Vdekja e dyshimtë në burg, nënës dhe avokatëve të Navalnit iu ndalohet hyrja në morg
Gjithnjë e më shumë po shtohen misteret e vdekjes tepër të dyshimtë të liderit opozitar, Aleksei Navalni, në burgun e sigurisë së lartë të Rusisë në Siberi.
Nënës dhe avokatëve të Navalnit iu është mohuar hyrja në morgun ku mbahet trupi i pajetë. Madje njëri prej përfaqësuesve ligjor tha se ishte dëbuar nga drejtuesit e burgut rus, ndërsa stafi refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve lidhur me procedurat pas konfirmimit të vdekjes së 47-vjeçarit.
Aleatët e Navalnit njoftuan se nënës së tij iu tha se trupi i të ndjeri ishte dërguar në qytetin Salekhard, pranë një burgu në Arktik, ku ndërroi jetë papritur.
Bashkëshortja e opozitarit, Julia, do t’u drejtohet sot ministrave të jashtëm europianë në Bruksel. Navalni, po qëndronte në burg pas një dënimi për korrupsion, që janë konsideruar gjerësisht nga perëndimi dhe ekipi ligjor i tij si të motivuara politikisht.
Aleatët e opozitarit besojnë se ai u vra me urdhër të presidentit rus, Vladimir Putin. Për autoritetet e burgut, ai pësoi “sindromën e vdekjes së papritur”.
Navalni i mbijetoi disa vite më parë dhe një helmimi të qëllimshëm. Vdekja e tij u pasua nga protesta dhe ceremoni përkujtimore, gjë e cila hasi në kundështimin e fortë të policisë ruse që ka arrestuar me qindra persona. /A2CNN
(Kosova Sot Online)