Profesori boshnjak: Serbia relativizoi krimin dhe mohoi në të njëjtën mënyre gjenocidin në Kosovë, BeH e Kroaci
“Regjimi serb është i karakterizuar kryesisht nga kultura e mohimit,” thotë Nerzuk Curak, profesor i rregullt i Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës, në një intervistë për Autonomija.
Sipas tij, të gjitha autoritetet në Serbi pas vitit 2000 insistuan në kulturën e mohimit. Është e trishtueshme që sot në skenën politike të Serbisë nuk keni një forcë relevante politike që mendon për BeH-në, për luftën kundër BeH-së, dukshëm ndryshe nga ajo që mendon Aleksandar Vuçiq për të.
“Me përjashtim të koalicionit joparlamentar “Serbia në Perëndim”, në mesin e partive opozitare serbe nuk do të gjeni një politikan që do të thotë – Bosnja dhe Hercegovina është një shtet i pavarur dhe sovran, ndaj të cilit Serbia nuk ka aspirata, RS është një provincë brenda BeH, e cila duhet t’i drejtohet Sarajevës si kryeqytet dhe të ndërtojë vendin e saj me qytetarët e tjerë të Bosnje-Hercegovinës. Në vend të kësaj, qytetarët helmohen çdo ditë me histori për shkëputjen e entitetit të RS, që do të thotë banditizëm dhe bandit. Është detyra jonë të përpiqemi të eliminojmë narrativat nacionaliste, regresive të prodhuara nga Milorad Dodik dhe Aleksandar Vuçiq, që mbizotërohen nga gënjeshtra dhe mohimi i së vërtetës historike. Kam frikë se disa faktorë politikë të parëndësishëm në komunitetin ndërkombëtar kanë filluar ta vlerësojnë atë narrativë të rreme. Kjo është pikërisht arsyeja pse ne të gjithë kemi nevojë për një ndryshim paradigme”, thotë ai.
Një nga shembujt tipik të mohimit dhe relativizimit të krimit është masakra në tregun Markale të Sarajevës.
Profesori thotë se Serbia kështu bëri edhe për masakrën e 5 shkurtit 1994 kur Ushtria e Republika Srpska qëlloi me granata në tregun Markale të Sarajevës. Bilanci i krimit: 68 të vdekur dhe 144 të plagosur. Një vit më vonë, më 28 gusht 1995, në një sulm të ri në tregun e Sarajevës, forcat serbe vranë 37 persona dhe plagosën 90. Pas masakrës së dytë, NATO filloi bombardimin e pozicioneve serbe, gjë që çoi në Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe përfundimin e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Periudha e pasluftës u shënua nga një debat publik rreth asaj se nga cila anë granatat vdekjeprurëse u gjuajtën në Markale: nga pozicioni i Ushtrisë së Republikës së BeH-së apo nga kodrat përreth, nga të cilat, për gati katër vjet, Ushtria e Republika Srpska mbajti Sarajevën dhe qytetarët e saj nën rrethim.
Pyetje të ngjashme u bënë pas masakrave në të gjithë ish-RSFJ-në – nga Vukovari dhe Dubrovniku në Mostar, Prijedor dhe Raçko.
Në interpretimet serbe sipas profesorit, kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët e Kosovës vranë dhe granatuan qëllimisht bashkatdhetarët e tyre për t’i paraqitur liderët politikë dhe ushtarakë serbë në publikun ndërkombëtar si vrasës dhe kriminelë.
“Narrativa publike duhet të bazohet në një dënim radikal të gjenocidit dhe krimeve të luftës, që nënkupton një ndërgjegjësim se nga vini, pa i dhënë në asnjë mënyrë hapësirë që gjenocidi të relativizohet me vendimin tuaj politik”.
(Kosova Sot Online)