Mickoski për incidentin në Aeroport: Na vjen keq dhe nuk duam të përsëritet, presidentja e Kosovës është e mirëseardhur
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski, është deklaruar edhe lidhur me incidentin e presidentes Osmani në aeroport, transmeton "Kosova Sot Online".
Mickoski tha se kur ka fluturime komerciale procedurave i nënshtrohet edhe ai.
“Sipas informacioneve që i kemi nga personat zyrtarë të aeroportit është se ndiqen standarde të qarta dhe procedura ndërkombëtare kur kemi fluturime komerciale, dhe se këtyre procedurave i nënshtrohem edhe unë si kryeministër i Maqedonisë, presidentja e Maqedonisë dhe të gjithë personat zyrtarë që kalojnë pjesën VIP, edhe pse dua të them se unë atë nuk e përdor.”
Ai shtoi se i vjen keq për rastin dhe se nuk dëshiron që të përsëritet.
“Na vjen keq dhe nuk duam të përsëritet. Unë personalisht theksova se presidentja e Kosovës është e mirëseardhur si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës dhe radhën e ardhshme, nëse marr informatë në kohë, do të kem kënaqësi ta pres si nikoqir në aeroportin e Shkupit dhe ta shoqërojë në kohën që do ta kalojë në aeroportin e Shkupit që t’u shmangemi këtyre incidenteve dhe sjelljeve të individëve që është problemi ynë i brendshëm që do ta zgjidhim brenda shtetit tonë”, tha ai.'
(Kosova Sot Online)