Gjykata refuzon kërkesën për arrest, lirohet Gëzim Sveçla

  • A.P /
  • 11 December 2024 - 14:14
Gjykata refuzon kërkesën për arrest, lirohet Gëzim Sveçla

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj shefit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në njoftim e Gjykatës thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së arrestit shtëpiak dhe i pandehuri lirohet të mbrohet në liri.

“Gjykata pas dëgjimit të palëve dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, konstatoi se kërkesa për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurin G.S. është e pabazuar dhe shkon përtej qëllimit të masave për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë, pengimin e rikryerjes së veprës penale dhe për zbatimin e suksesshëm të procedurës dhe meqenëse nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e masës së propozuar dhe as të ndonjë mase tjetër më të butë, gjykata vendosi që i pandehuri G.S. të mbrohet në liri”, thuhet në njoftim.

Në njoftim theksohet se qëllimi i masave të parapara në nenin 171 të Kodit të Procedurës Penale, është sigurimi i pranisë së të pandehurve në procedurë, pengimi i rikryerjes së veprës penale dhe zbatimi i suksesshëm i procedurës, dhe se këto masa nuk paraqesin ndëshkim për personin e dyshuar për kryerjen e një vepre penale.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me datë 09.12.2024 rreth orës 10:45, në sallën e Kuvendit të Komunës së Prishtinës, në momentin që anëtarët e Kuvendit të Komunës largohen nga salla për një pushim (pauzë), i pandehuri G.S anëtar i Kuvendit të Komunës së Prishtinës, me qëllim të ndërprerjes së seancës së Kuvendit të Komunës, e që si pikë e rendit të ditës ishte edhe miratimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2025, me dashje e ka dëmtuar pasurinë e personit tjetër respektivisht pronën publike (mikrofonin) e vendosur tek tavolina e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës, me ç’ rast të dëmtuarës Kuvendit të Komunës së Prishtinës i ka shkaktuar dëm material”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.


(Kosova Sot Online)