Gjithçka rreth arinjve polarë

  • 13 December 2018 - 09:02
Gjithçka rreth arinjve polarë

Ku jetojnë arinjtë polarë?

Në Polin e Veriut, në zonat ku mund të ushqehen me foka në zgavrat e akullit, arinjtë polarë jetojnë në pesë shtete: SHBA (Alaskë), Kanada, Rusi, Grenlandë (Danimarkë) dhe Norvegji. Arinjtë polarë nuk jetojnë në Antarktik, kurse pinguinët po.

A janë të rrezikuar arinjtë polarë?

Ekspertët që studiojnë këto kafshë besojnë se ato janë të rrezikuara. Ata besojnë se, nëse Arktiku vazhdon që të ngrohet për shkak të ndryshimeve klimatike, deri në vitin 2030 mund të zhduken dy të tretat e numrit të përgjithshëm të arinjve polarë në botë.

Zhdukja e shpejtë e akullit të detit është kërcënimi kryesor për zhdukjen e arinjve polarë. Ndër rreziqet e tjera duhet përmendur ndotjen, gjuetinë pa leje dhe industrinë. Nëse nuk rregullohet me ligj edhe gjuetia mund të bëhet e rrezikshme për zhdukjen e tyre.

Sa arinj polarë ekzistojnë?

Shkencëtarët mund të sjellin vetëm të dhëna të përafërta. Në vitin 2008, kërkuesit shkencorë kishin vlerësuar se ekzistonin 20.000 deri 25.000 arinj polarë.

Sa të mëdhenj janë ata?

Shumë të mëdhenj! Meshkujt e rritur kanë një gjatësi prej 2.5 deri 3 metra dhe mund të peshojnë nga 250 deri në 770 kilogramë. Femrat e rritura kanë një gjatësi prej 1.8 deri 2.5 metrash dhe kanë një peshë prej 90 deri 320 kilogramë. Ariu më i madh polar që është matur ndonjëherë, ka pasur 1000 kile.

Si mund të mbijetojnë arinjtë polarë në akullnajat e Arktikut?

Arinjtë polarë janë të bërë për të jetuar në atë ambient! Atyre u pëlqen klima e atjeshme, edhe pse temperaturat gjatë dimrit mund të ulen deri në -45º C. Arinjtë polarë kanë dy shtresa leshi dhe një shtresë dhjami, e cila i mbron ata nga humbja e nxehtësisë. Në fakt, ata kanë më shumë problem nga temperatura e lartë e trupit, sidomos kur vrapojnë, sesa nga të ftohtit.

Shputat e tyre kanë disa formacione që quhen papilla, e të cilat u ndihmojnë atyre që të mos rrëshqasin në akull. Shqisa e të nuhaturit është shumë e zhvilluar te këto kafshë, saqë ato mund ta ndiejnë erën e një foke nën akull me kilometra të tëra larg. Po ashtu, kthetrat e tyre janë aq të fuqishme, saqë mund të nxjerrin pa problem nga uji foka me peshë prej 40-90 kg.

Çka hanë arinjtë polarë?

Çka të duan! Por, fokat janë ushqimi i tyre i preferuar. Ndonjëherë, ata hanë edhe lopë deti, apo balena. Në raste të veçanta, ata mund të ushqehen edhe me shpezë të ndryshme, me vezë, leshterik, etj. Kur ka shumë foka, arinjtë polarë i hanë vetëm ato më të trashat.

Sa jetojnë arinjtë polarë?

Në ambient të egër, arinjtë polarë jetojnë mesatarisht 15 deri 18 vjet, përkundër faktit se biologët kanë gjetur disa arinj polarë të vjetër deri mbi 30 vjet. Nën përkujdesjen e njerëzve, ata jetojnë deri në vitet e 30-ta të jetës së tyre. Debi, një ari polar në një kopsht zoologjik të Kanadasë, kishte jetuar 42 vjet.

Sa këlyshë pjellin arushat polare?

Binjakët janë më të shpeshtit, por arushat polare mund të pjellin edhe vetëm një, a tre këlyshë. Lindja e parë ndodh kur arusha ka midis 4 dhe 8 vjet. Arushat polare pjellin vetëm mesatarisht pesë herë gjatë jetës së tyre, duke pasur kështu shkallën më të ulët të numrit të pjelljeve në mesin e gjitarëve.

Kur dhe ku lindin këlyshët e arinjve polarë?

Ata lindin në nëntor, a dhjetor, në shpellat e borës, të quajtura strofuj të maternitetit. Pasi që të jenë ushqyer me tepricë gjatë prillit dhe majit, femrat që kanë ngelur me barrë bëjnë një gropë (strofull) në fund të tetorit, a në fillim të nëntorit. Vendi i ndodhjes së këtyre strofujve është i tillë që të mos rrezikohen të vegjlit.

A bëjnë arinjtë polarë gjumë dimëror?

Jo në kuptimin e ngushtë të fjalës. Arinjtë që bëjnë gjumë dimëror, gjatë kësaj kohe, kanë të rrahura të zemrës dhe temperaturë më të ulët dhe zakonisht qëndrojnë për një kohë më të gjatë në strofull. Në vend të kësaj, arinjtë polarë bëjnë një të ashtuquajtur gjumë dimëror në ecje e sipër, me ç’rast vjen deri te ulja e metabolizmit të tyre. Vetëm arushat shtatzëna hyjnë në strofuj, lindin dhe dalin nga aty pas tre muajsh.

A kanë arinjtë polarë ndonjë armik?

Vetëm njerëzit mund të rrezikojnë arinjtë polarë, natyrisht edhe ata mund ta rrezikojnë njëri-tjetrin. Disa shkencëtarë besojnë se mungesa e ushqimit ka nxitur paraqitjen e dukurisë së kanibalizmit në mesin e arinjve polarë, dukuri që është hasur edhe më parë, por rrallëherë. 

 

(Kosova Sot)