Pse amerikanët nuk mund të heqin dorë nga Hillary Clinton-i? - Opinione - Kosova Sot
Pse amerikanët nuk mund të heqin dorë nga Hillary Clinton-i?

Pse amerikanët nuk mund të heqin dorë nga Hillary Clinton-i?

AMERIKANËVE U PËLQEN IDEJA E FEMRAVE TË TALENTUARA DHE AMBICIOZE

Askush nuk e ka zbuluar formulën precize, e cila do ta bënte një femër mjaft të pranueshme për shumicën e amerikanëve

Fati i Hillary Clinton-it është i ngjashëm me atë të pjesëtarëve ambiciozë të çdo grupi, historikisht jo të përfaqësuar sa duhet. Aftësia e tyre për të tejkaluar pengesat e shumta përdoret si dëshmi se vendi është i drejtë dhe i barabartë, përderisa ata nuk ngritën aq lart

Dy anketa, në shikim të parë kontradiktore, të bëra nga "Gallup Poll" tash së fundmi, përmbledhin atë çka dmth të jesh një grua në SHBA, që merr guximin të shkojë atje ku më parë kanë shkuar vetëm burrat: amerikanëve iu pëlqen ideja e femrave të talentuara dhe ambicioze, të cilat kanë tejkaluar pengesat, por realiteti ku një femër merr një post politik, sidomos duke mposhtur një mashkull, nuk është aq e mirëpritur nga ta. Sipas një ankete të bërë nga "Gallup" në fillim të dhjetorit, shkalla e favorizimit të Hillary Clinton-it kurrë nuk ka qenë më e ulët, pasi ka rënë në vetëm 36%, më shumë se një vit pasi ajo humbi garën presidenciale kundër një njeriu i cili nuk kishte aftësi të dukshme për këtë post. Por, në një anketë tjetër të bërë nga "Gallup Poll", të bërë vetëm disa javë më vonë, ajo u shpall femra të cilën amerikanët e admirojnë më së shumti, për të 16-tën herë me radhë.

Averzion shqetësues

Del se Hillary është viktimë e një mallkimi, i cili prekë shumë femra në Amerikën e shekullit XXI: amerikanët e admirojnë atë, por nuk është se e duan edhe aq. Ne shpesh dhe në vazhdimësi zgjedhim dhe angazhojmë meshkuj që të na udhëheqin në nivelet më të larta edhe nëse nuk i duam ata, edhe nëse ata janë të pagdhendur dhe të pakualifikuar. Por për femrat që pretendojnë postet më të larta, talenti nuk mjafton, sikur që nuk mjaftojnë as të arriturat e tyre. Dhe, deri më tani askush nuk e ka zbuluar formulën precize e cila do ta bënte një femër mjaft të pranueshme për shumicën e amerikanëve, me qëllim të përfundimit të periudhës së turpshme amerikane, gjatë së cilës asnjëherë në krye të vendit nuk ka qenë një femër. Ky averzion shqetësues tregon edhe pse, gati një shekull pasi që femrat fituan të drejtën e votës, kemi kaq pak femra në postin e guvernatorit dhe senatorit, por edhe në postin e shefit ekzekutiv të 500 kompanive më të dalluara. Për këtë shkak Donald Trump, me një mbështetje të ulët rekord historik, qëndron në Zyrën ovale si personi më i pushtetshëm në botën e lirë dhe konsiderohet njeriu i dytë për nga admirimi - pas vetëm Barack Obama-s, një vit pasi që i mbaroi mandati, i cili përkundër kësaj, doli fitues edhe në anketën e sivjetme të "Gallup Poll", për të dhjetën herë me radhë. 

Një betejë unike për femrat

Një tregues edhe më i rëndësishëm është pozita e Hillary Clinton-it, krahasuar me atë të burrit të saj, i cili këtë vit gëzon një mbështetje prej 45%, një rënie nga 50% sa ishte vitin e kaluar. Kështu është kjo. Në epokën e "#MeToo" - kur një senator demokrat sikur Al Franken, i pëlqyer si nga meshkujt, po ashtu edhe nga femrat, mund të detyrohet që të japë dorëheqje nga senati, për shkak të akuzave se kishte 'ledhatuar' femra para se ta merrte postin - Bill Clinton vazhdon që të preferohet më shumë sesa Hillary Clinton, përkundër faktit se ai ishte akuzuar për sulm seksual para se të bëhej president dhe për abuzim të pushtetit të tij derisa kishte një raport ilegal me një praktikante të Shtëpisë së Bardhë, derisa ishte president. Në një aspekt, fati i Hillary Clinton-it është i ngjashëm me atë të pjesëtarëve ambiciozë të çdo grupi, historikisht jo të përfaqësuar sa duhet. Aftësia e tyre për të tejkaluar pengesat e shumta përdoret si dëshmi se vendi është i drejtë dhe i barabartë, përderisa ata nuk ngritën aq lart, sa për ta shqetësuar status quo-në dhe fillojnë të bëhen simbol i ndryshimeve reale. Por, në një aspekt tjetër, këto gjetje të "Gallup"-it ilustrojnë një betejë unike për femrat, duke pasur parasysh se Obama qe në gjendje që ta fitonte presidencën dy herë dhe të mbetet i pëlqyer; në fund të fundit, ai është mashkull. Të arriturat e tij, thyerëse të 'status quo'-s, nxitën kundërshtimin i cili na e solli presidentin Trump. Por, Hillary Clinton - sikur edhe femrat para saj - nuk ia ka dalë që ta tejkalojë pengesën më të lartë. Kur Hillary Clinton ishte senatore, ajo lavdërohej nga të tjerët për inteligjencën e saj, për njohuritë e gjera rreth çështjeve, aftësisë dhe gatishmërisë për të tejkaluar linjat partiake. Ajo ishte e pëlqyer, por ishte vetëm njëra nga 100 të pranishmit në dhomë. Amerikanët e pëlqyen atë edhe në postin e sekretares së shtetit, por shefi i saj ishte mashkull. Ngritja e Clinton-it, ose të çdo femre tjetër, në një post ku çdo mashkull do të duhej t'i raportonte asaj, ka qenë deri më tani një pengesë tepër e lartë për tërësinë e historisë amerikane. Ne duhet të turpërohemi për këtë shkak. 

(Issac Bailey është profesor i politikave publike në Kolegjin "Davidson")

(Kosova Sot)  

12 orë e 15 minuta më parë
11/12/18