Zbulohet skenari i Thaçit, ja pse po e mban të bllokuar KQZ-në

  • 14 March 2019 - 17:23
Zbulohet skenari i Thaçit, ja pse po e mban të bllokuar KQZ-në

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon të mbetet i bllokuar tash e disa muaj, si shkas i mos emërimit të anëtarëve të saj nga ana e Presidentit të Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është duke e pritur edhe mendimin e Gjykatës Kushtetuese, mirëpo  po e njëjta Gjykatë thotë që kjo lëndë do të shqyrtohet së shpejti në seancat e radhës.

Të martën që shkoi, edhe Kuvendi i Kosovës zhvilloi një seancë parlamentare lidhur me bllokimin e KQZ-së, por që në fund dështoi të miratojë një rezolutë, përmes së cilës i kërkohej Presidentit dekretimi i anëtarëve të KQZ-së.

Lexo edhe: Daçiq kërcënon me ndërhyrje ushtarake në Veri, përgjigjet Ministria e Mbrojtjes së Kosovës

E lidhur më këtë çështje, “Kosova Sot” ka biseduar me profesorin e së drejtës, Muhamet Kelmendi dhe analistin politik, Faik Krasniqi.

Analisti politik, Faik Krasniqi shprehet se krejt kjo është e qëllimshme nga ana e Presidentit, pasi sipas tij nëse vendi shkon në zgjedhje atëherë  edhe dialogu me Serbinë ndërpritet dhe prishen planet e Thaçit për ndarjen e Kosovës.

Image
Faik Krasniqi

 

“Presidenti Thaçi qëllimisht është duke e mbajtur të bllokuar KQZ-në. Bllokimi i KQZ-së ka edhe prapavijë nga ana e Presidentit. Nëse vendi shkon në zgjedhje, atëherë edhe dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë, kurse qëllimi i tij është që ky dialog të vazhdojë në mënyrë që ai të realizojë planin e tij për ndarjen e Kosovës”, u shpreh ai.

Sipas Krasniqit, Hashim Thaçi  me gjitha këto veprime duhej të shkarkohej nga posti i Presidentit.

“Në një shtet normal Kushtetuesja do ta shkarkonte për shkelje të Kushtetutës. Por kjo nuk do të ndodh, sepse ai ka kontroll të plote mbi Gjykatën Kushtetuese, si dhe ka kontroll pothuajse në çdo institucion në Kosovë dhe vazhdon të mbetet mbi ligjin, kjo nuk është diçka e re” shton analisti Krasniqi më tutje për “Kosova Sot”.

“Ai kontrollon gjithçka, Kushtetuesen, Policinë, AKI-në, Organet e Drejtësisë etj. Është thjesht i paprekshëm sepse është kapësi me i madh i këtij shteti!”, ka përfunduar Krasniqi.

Image
Muhamet Kelmendi

 

Kurse, profesori i së drejtës,  Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot” thotë se  krejt kjo po ndodhë për shkaqe personale, ngase qëllimet e Thaçit janë që të emërohen në pozitë njerëzit e tij.

“Presidenti sipas normave kushtetuese kërkohet që me propozim të subjekteve politike të bëj plotësimin e KQZ-së” është shprehur Kelmendi.

Edhe Kelmendi ka të njëjtin mendim, se Gjykata dhe Kuvendi kanë mundësi të shkarkojnë njerëz të tillë sikur Presidenti, Hashim Thaçi.

“Kjo mund të detyrohet të ndodh nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Natyrisht se kjo gjykatë mund edhe të shkarkoje nga pozita njerëz të tille. Të njëjtën gjendje mund ta bëje edhe Kuvendi. Sipas Kushtetutë së Kosovës shkarkimi bëhet me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve. Kjo është ligjore!”, ka përfunduar Kelmendi për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)