Për skandalin e “gylenistëve”, të gjitha rrugët të çojnë në Presidencë dhe te Shpend Maxhuni

  • 14 March 2019 - 07:30
Për skandalin e “gylenistëve”, të gjitha rrugët të çojnë në Presidencë dhe te Shpend Maxhuni

Qarri: Po të ishte Kosova një shtet i pakapur nga mafia politike, do të duhej shkarkuar Shpend Maxhuni, pion dhe krah i djathtë i Hashim Thaçit

“Tani pyetja shtrohet si e rehatoi Shpend Maxhuni gruan si gjyqtare në Gjykatën Themelore të Prishtinës, e cila si gjyqtare akuzohet se punon për aktgjykimet që i urdhëron politika e inkriminuar, e kryesuar nga Hashim Thaçi, ajo politikë që e shpërbleu Shpend Maxhunin me postin e kreut të AKI-së, edhe përkundër faktit se ka bërë 31 shkelje ligjore me rastin e deportimit të ‘gylenistëve’, por edhe shumë shkelje të tjera para dhe pas këtij skandali. Ishte pikërisht Shpend Maxhuni që e heshti rastin e ndalesës së djalit të tij nga policia. Është për t’u potencuar edhe një fakt tjetër, se si e ndihmuan Shpend Ahmeti me Molliqajn dhe të tjerët Hashim Thaçin, duke mos marrë pjesë në punët e Komisionit hetimor në Kuvend, duke ia bërë argatin detyrues Hashim Thaçit”, thotë analisti Ragip Guraziu për “Kosova Sot”

Deputetë nga radhët e subjekteve politike opozitare, analistë të politikës, por edhe qytetarët, e kanë vlerësuar serioz reagimin e  Ambasadës Amerikane për skandalin serioz me qytetarët turq "gylenistë", si një akuzë që duhet t’i faturohet përgjegjësisë direkt të Hashim Thaçit, sepse të gjitha institucionet e sundimit të ligjit, edhe AKI-ja është nën kontrollin e tij, kurse prej nga ajo ditë e deri më sot, pra edhe pas një viti, nuk ka përgjegjësi shtetërore për ata që bënë këtë akt antiligjor dhe antikushtetues. Në raportin e komisionit hetimor parlamentar, raporti i të cilit u mbështet me reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë për 31 shkeljet ligjore, saktësohet se shkeljet i ka bërë Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) gjatë dëbimit të gjashtë shtetasve turq në mars të vitit të kaluar dhe ato tani duhet të ndëshkohen.

“Nuk kemi të bëjmë me fajësinë apo pafajësinë e individëve, por shmangie të qartë të proceseve ligjore të Kosovës nga ana e politikanëve të Kosovës. Presioni politik në sektorin e sigurisë për të thyer ligjin e Kosovës është një shkelje skandaloze e vlerave demokratike. Ne nxisim për transparencë të plotë në sektorin e sigurisë dhe në drejtimin e punëve të jashtme, për të parandaluar ndërhyrjet pa vend nga politikanët kosovarë në të ardhmen”, thuhet në kumtesën e Ambasadës amerikane.

Analistët dhe deputetët opozitarë tani pyesin se edhe çka duhet të ndodhë në këtë vend që të na qortojë Amerika kaq fort dhe a është mënyra më e mirë për të shpëtuar qytetarët izolimi i pushtetarëve nga Amerika për t’u dhënë leksion se në një vend demokratik ata nuk mund të sillen si sulltanë apo si të duan. Analistët theksojnë se Shpend Maxhuni, në cilësinë e kryepolicit asokohe, ka qenë deri në detaje i informuar dhe ka lejuar të ndodhë deportimi i përcjellë me mbi 31 shkelje ligjore skandaloze dhe për këtë u shpërblye nga shefi i tij, Hashim Thaçi, me postin e kreut të AKI-së.

Image

Salihaj: Vërejtje e drejtpërdrejtë për Thaçin dhe ndërhyrjet e tij në sistemin e sigurisë së Kosovës

Ish-deputeti nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj, tha për “Kosova Sot” se saktësimi i këtyre 31 shkeljeve nga komisioni parlamentar në aferën “Gylenistët” tregon edhe një herë për nivelin e kapjes së shtetit nga mafia, që i jep pamjen e shtetit mafioz, në krye të të cilit, sipas Salihajt, është Hashim Thaçi.“Se jemi një shtet mafioz më së miri e dëshmon rasti i deportimit të gjashtë shtetasve turq, të cilët u deportuan pa asnjë bazë ligjore. Me këtë rast, komisioni hetimor i Kuvendit konstatoi se u bënë 31 shkelje të ligjit. Pra, nga ky rast dëshmohet se nuk veproi ministria e as ministri i Punëve të Brendshme, nuk veproi as kryeministri, madje ata as që qenë të informuar, por veproi vetëm Hashim Thaçi me strukturat e tij joformale në polici dhe AKI. 

