Avokati i Popullit: Ka vetëdije të ulët institucionale për evidentimin e rasteve të diskriminimit

  • A.P /
  • 11 December 2024 - 13:59
Avokati i Popullit: Ka vetëdije të ulët institucionale për evidentimin e rasteve të diskriminimit

Avokati i Popullit, të mërkurën ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës Raportin vjetor 2023 për zbatimin e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Raporti, sipas Avokatit të Popullit, thekson disa probleme kryesore, përfshirë vetëdijen e ulët institucionale “për domosdoshmërinë e mbledhjes së të dhënave dhe evidentimit të rasteve të diskriminimit”.

“Mungesën e disa nga hallkat themelore të sistemit të përgjithshëm të parandalimit dhe mbrojtjes kundër diskriminimit. Mungesën e zbatimit të procedurave kundërvajtëse për rastet e diskriminimit. Zbatimin e mangët të Ligjit nga gjykatat”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit ndër të tjera ka theksuar se mungesa e dëshmive institucionale për shkeljet e Ligjit nuk pasqyron domosdoshmërisht gjendjen reale, “pasi raportimet dhe ankesat për diskriminim në sektorin publik dhe privat mbeten të shpeshta”.

“Raporti përfshin gjashtë rekomandime konkrete dhe praktike, të cilat synojnë përmirësimin e zbatimit të ligjit dhe garantimin e një mbrojtjeje më efektive ndaj diskriminimit”.

Ky raport është i mbështetur nga Këshilli i Evropës.

(Kosova Sot Online)