Kryeministri Kurti uron 'Ditën Kombëtare të Gjermanisë'

  • A.P /
  • 03 October 2023 - 21:01
Kryeministri Kurti uron 'Ditën Kombëtare të Gjermanisë'

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar sot nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë në ceremoninë e shënimit të Ditës Kombëtare të Gjermanisë.

Në fjalën e tij të rastit, kryeministri tha se janë mbledhur për të festuar dhe nderuar një moment kyç jo vetëm për historinë gjermane, por edhe evropiane.

“Ndarjes e krijuar nga hiri i Luftës së Dytë Botërore dhe të thelluar më tej nga Lufta e Ftohtë, iu dha fund nëpërmjet vendosmërisë së qytetarëve të zakonshëm, diplomacisë së shkëlqyer dhe shtet udhëheqjes së ndershme. Ajo që dikur luftohej me gjakderdhje dhe rrënim, tani është arritur me paqe, 33 vjet më parë pikërisht në këtë datë”, tha ai, njofton ZKM.

Republika e Kosovës dhe populli i saj, tha kryeministri Kurti, kanë qenë ndër përfituesit më me fat të përkushtimit të palëkundur të Gjermanisë për dinjitetin njerëzor, paqen dhe sigurinë. Në këmbim, shtoi më tej ai, ne jemi zotuar dhe kemi punuar pa u lodhur në praktikën e përditshme të ndërtimit, forcimit dhe mbështetjes së unitetit dhe demokracisë në këtë vend.

(Kosova Sot Online)