Reagimi i Ambasadës amerikane për mungesën e demokracisë e të sundimit të ligjit dhe ndërhyrjen e individëve, konkretisht të Hashim Thaçit, në sistemin e sigurisë ishte shumë me vend. Ky reagim ishte edhe një vërejtje e qartë dhe e drejtpërdrejtë për Thaçin dhe ndërhyrjet e tij në sistemin e sigurisë së Kosovës. 

Nga e gjithë kjo del qartë se zyrtarët që e shkelin ligjin dhe cenojnë sigurinë e shtetit, jo vetëm që nuk dënohen, por, përkundrazi, shpërblehen dhe avancohen në pozita. Kjo ndodhi me drejtorin e Policisë së Kosovës, i cili, në vend se të shkarkohej për cenimin e sigurisë së vendit, u vendos në një pozitë edhe më të ndjeshme, nga e cila mund ta cenojë atë edhe më shumë”, tha Salihaj për “Kosova Sot”.

Image

Syla: AKI-ja u keqpërdor

Deputeti nga radhët e VV-së, Shemsi Syla, tha për “Kosova Sot” se konstatimet e komisionit janë shumë profesionale dhe është i mirëseardhur edhe reagimi mbështetës amerikan. “Me të drejtë, edhe nga komisioni apo grupi hetues është argumentuar se është bërë shkelje e rëndë në rastin e ‘gylenistëve’, por meqë në këtë rast është përfshirë edhe vetë presidenti, i cili ka keqpërdorur edhe institucionin më të rëndësishëm, AKI-në, e bën edhe më të rëndë shkeljen.

Këtu qëndron heshtja dhe përpjekja për t’iu shmangur dhe ikur fakteve dhe argumenteve që thjesht implikojnë vetë presidentin dhe segmentet e sigurisë: Agjencinë e Inteligjencës dhe Policinë e Kosovës. Janë më se të arsyeshëm reagimi dhe qortimi i Ambasadës Amerikane. Shikoni kur miqtë tanë kritikojnë për shkelje, udhëheqësit tanë heshtin, sepse janë vetë përgjegjës, kjo është hipokrizia, këta qenkan pro amerikanë... shih si na quajnë neve që e kritikojmë për dialogun, duke na quajtur si kundër miqve tanë amerikanë”, tha Syla për “Kosova Sot”.

Image

Aliu: Policia u kriminalizua

“Unë besoj që skandali i tmerrshëm i shtetasve turq ka qenë një rast jo i izoluar, por i lidhur edhe me funksionimin e një rrjeti më të gjerë të dallaveraxhinjve në Kosovë dhe jashtë saj dhe që lidhet me orientimet gjeostrategjike. Unë kam qenë i befasuar me reagimin e plogësht të faktorit ndërkombëtar ndaj arrestimit të shtetasve turq. Ajo më shtyri të kuptoj që jo domosdo të drejtat e njeriut janë primare për ndërkombëtarët nëse ato ndërlidhen me veprimet e të preferuarve të tyre për të udhëhequr politikën në vend. Unë e kam quajtur diktature moderne mënyrën e qeverisjes në Kosovë dhe qëndroj fortë dhe me argumente prapa vlerësimit tim. Në Kosovë çdo gjë që lidhet me pushtetin është e kriminalizuar.

Falë prezencës së ndërkombëtarëve, për fat të mirë nuk po bëhen likuidime në baza politike, por njerëzve i është "likuiduar " mundësia që të kontribuojnë për atdheun e vet në një mënyrë të shëndoshë. Më herët kemi pasur një polici të shëndoshë, tani edhe ajo është kriminalizuar dhe udhëhiqet nga të preferuarit e pushtetarëve, si rrjedhojë ata mbrojnë shkeljet e tyre. Uroj që ushtria e porsaformuar mos të shkojë në të njëjtën rrugë. Unë bëj thirrje tek faktori ndërkombëtar që të fillojë shkatërrimin e rrjeteve  kriminale të pushtetarëve, që në realitet besoj se janë rrjete që nuk fillojnë e as nuk mbarojnë në Kosovë. Thaçi i ka rrënjët shumë më larg se Kosova”, tha Hysni Aliu për “Kosova Sot”.

