Pse po shkulet universiteti - rrënjët e dijës sonë kombëtare?

Pse po shkulet universiteti - rrënjët e dijës sonë kombëtare?
  • 12 February 2018 - 07:56

Vendimi për ndërtimin e një xhamie gjigante në qendër të Prishtinës

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Themelet e Universitetit të Kosovës u ndërtuan me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të Kosovës e ato nuk shkatërrohen. Ku janë studentët që nuk revoltohen? Ku janë bijtë e shqipes që nuk ia kanë pasur frikën Rankoviqit e as Millosheviqit ? Mos u bëni shërbëtorë të politikës ditore, se nesër do të bëhet vonë! Liderët shkojnë e vijnë, kurse atdheu sot e ka nevojën tuaj!

Vendimi për shkatërrimin e Universitetit dhe ndërtimin e një xhamie gjigante në të njëjtin vend, në qendër të Prishtinës, është akt i gabuar dhe antikombëtar. Kudo në botën e civilizuar ruhet trashëgimia kulturore e te ne, shqiptarët, ajo jo që nuk ruhet, por edhe me vetëdije të plotë e çrrënjosim. Moskujdesi dhe çrrënjosjet e qëllimshme të trashëgimisë sonë, është një fakt i pakontestueshëm se Kosova kurrë nuk duhet të jetë anëtare e UNESCO, sepse ne nuk e meritojmë. Sepse ne, edhe ato objekte, të cilat nuk ka mundur t'i shkatërrojë koha, i shkatërrojmë vetë.

Darka e helmuar

Darka e shtruar në Hajvali, ku u grumbulluan të gjithë ministrat, përveç Fatmir Limës, ishte një darkë e helmuar me një lloj helmi që efektin e ka të vonshëm. Në fakt, të gjitha krimet e përkryera bëhen me lloje të helmeve që veprojnë pas disa kohës ku askush nuk dyshon në kriminelin, duke menduar në vdekje të natyrshme. Në darkën që u shtrua në Hajvali nuk ishte një kriminel, por një grup kriminelesh që bashkërisht kohë më parë kishin përgatitur në laboratorët e tyre, të gjitha llojet e helmeve duke e përzgjedhur më të fortin që vdekja e shtetësisë sonë kombëtare të vinte ngadalë e pa u hetuar se nga kush po na vinte fundi tragjik i një populli të tërë. Në këtë darkë u vendos zyrtarisht tragjedia jonë kombëtare - shkulja me themele e Universitetit të Kosovës dhe ndërtimi i një xhamie më pesë minare të larta për t'iu afrua Perëndisë, si dukur babilonasit, të cilët tentuan të ndërtonin një kullë deri të Zoti. Projekte të tilla të turpshme vetëm e vetëm për të zhvatur para nga djersa e popullit, u bënë shumë gjatë historisë, por një marrëzi të ngjashme e bëri një satrap nga Afrika, i cili para disa vitesh e ndërtoi Vatikanin në qendër të shkretëtirës identik siç është në Romë. Kjo ndërtesë imitim i Vatikanit ende qëndron në shkretëtirë pa asnjë katolik për t'iu lutur Perëndisë. Vendimi për të ndërtuar një xhami identik si ajo në Mekë, është marrëzi dhe akti më kriminel bashkëkohor i sofistikuar. Kurrë në jetën time nuk e kam imagjinuar se ne shqiptarët jemi autodestruktiv. Gjithnjë kam menduar se trashëgiminë tonë kulturore e kanë shkatërruar qëllimisht armiqtë e shumtë që na pushtonin, shkatërronin e shkonin, për të mos lënë gjurmë se dikur ky vend ishte i banuar më shqiptarë. Vetëm këto 18 vitet e fundit po e vërej se fajet për humbjen e gjurmëve tona i paskemi bërë ne vetë shqiptarët. 

A po kthehet Kosova në Mesjetë?

Askush në Kosovë nuk është kundër ndërtimit të një xhamie. Mirëpo të shkatërrohen themelet e Universitetit e në vend të tyre të ndërtojmë xhami, është kthim në Mesjetë. Më qëllime të caktuara janë bërë plane antishqiptare nga shërbimet sekrete ortodokse panssllave që Kosova të mbetet mollë sherri e përjetshme. Ndërtimi i xhamisë përballë kishës ortodokse serbe në një të ardhme të largët do të jetë helm për të infektuar popullsinë tonë. Tri kulte fetare në një oborr, nuk do të jetë simbol i unifikimit, por i ndarjes. Në asnjë popull në popull në botë, përveç shqiptarëve dhe palestinezëve, nuk ekziston popull me fe të ndryshme antagoniste. Kjo ndarje fetare është treguesi më i mirë se ne shqiptarët shkojmë kah të frynë era. Bota e civilizuar perëndimore ka shkuar shumë përpara si në shkencë, filozofi e në çdo fushë. Besimi fetar që dominonte dikur kur kisha shiste bileta për të shkuar në Parajsë nuk u besojnë më qytetarët bashkëkohorë. Kisha e ka rinovuar sistemin për t'iu përshtatur jetës moderne, mirëpo në kultet fetare gjigante shumë pak shkojnë qytetarët. Këto kulte tani shërbejnë si muze dhe janë krenaria e qytetërimit arkitektural. Këto kulte religjioze ruhen me xhelozinë më të madhe dhe janë nën përkujdesje të shtetit ku çdo gurë e çdo dërrasë evidentohet. Kishat e mëdha e të pafrekuentuara shitën me çmimin simbolik vetëm për një euro. Bota shkon përpara e vetëm ne shqiptarët shkojmë 500 vjet mbrapa. Kush na ka faj? Kush na ka faj që vetë ne nga shekulli XXI po shkojmë drejt errësirës?

