shkeljet e gjyqtarit të dosjes PRONTO. Lidhur me ecurinë e deritanishme të fillimit të gjykimit të këtij rasti, u janë dërguar pyetjet të gjitha institucioneve relevante, por nuk kanë kthyer përgjigje gjatë ditës së djeshme.

Pyetjet i janë dërguar Gjykatës Themelore në Prishtinë, kryetares, gjyqtarit Shasivar Hoti, Prokurorisë Speciale, prokurores Drita Hajdari, si dhe ZPD-së, por asnjë nga këta nuk i kanë dhënë ndonjë përgjigje apo sqarim gazetarit për çështjen e ngritur.

Image

Kelmendi: Grupi kriminal, me njerëz të pushtetit

Analistët dhe qytetarët dyshojnë me të drejtë se edhe ky rast skandaloz do të mbyllet në favor të të akuzuarve, pikërisht pasi në Kosovë sistemin e drejtësisë e ka në duar politika e inkriminuar, e njohur si klani “Pronto”! Analistët dhe qytetarët pyesin se edhe çfarë prove tjetër i është dashur prokurorisë kur në përgjime dëgjohet qartë se si Grabovci kërkon nga Shkëlqim Devolli me ia ‘lag fytin’ për të qenë aktakuza bindëse për gjykatën.

Mirëpo, me këtë besim të humbur në prokurori dhe në gjykata, njohësit e kësaj fushe konsiderojnë se as prokuroria e as gjyqësori nuk ka shans që ta zbardhin krimin e organizuar që është pikërisht prapa këtij klani PRONTO dhe klanit ‘Coca Cola Zero! Një bindje të tillë e ka edhe profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi. “Grupi kriminal ‘Pronto’ është grup që përbëhet nga njerëzit në pushtet, si deputetë, ministra, zv.ministra, madje në këtë bën pjesë edhe vetë Hashim Thaçi, si dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Vetë kjo përbërje tregon se grupi e ka udhëheqjen kryesore në shtet, pra janë në ballë të shtetit dhe udhëheqin shtetin. Këta janë njerëz që janë bërë milionerë, sikundër thotë Xhavit Haliti, ‘te tanë i kanë nga 2 milionë euro në  Kosovë’. Vetë ky fakt tregon se me çfarë force dhe energjie vjedhëse kemi të bëjmë. Këta i  kanë kapur edhe prokurorin edhe gjykatat. Në fakt ky grup i PRONTO-s i ka vendosur njerëzit në të gjitha organizatat publike dhe shtetërore, nuk ka vend që njerëzit e këtij grupi nuk janë të vendosur në pushtet.

Është vështirë të dënohet grupi PRONTO, njerëzit e hiçit, në të cilët deri sa erdhën në pushtet nuk kishin as biçikleta, e tani janë bërë milionerë, kanë bërë shtëpia shumë të kushtueshme, kanë edhe lagje të mëdha, si Besim Beqaj, kanë edhe toka 200 e nga 300 hektarë. Prandaj, nuk besoj që do të kemi ndonjë dënim, të grupit të tillë,  por pas një kohe pritet edhe pushimi i procedurës. Kjo vetëm sa do të tregojë për nivelin e kriminalitetit dhe domosdoshmërinë e futjes së VETING-ut edhe në Kosovë”, tha Muhamet Kelmendi.

Image

Badallaj: Kupola e krimit është e instaluar pikërisht në  sistemin gjyqësor

Analisti politik Reshat Badallajt tha për “Kosova Sot” se është i habitur me popullin pse nuk e kuptojnë fjalën dyshim, sepse ajo që dëgjohet në dosjen “Pronto” nuk ka të bëjë me dyshime, por është e vërteta lakuriq, prandaj do të duhej vepruar gjykata pa kursim.

“Këtë që po e them tani nuk dyshohet asgjë, por është e vërtetë e madhe se është kupola e krimit, e instaluar pikërisht në  sistemin gjyqësor tërësisht të kalbur që na qitën hijen e zezë në botë. Kjo bandë mafioze nuk e kam fjalën se i kanë shërbyer dje titizmit Slobodan Milosheviq dhe Rrahmanzinjve dhe që kanë dënuar shqiptarët për interesa serbe, por e kam fjalën se ky sistem i kalbur gjyqësor drejtohet nga bandat politike dhe pikërisht nga klani mafioz që quhet "Pronto". Nuk mund të ecë shteti aspak dhe për asnjë milimetër kur kjo bandë mafioze është e lidhur ngushtë me këtë klan të krimit të organizuar, të kanaleve të nëntokës kriminale”, tha Badallajt për “Kosova Sot”.