Image

Edhe çka tjetër duhet të ndodhë në këtë vend?!

Analisti politik, Florim Zeqa, thotë se është fakt që ditët e fundit janë bërë të shpeshta vërejtjet e zyrtarëve amerikanë ndaj drejtuesve të institucioneve të shtetit tonë, që kulmoi së fundi me këtë të “gylenistëve”. “Dëbimi i paligjshëm e qytetarëve turq "gylenistë" i një viti më parë është bërë shkas edhe i reagimit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë për 31 shkeljet ligjore, të cilat janë bërë gjatë dëbimit të gjashtë shtetasve turq në mars të vitit të kaluar. Më tepër se me fajësinë apo pafajësinë e individëve, kemi të bëjmë me shmangie të qartë të proceseve ligjore të Kosovës nga ana e politikanëve të Kosovës”, u shpreh ai.

“Përgjegjësia për dëbimin antiligjor të shtetasve turq nga Kosova është në përputhje të plotë me hierarkinë shtetërore dhe zinxhirin komandues në vend. Për shkak se presioni politik në sektorin e sigurisë ka çuar në thyerjen e ligjeve, shkeljeve skandaloze të vlerave demokratike dhe dhunimit e të drejtave të njeriut. Mungesa e transparencës në rastin e dëbimit të shtetasve turq të akuzuar si "gylenistë" dhe mosllogaridhënia për rastin në fjalë e ka dëmtuar imazhin e sektorit të sigurisë dhe shtetit të Kosovës në përgjithësi”, vlerësoi më tej Zeqa.

“Pa dyshim mënyra më e mirë për të shpëtuar qytetarët e Kosovës është izolimi i pushtetarëve nga Amerika për t’u dhënë leksion se në një vend demokratik ata nuk mund të sillen si sulltanë apo si sheikë karshi një popullate të varfër e të nëpërkëmbur. Të gjitha argumentet flasin se kush janë pionët dhe sekserët e pushtetarëve të inkriminuar, të instaluar në institucione vitale të shtetit, ku pikërisht si pasojë e këtyre pionëve e sekserëve shteti po shkon drejt zhbërjes, drejt ndarjes dhe vetëshkatërrimit nga sulltanët dhe sheikët që e kanë kapur shtetin. Vallë edhe çka duhet të ndodhë në këtë vend që të na qortojë kaq fort Amerika, e ne të sillemi sikur nuk po ndodh asgjë!?”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Image

Kelmendi: Shpend Maxhuni duhet të japë përgjegjësi për shumë çështje

Edhe prof. Muhamet Kelmendi konstaton se tashmë po dihet nga të gjithë se tri institucionet kryesore të Kosovës ka kohë, madje me vetëdije nga UNMIK-u, nga EULEX-i dhe qeveria e Thaçit, e Mustafës dhe tash po vazhdohet, se në to janë vendosur kryesisht ish-shërbëtorët e regjimit serbo-jugosllav.“Në Policinë e Kosovës ishte për kohë të gjatë personi i dyshuar, cili duhet të japë përgjegjësi për shumë çështje, Shpend Maxhuni. Ky njeri ka të kaluar të dyshimtë dhe sikundër dihet edhe djalin ia kapën me krim dhe e amnistuan.

Këtë njeri, të gjendur përgjegjës për rastet e qytetarëve turq, nga policia e bënë drejtor të AKI-së, si dhe nuk ka fare përgjigje. Në shumë struktura të prokurorisë janë njerëzit e ish-regjimit. Kryeprokurori po ashtu ka të kaluar të  dyshimtë. Ndërsa, mendoj se tërësisht është i kapur nga klani i Thaçit. Nëpër gjykata janë gjyqtarët po ashtu ish-gjyqtarët e regjimit dhe të dyshimtë për shumë veprime. Kudo nëpër këto vende janë bërë këta njerëz milionerë të Xhavit Halitit”, u shpreh ai.

“Edhe në Gjykatën Supreme të Kosovës është Enver Peci, për të cilin nuk ka të dhëna të qarta se nga vjen dhe ku ishte para dhe gjatë luftës. Tërësisht është e veshur Gjykata Kushtetuese me gjyqtarë politikë dhe të varur... Askush nuk është i dënuar për korrupsion dhe krim të organizuar. Të gjithë udhëheqësit politikë, juridikë, të institucioneve të drejtësisë etj., janë të pasur. E këtë pasuri askush nuk është në gjendje ta mbulojë me ligj. Pra, kemi devijime të rënda në sistem. Mjerë vendi për këta që po na udhëheqin”, theksoi Kelmendi.

