Kurti: Sot një vit Haradinaj ia dha Malit të Zi 8.200 hektarë për një karrige

  • 21 March 2019 - 10:36
Kurti: Sot një vit Haradinaj ia dha Malit të Zi 8.200 hektarë për një karrige

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti një vit pas miratimit të Demarkacionit ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj se ia dha Malit të Zi 8.200 hektarë tokë për karrigën e të parit të Qeverisë. 

“Sot u bënë një vit prej kur u ratifikua demarkacioni “Meha” në Kuvend, ndërkaq nesër bëhen 400 ditë të marrëveshjes ‘korrigjuese’ Thaçi-Vujanoviq. Për ironi, mu në ditën ndërkombëtare të pyjeve, më 21 mars, iu dhanë 8.200 hektarë Malit të Zi”, ka shkruar Kurti përmes një statusi në rrjetin social Facebook.

Sipas të parit të Vetëvendosjes, 80 vota nuk do të bëheshin atë ditë pa mashtrim me korrigjim kufiri, ndërkaq, deputetët nuk është turp që të dhonë se janë mashtruar.

“80 vota kurrsesi nuk do t’i bënin atë ditë pa këtë mashtrimin me korrigjim kufiri. Marrëveshja e Podgoricës e pranonte gabimin por mashtronte se do ta korrigjonte atë. Një vit më vonë as që është formuar Trupi i Përbashkët Punues për të cilin thuhej se do ta kthejë kufirin në Çakor e Zhlep e me Bjelluhën brenda Kosovës.

Nuk është turp nëse deputetët thonë se janë mashtruar. Turpi i përket mashtruesit. Mirëpo, nëse cilido pas mashtrimit, për shkak të egos, nuk pranon se ka qenë i mashtruar, atëherë bëhet bashkëfajtor”, ka shkruar ai.

Sipas Kurtit, ratifikimi ishte zdrukthtari e jo demokraci.

Lexo edhe këtë: Vdes një burrë në Kamenicë, traktori e zë përfundi

“Ratifikimi ishte zdrukthtari e jo demokraci. Nga pyjet e atyre 8.200 hektarëve u nxor sall një karrige kryeministri”, përfundoi Kurti.

(Kosova Sot)