Image

Drejtësia, e instrumentalizuar nga politika

Nga ana tjetër, analisti Gani Qarri tha për “Kosova Sot” se fatkeqësisht gati tre vjet më parë atë që nuk mundën ta arrinin mbrojtësit e tij ligjorë, e realizoi Gjykata e Apelit, duke favorizuar ‘shefin e shefave’, Adem Grabovcin, dhe shfuqizuar aktvendimin e Gjykatës Themelore, e cila nuk pati pranuar kërkesën e shefit të ‘dosjes së shefave’, Adem Grabovcit, për ndalimin e publikimit të përgjimeve të klanit PRONTO.“Krejt këtë Gjykata e Apelit e bëri në emër të pretendimit të Grabovcit kinse për të sjellë prova të reja se gjoja ‘shefit të shefave’ i janë shkelur privatësia dhe të drejtat kushtetuese në rastin e publikimit të skandalit të përgjimeve, të përmbledhura për gjykim te ‘dosja e shefave’. Ndaj nga atëherë dosja famoze e klanit PRONTO vegjeton dhe bën gjumë të rehatshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e patrazuar nga asnjë faktor relevant ligjor, edhe përkundër faktit se në këtë aktakuzë nuk u përfshinë urdhërdhënësit e çdo veprimi të jashtëligjshëm, e as mafio-oligarkët që pandalshëm vazhdojnë t`ia ‘lagin fytin’ (e shpejt terur) Adem Grabovcit”, u shpreh ai.

“Megjithëse tanimë, edhe pse kanë kaluar më shumë se tre muaj që kur ka nisur trajtimi fillestar, Gjykata ende është duke shqyrtuar nëse do ta aprovojë aktakuzën apo jo, gjë që vetëm pas miratimit mundësohet edhe fillimi i gjykimit. Për aq më tepër, edhe pse qysh në seancën e dytë gjyqësore prokurorja Drita Hajdari pati kërkuar hetim disiplinor të gjyqtarit Shasivar Hoti për shkelje të etikës gjyqësore, kërkesë të cilën e bëri pasi që Gjykata Themelore refuzoi ankesën e saj për përjashtim të tij nga ky proces, deri më sot, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj, Zyra e Prokurorit Disiplinor ende nuk ka vendosur për shkeljet e gjyqtarit të dosjes PRONTO.

Ndaj duke pasur parasysh faktin e kapjes totale të prokurorisë dhe gjyqësorit dhe ky rast skandaloz e kriminal pritet të mbyllet, si shumë skandale tjera, në mënyrë tërësisht të heshtur dhe me metodat më të turpshme e perfide, pasi që, siç dihet tanimë botërisht, në Kosovë sistemin prokurorial dhe atë të drejtësisë e ka në duar pikërisht klani më i inkriminuar politik në vend, i njohur që nga rasti i përgjimeve si klani ‘Pronto’!”, potencoi Qarri. Sipas tij, asnjë provë tjetër nuk i është dashur prokurorisë së dirigjuar nga politika, kur edhe në përgjime dëgjohet qartë se si Grabovci kërkon hapur nga Shkëlqim Devolli t`ia ‘lag fytin’, që është dëshmuar se atij i teret shpejt.

Image

Guraziu: Procesi drejt dështimit

Sipas analistit Ragip Guraziu, gjasat janë që ky proces të mbyllet shpejt dhe të akuzuarit të shpallen të pafajshëm, pasi që politika ka filluar të ndërhyrë ashpër në këtë dosje. “Unë po e them këtë duke u bazuar në faktin që edhe pse prokurorja Drita Hajdari kishte kërkuar hetim disiplinor për shkelje të etikës nga ana e gjyqtarit Shasivar Hoti, të cilën kërkesë e bëri pasi që Gjykata Themelore refuzoi ankesën e saj për përjashtim të gjyqtarit Shasivar Hoti nga ky proces, kërkesa po injorohet.

Prandaj,  edhe përkundër faktit se në këtë aktakuzë nuk u përfshinë urdhërdhënësit e çdo veprimi joligjor, e as mafio-oligarkët që pandalshëm ia ‘lagin fytin’ Adem Grabovcit, tanimë’ edhe pse kanë kaluar më shumë se tre muaj që kur ka nisur shqyrtimi fillestar, gjykata ende është duke shqyrtuar nëse do ta aprovojë aktakuzën, gjë që pastaj mundëson fillimin e gjykimit. Me këtë lojë që po luhet është e pritshme që dosja ‘Pronto’ të mbyllet sikur të mos ketë ndodhur asgjë”, theksoi Guraziu për “Kosova Sot”.

Image

Zeqa: Përgjegjësia bie tek prokurorët e gjyqtarët

Sipas analistit politik Florim Zeqa, interferimi dhe kapja e plotë e sistemit të drejtësisë nga politika ka bërë që të korruptuarit e nivelit të lartë të bëhen të paprekshëm nga drejtësia. “Si rezultat i kontrollit të plotë të politikës, gjegjësisht të kontrollit të partive në pushtet mbi sistemin e drejtësisë, ka bërë që të mbyllen njëri pas tjetrit të gjitha rastet skandaloze të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

