Libri i ri shkollor i diktatorëve

Libri i ri shkollor i diktatorëve
  • 14 November 2017 - 09:22

Shkruan: Fareed Zakaria

L ajmet që erdhën nga Arabia saudite ishin befasuese. Një vend i njohur për stabilitetin e tij, të barabartë me ngecje, sheh një princ 32 -vjeçar të kurorës duke arrestuar të afërmit e tij, duke ngrirë llogaritë e tyre bankare dhe duke i shkarkuar ata nga postet kyçe. Por, nëse gjërat shikohen më për së afërmi, nuk ka arsye për befasi. Mohammed bin Salman është tani duke e aplikuar në Arabinë Saudite atë që është bërë standardi i ri për diktatorët në mbarë botën. Kjo formulë ishte përsosur nga Vladimir Putin, pasi ai erdhi në pushtet në Rusi. Së pari, i zmadhon kërcënimet e jashtme në mënyrë që vendi të bashkohet në mbrojtje të regjimit, duke i dhënë atij fuqi të jashtëzakonshme. Putini e bëri këtë me Luftën e Çeçenisë dhe me rrezikun nga terrorizmi. Më pas, lufto qendrat rivale të ndikimit brenda shoqërisë, gjë që në rastin e Rusisë, nënkuptonte oligarkët - të cilët asokohe ishin më të fortë edhe se vet shteti. Më pas, u fol rreth nevojës për t'i dhënë fund korrupsionit, për të bërë reforma në ekonomi dhe për të sjellë përfitime për njerëzit e thjeshtë. Putini arriti sukses në këtë front kryesisht për shkak të katërfishimit të çmimit të naftës gjatë dekadës së kaluar. Përfundimisht, kontrollo mediat me anë të metodave formale dhe joformale. Derisa në vitin 2000 Rusia kishte media të lira, tani ato gjenden nën një kontroll të ngjashëm me atë të BRSS-së. Natyrisht, jo të gjitha elementet e kësaj formule mund të aplikohen kudo. Ndoshta princi i kurorës do të dalë të jetë reformator. Por, formula për sukses të cilën është duke e ndjekur ai, është e ngjashme me atë që është përdorë në vendet aq të ndryshme, sikur që janë Kina, Turqia dhe Filipinet. Liderët e këtyre vendeve kanë përdorë përbërësit e njëjtë - nacionalizmin, rreziqet nga jashtë, anti-korrupsionin dhe populizmin - për ta forcuar pozitën e tyre në pushtet. Aty ku gjyqësori dhe mediat shihen si pengesa të autoritetit të papenguar të një sundimtari, ato dobësohen në mënyrë sistematike.

Diktaturat e centralizuara klasike

Në librin e tij të vitit 2012, "The Dictator's Learning Curve", William J. Dobson shpjegon se, soji i ri i diktatorëve në botë, ka mësuar një seri marifetesh për ta mbajtur kontrollin, të cilat janë shumë më të mençura dhe më të sofistikuara sesa ato në të kaluarën. "Në vend të arrestimit të dhunshëm të pjesëtarëve të grupeve për të drejtat e njeriut, despotët më të suksesshëm të ditëve tona angazhojnë mbledhësit e taksave, apo inspektorët sanitarë për të shuar grupet disidente. Ligjet janë duke u shkruar me të madhe, e më pas përdoren si bisturi për të sulmuar grupet e caktuara, të cilat qeveria i sheh si kërcënim". Dobson citon një aktivist nga Venezuela, i cili e shpjegonte llojin e patronazhit dhe persekutimit selektiv të Hugo Chávez'it, me fjalët: "Për miqtë e mi gjithçka, për armiqtë - ligji". Diktaturat e centralizuara klasike ishin fenomen i shekullit XX. "Diktatorët modernë punojnë në një spektër më të dykuptimtë, i cili ekziston midis demokracisë dhe autoritarizmit", shkruan Dobson. Ata i ruajnë format e demokracisë - kushtetutat, zgjedhjet, mediat - por ua marrin atyre çdo domethënie. Ata mundohen ta mbajnë shumicën të kënaqur, duke përdorë patronazhin, populizmin dhe rreziqet nga jashtë, për ta ruajtur solidaritetin kombë- tar dhe popullaritetin e tyre. Natyrisht, nacionalizmi i fryrë mund të dalë jashtë kontrollit, sikur që ka ndodhur në Rusi dhe mund të ndodhë në Arabi, vend i cili aktualisht është i angazhuar në një luftë të ashpër, të ftohtë, kundër Iranit, përpos një lufte tepër të nxehtë në Jemen.

 

Nacionalizmi i zhveshur

 Megjithatë, Dobson e përmbyll librin e tij me optimizmin se, në shumë vende, popujt janë duke rezistuar dhe duke i mposhtur diktatorët. Por, ajo çka ka ndodhur prej se ai e ka shkruar librin e tij, është dëshpëruese. Në vend që despotët të ndikoheshin nga demokratët, janë demokratët ata që kanë filluar të mësojnë nga despotët. Ta marrim shembullin e Turqisë, një vendi i vili në fillim të viteve 2000 dukej i vendosur në rrugën drejt demokracisë dhe liberalizmit, i udhëhequr nga dëshira që të bëhej vend i plotë anëtar i BE-së. Sot, sundimtari i këtij vendi, Recep Tayyip Erdogan, ka larguar thuajse të gjitha pengesat ndaj një kontrolli total. Ai ka paaftësuar ushtrinë dhe burokracinë, ka futur taksa të ndryshme kundër kundërshtarëve të tij në media dhe ka shpallur një grup potencial opozitar, Gylenistët, si terroristë. Edhe sundimtarët e Filipineve dhe Malajzisë duket se janë duke kopjuar nga i njëjti libër. Kjo nuk është pasqyra e demokracisë kudo, por këto tendenca mund të vërehen në zona të largëta dhe të ndryshme të botës. Në vendet sikur India dhe Japonia, të cilat në shumë aspekte mbesin vende demokratike, ka elemente të këtij sistemi të ri - nacionalizmi i zhveshur dhe populizmi, si dhe masat gjithnjë e më të shpeshta për të frikësuar dhe neutralizuar shtypin e lirë. Nga ana e tij, presidenti Trump ka kërcënuar NBC, CNN (ku punoj unë) dhe mediat e tjera me forma të ndryshme të veprimeve qeveritare. Ai ka sulmuar gjykatësit dhe agjencitë e pavarura. Ai ka shpërfillur normat e kahershme demokratike. Prandaj, ndoshta edhe në SHBA disa njerëz janë duke lëvizur në këtë drejtim të rrezikshëm.

(Kosova Sot)