Image

Qarri: Shpend Maxhuni në cilësinë e krye-policit ka lejuar që të ndodhte deportimi antiligjor i "gylenistëve"

Serioz e vlerëson reagimin e Ambasadës Amerikane edhe analisti politik Gani Qarri. “Reagimi i Ambasadës Amerikane lidhur me skandalin serioz me qytetarët turq "gylenistë" është edhe një skandal më tepër që i faturohet pikërisht papërgjegjësisë direkte të Hashim Thaçit, i cili ka kapur të gjithë shtetin dhe nuk lejon që institucionet e Kosovës t’i nënshtrohen ligjit, por vetë atij. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë me të drejtë ka reaguar kaq ashpër për vetë faktin se edhe pas një viti Thaçi nuk lejon asnjë përgjegjësi shtetërore për ata që bënë këtë akt antiligjor dhe antikushtetues në vend.

Reagimi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë  ishte plotësisht i arsyeshëm, pasi që sipas gjetjeve të Komisionit hetimor parlamentar Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka bërë 31 shkelje ligjore gjatë dëbimit të gjashtë shtetasve turq në mars të vitit të kaluar, por nga ajo ditë e deri më sot nuk është ndërmarrë asgjë kundër personave përgjegjës”, u shpreh ai.

“Pikësëpari, po të ishte Kosova një shtet funksional dhe i pakapur nga mafia politike, që me kohë do të duhej bërë, shkarkimi i atyre që ngritën në detyrë personat të cilët e mundësuan të ndodhte kjo shkelje flagrante e ligjit, siç është rasti me Shpend Maxhunin, pion dhe krah i djathtë i Hashim Thaçit, përmes të cilit interferon e ndërhyn në të gjithë sektorët e sigurisë, prokurorisë dhe gjyqësisë së shtetit. Shpend Maxhuni në cilësinë e krye-policit asokohe ka qenë deri në detaje i informuar mbi të gjitha dhe ka lejuar me vetëdije që të ndodhte deportimi antiligjor i "gylenistëve" i përcjellë me mbi 31 shkelje skandaloze ligjore, por edhe shumë shkelje të tjera para dhe pas këtij skandali, i cili, përkundër të gjithave, u shpërblye pa meritë nga shefi i tij, Hashim Thaçi, me postin e kreut të AKI-së”, theksoi Qarri.

Image

Badallaj: Hashim Thaçi na ka futur në telashe me shumë shtete, vetëm për interesa të tij personale

Sipas analistit politik Reshat Badallaj, duke u bazuar në të gjeturat e raportit të komisionit hetimor, të cilat kanë qarkulluar nëpër  media, por edhe duke u bazuar në reagimin e Ambasadës Amerikane, vërtetohet fuqishëm se ish-kreu i PDK-së, tani president vendi, është nënë dhe babai i të gjitha të këqijave që po i ndodhin këtij vendi. “Hashim Thaçi na ka futur në telashe me shumë shtete dhe miq vetëm për interesa të tija personale dhe se pa më të voglin dyshim ka gisht dhe është plan i këtij kidnapimi  të turqve.

Dhe, aq më zi se këtu turpërohet deri në themel edhe shteti dhe ju ep hapësirë për të kuptuar se Kosova është shtet i kapur nga bandat mafioze ku nuk ka as ligje dhe as kushtetutë dhe ku jeta e çdo njeriu është në rrezik dhe e pasigurt nga këto banda. Falë Zotit që nganjëherë po i trazojnë, këto banda mafioze dhe këta banditë e shkuar banditëve ambasadat e huaja dhe faktori ndërkombëtar për të mos i lënë rehat këto banda të kanaleve të nëntokës kriminale më të rrezikshme në Ballkan”, theksoi Badallajt për “Kosova Sot”.