E gjithë kjo nuk po vjen si pasojë e mungesës së ligjeve dhe as mungesës së provave, por po ndodh e kundërta e saj, moszbatimi i ligjeve dhe prishja e provave. Kjo ka bërë që drejtësia për dikë të bëhet "nënë" e për dikë tjetër "njerkë". Për të fortët e politikës ligji bëhet elastik, ndërsa për qytetarët e thjeshtë, që nuk kanë lidhje me politikën, ligji di të jetë i ashpër dhe i pamëshirshëm”, u shpreh ai.“Për të fortët e politikës dhe mbështetësit e tyre çdoherë gjenden "vegëza" ligjore dhe masa lehtësuese të mosndëshkohen edhe për vepra të rënda kriminale. Çuditërisht deri më sot drejtësia vendore nuk e ka dënuar asnjë rast të nivelit të lartë, qoftë për korrupsion, nepotizëm, abuzim me buxhetin apo pushtetin, kurse për rastet e vogla dhe të papërfillshme zbatohen dënime tepër të rënda! Kjo situatë është bërë shqetësim për qytetarët dhe përfaqësitë diplomatike të akredituara në vendin tonë. Pikërisht për shkak të drejtësisë selektive, qytetarët e kanë humbur tërësisht besimin në drejtësinë vendore dhe shpresat për jetë në këtë vend”, vijoi më tej Zeqa.

“Në anën tjetër edhe përfaqësitë diplomatike janë tepër të zhgënjyera me punën e sistemit të drejtësisë dhe qeverisjes së vendit në përgjithësi. I ashpër ishte reagimi i ambasadorit të Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, gjatë tryezës të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, i cili shprehu shqetësimin dhe mesazhin njëkohësisht për sistemin e drejtësisë. "S’jeni duke e luftuar korrupsionin,...përgjegjësia bie tek ju, prokurorë e gjyqtarë,... Kosova nuk guxon të jetë vatër e krimit dhe korrupsionit,...është tejet e rrezikshme për ju, por edhe për ne,...edhe sa mendoni se do ta keni përkrahjen ndërkombëtare!?".

Kjo deklaratë e ambasadorit të Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, duhet të jetë alarm dhe thirrje e sinqertë për qytetarët, që sa më parë të marrin në duart e veta fatin e vendit, në të kundërtën katandisja e shtetit drejt humnerës do të jetë e pashmangshme. Në një vend ku nuk sundon ligji, përmbys çdo gjë anarkia!”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Image

Qytetarët nuk besojnë në zbatim të ligjit

Qytetarët e anketuar rreth zgjatjes së pafund të procesit gjyqësor për dosjen PRONTO në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë të sigurt që edhe ky proces do të mbyllet pa u ndëshkuar askush. Këtë mendim e ndan qytetari Halil Gashi.”Unë do t’ju pyesja juve se deri më tash, më thoni a u dënua ndonjë rast nga këta të  mëdhenjtë e politikës. Unë me sa di nuk janë dënuar, e nëse ju e dini ndryshe ma thoni. Askush deri më sot nuk është dënuar as për korrupsion dhe as për ndonjë vepër tjetër, për të cilën  prokuroria ka ushtruar kallëzim penal dhe në të cilat raste janë  përfshirë njerëzit e lidhur ngushtë me pushtetin dhe politikën.

Ndodh rasti kur një njeri i pushtetit akuzohet për abuzim me 80 milionë euro dhe ma në fund feston pse ka dalë i pastër, i pafajshëm. Pra, deri më tash në raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është dënuar askush dhe nuk pres se do të dënohet ndokush as në rastet e tanishme që janë në procedurë. Derisa të jetë në pozita kjo strukturë aktuale e Qeverisë, këta njerëz të përfshirë në krim të organizuar dhe në korrupsion nuk do të dënohen kurrë, duke përfshirë këtu edhe ata për të cilët bëhet fjalë në dosjen e klanit PRONTO”, potencoi Gashi. Ndërsa qytetari tjetër, Selver Lenjani, thekson se ka krijuar një lloj doze mosbesimi në përfundimin e pavarur të këtij procesi të filluar gjyqësor rreth dosjes PRONTO.

“Po mbushen më shumë se tre muaj dhe asgjë nuk po lëviz nga vendi. Njëherë mungon njëri e pastaj mungon tjetri. Unë mendoj që derisa kjo drejtësi, kjo prokurori e shtetit dhe këto gjykata janë institucione të drejtësisë së Kosovës, e nuk janë institucione të drejtësisë përndjekëse të ish-regjimit serb, me të cilin disa nga aktorët e dosjes PRONTO edhe janë ballafaquar në të kaluarën, sikur është Adem Grabovci, atëherë asnjëri prej tyre nuk e ka të drejtën që të hezitojë dhe të ballafaqohet me këtë rast. 

Unë kam madje një porosi direkt për Adem Grabovcin, që si figurë me një të kaluar që identifikohet si njeri që ka sakrifikuar shumë edhe për shtetin e Kosovës, duhet të jetë shembull në këtë rast dhe ta inkurajojë edhe drejtësinë që ta thotë fjalën e vet në mënyrë shumë profesionale”, sugjeron ai.

“Në dosjen PRONTO kemi dëgjuar shumë gjëra, që megjithatë duhet të trajtohen me kujdes dhe të gjykohen drejt, por deri më tani, si po shkojnë gjërat, unë nuk kam besim se do të jetë ashtu”, ka thënë Lenjani. Sipas tij, një gjë e tillë nuk i bën nder Kosovës.

(Kosova Sot)