Ku është revolta e rinisë studentore?

Më 1968 rinia studentore u ngrit për flamurin kuq e zi që lirshëm të valonte në trojet shqiptare të okupuara. Për këtë flamur ranë në altarin shumë të rinj të asaj gjenerate, e ne mesin e tyre Murat Mehmeti që sot ia kanë harruar edhe emrin. Më 11 mars 1981, studentët u revoltuan duke u ngritur para tankeve të armikut pa asnjë frikë. Kërkonin kushte më të mira dhe Republikë. Shumë u vranë! Shumë u plagosën! Shumë vuajtën dënime drakoniane, por gjaku i rinisë sonë nuk e duronte padrejtësinë dhe u ngritën në protesta masive. Më vonë Unioni i Studentëve në krye me Bujar Dugollin, Muhamet Mavrajn e të tjerë u ngritën kundër politikës ditore të shqiptarëve dhe kundër politikës shoviniste millosheviqiane. U ngritën për t'i treguar botës realitetin që pësonte populli ynë. Ku janë studentët që sot protestojnë për shkarkimin e Rektorit Marjan Demajt pa asnjë nevojë e nuk protestojnë kundër vendimit të Komunës për shkatërrimin total të Universitetit të Kosovës? Të ngrihesh për rrëzimin e rektorit është revoltë politike e financuar nga një parti politike. Të ngrihesh për t'i ruajtur vlerat kombëtare është nder dhe krenari kombëtare. Në themelet e Universitetit të Kosovës pushojnë shpirtrat e dijes sonë kombëtare. Në hapësirat e Universitetit ende jeton fryma dhe zëri i Ali Hadrit, Ejup Statovcit e shumë e shumë profesorëve nga Kosova e Tirana që nga ky vend, nga këto foltore i shpërndanin rrezet e lirisë që ne sot të jemi të lirë. Themelet e Universitetit të Kosovës u ndërtuan me gjakun e bijve dhe bijave më të mira të Kosovës e ato nuk shkatërrohen. Ku janë studentët që nuk revoltohen? Ku janë bijtë e shqipes që nuk ia kanë pasur frikën Rankoviqit e as Millosheviqit ? Mos u bëni shërbëtorë të politikës ditore, se nesër do të bëhet vonë! Liderët shkojnë e vijnë, kurse atdheu sot e ka nevojën tuaj! 

Atë që nuk ka mundur ta bëjë Serbia, po e bëjnë shqiptarët

Kur shqiptarët e fituan shkollimin, serbët thoshin që shqiptarëve ua keni dhënë topin. Topi asokohe konsiderohej më i dëmshëm se pushka. Kur e fituam Universitetin, serbët thanë ua keni dhënë pavarësinë. Për të fituar Universitetin është dashur të derdhej shumë gjak, sepse Universiteti ishte çerdhe e ngritjes së vetëdijes kombëtare. Luftëtar mund të bëhet secili, por të ruaj fitoren e luftës nuk e bën secili. Fitorja ruhet më personalitete të dijës e mbrohet me luftëtarë e lirisë. Gjatë tri viteve të para të çlirimit të Kosovës nga forcat serbe, ne kishim simpatinë e shumë shteteve të botës. Imazhi i Kosovës shumë shpejt filloi të dobësohej. Aktualisht, Kosova gjendet në një rrezik të madh. Makineria propagandistike antishqiptare e Serbisë gjithnjë është në lëvizje. Ata thonë se shqiptarët janë ende barbarë që veprojnë sipas ligjeve të Kanunit. Ne këtë teori të tyre po e konfirmojmë duke tentuar të shfuqizojmë Tribunalin Special. Shfuqizimi është prove se shqiptarët i bindën drejtësisë kanunore e jo ligjeve. Heqja dorë nga shfuqizimi i Speciales nuk është vullnet i tre liderëve tanë, por është rezultat i euroamerikanëve, të cilët ua kanë shtrënguar burmet shefave tanë. Propaganda serbe antishqiptare thonë se ne jemi islamistë radikalë dhe të rrezikshëm për Evropën, ne po e konfirmojmë me shkuarjen në luftën e Sirisë dhe ndërtimin e xhamive në çdo rrugë e rrugicë të Kosovës, e madje arkitekturën e Mekës së Arabisë po e sjellim në qendër të Prishtinës. A po mendoni se ndërtimi i xhamisë në qendër të Prishtinës është vetëm për përfitime materiale?! Jo. Ndërtimi i xhamisë ka pasoja të rrezikshme të më vonshme. Ndërtimi i xhamisë është një bombë e kurdisur në zemër të shqiptarisë. Serbia mund të propagandojë çfarë të dojë, por kur ne vetë veprojmë është autodestrukcion. Jam i vetëdijshëm se më këtë shkrim do t'i shkatërroj të gjitha relacionet shoqërore me disa personalitete politike, sikur që jam i bindur se ky shkrim do të mbetet testament i objektivitetit tim që nuk i ndryshoj qëndrimet për interesa të politikës ditore. 

(Kosova Sot)