Image

Guraziu: Përgjegjësia duhet t’i faturohet direkt presidentit Hashim Thaçi, Shpend Maxhunit dhe AKI-së

Ndërsa analisti politik Ragip Guraziu tha për “Kosova Sot” se me reagimin e miqve amerikanë ndaj këtij rasti po del që Kosova ka bërë një skandal tepër serioz me qytetarët turq ''gylenistë'' dhe   përgjegjësia duhet t’i faturohet direkt presidentit Hashim Thaçi,  Shpend Maxhunit dhe AKI-së.“Dihet se këtë e bëri Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), gjatë dëbimit të gjashtë shtetasve turq, derisa edhe u shpërblyen nga presidenti, shefin e AKI-së, Shpend Maxhuni, i cili mu nga Hashim Thaçi ishte pozicionuar në këtë post pak para se të ndodhë ky skandal me (gylenistët).

Mendoj që derisa është reagimi i Ambasadës Amerikane për skandalin serioz me qytetarët turq "gylenistë", ai është edhe një akuzë që duhet t’u faturohet përgjegjësisë direkte të Hashim Thaçit, që edhe pas një viti nuk ka përgjegjësi shtetërore për ata që bënë këtë akt antiligjor dhe antikushtetues”, tha Guraziu për “Kosova Sot”. 

“Tani pyetja shtrohet si e rehatoi Shpend Maxhuni gruan si gjyqtare në Gjykatën Themelore të Prishtinës, e cila si gjyqtare akuzohet se punon për aktgjykimet që i urdhëron politika e inkriminuar, e kryesuar nga Hashim Thaçi, ajo politikë që e shpërbleu Shpend Maxhunin me postin e kreut të AKI-së, edhe përkundër faktit se ka bërë 31 shkelje ligjore me rastin e deportimit të ‘gylenistëve’, por edhe shumë shkelje të tjera para dhe pas këtij skandali. Ishte pikërisht Shpend Maxhuni që e heshti rastin e ndalesës së djalit të tij nga policia.

Është për t’u potencuar edhe një fakt tjetër, se si e ndihmuan Shpend Ahmeti me Molliqajn dhe të tjerët Hashim Thaçin, duke mos marrë pjesë në punët e komisionit hetimor në Kuvend, duke ia bërë argatin detyrues Hashim Thaçit”, thotë analisti Ragip Guraziu për “Kosova Sot”.

Qytetarët kërkojnë masa konkrete

Qytetarët e anketuar nga gazeta po ashtu mendojnë se komisioni parlamentar që e ka hetuar skandalin e depërtimit të qytetarëve turq nga Kosova ka bërë punë të shkëlqyeshme dhe këtë e vërteton mbështetja nga Ambasada amerikane, por edhe vërejtjet e ambasadës në adresë të institucioneve që kanë abuzuar me ligjin dhe kanë bërë shkelje të të drejtave të njeriut dhe të konventave ndërkombëtare. Qytetari Selver Lenjani thotë se shkelja e Kushtetutës ka ndodhur me të dyja këmbët dhe kjo shkelje në rend të parë i atribuohet pikërisht presidentit Hashim Thaçi, sepse dihet që edhe institucioni i AKI-së të gjitha informatat sekrete që i duhen dhe i këmben në interes të shtetit i ndan vetëm me Presidentin.

“Tani duhet të ndërmerren masa për të gjitha shkeljet që janë bërë nga AKI-ja, por edhe nga presidenti i shtetit, sepse ka dalë konstatimi që janë shkelur të gjitha konventat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut sipas të drejtës universale ndërkombëtare”, theksoi Lenjani. Sipas Cen Pushkollit, këto reagime tani janë të mirëseardhura, edhe pse mund të jenë pak të vonuara.“Unë mendoj se fillimisht duhet ta konstatojmë një të dhënë tjetër: sa ka qenë në dijeni Ambasada Amerikane dhe politika zyrtare amerikane me përgatitjen e dëbimit të ‘gylenistëve’ në Turqi. Kjo është e para.

Nëse kanë qenë në dijeni, atëherë gabimet dhe shkeljet ligjore nuk janë bërë krye më vete nga politika aktuale e Kosovës, sepse unë mendoj që nuk kanë kuadër të mjaftueshëm ekspertësh për t’i kuptuar këto relacione se si shkojnë, ndonëse nuk i jap të drejtë vetes dhe nuk marr përgjegjësi të them se pikërisht kështu është. Mirëpo, mua ma merr mendja, kam disa supozime, duke marrë parasysh balancat ndërkombëtare që bëhen. Në këtë rast amerikanët po duan që t’u bëjnë me dije të gjithë partnerëve të vet se ne jemi për t’i respektuar ligjet, edhe pse ndoshta tërthorazi, me mosreagim, kanë kontribuar që të shkelen ato ligje”, u shpreh Cen Pushkolli.

(Kosova Sot)