Politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar ta shesin atdheun!

Politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar ta shesin atdheun!
  • 13 February 2018 - 08:01

Ndarja, zgjidhja më e keqe e problemit të Kosovës

SHKRUAN: ENVER BYTYÇ

Nëse nuk krijohet një organizim i fuqishëm, që të tronditë nga themelet estabilishmentin politik të sotëm, që veç interesave të ngushta të veta nuk përfaqëson asgjë tjetër, atëherë duhet të përgatitemi që edhe atë territor, që do të mbetet mbas ndarjes së Kosovës, t'ia falim djallit, sepse më duket se nuk do të mbetet këmbë shqiptari idealist e atdhetar në këto troje

Prej gati 20 vjetësh kam elaboruar në punimet e mia temën e ndarjes, përkatësisht të mosndarjes së Kosovës. Kam shkruar me dhjetëra e dhjetëra komente e analiza si dhe qindra faqe libri për këtë temë, duke vënë në dukje faktin se "Ndarja është e dëmshme, e rrezikshme dhe zgjidhja më e keqe e problemit të Kosovës"! E megjithatë nuk janë komentet, opsionet, kundërshtitë verbale e të shkruara ato që përcaktojnë zhvillimet në një vend, në një rajon apo më gjerë, në plan global. Zgjidhjet dhe moszgjidhjet, e drejta dhe e padrejta, e vërteta dhe gjysmë e vërteta, apo gënjeshtra, rikonstruktohen bazuar në disa parametra tjerë, të cilët përbëjnë atë që quhet gjeopolitikë, ekuilibër gjeopolitik, apo strategji globale, rajonale ose kontinentale. Kosova përbën një rast si ky, ku interesat e Fuqive të Mëdha janë të ndryshme. Investimi i NATO-s dhe SHBA-së për të mundësuar lindjen e shtetit më të ri në Evropë nisi me një ngërç. Te Ura e Mitrovicës forcat franceze vendosën në qershorin e vitit 1999 kufirin real midis shqiptarëve dhe serbëve. Ndërkaq "patriotët" e mëdhenj që "i mbijetuan" luftës për çlirimin e Kosovës, ata që politikisht e "udhëhoqën" këtë luftë dhe sot janë në krye të shtetit të Kosovës, ishin të zënë me "plaçkën e kësaj lufte", nuk e "patën mendjen" te territori dhe integriteti territorial i Kosovës. Çliruan me ndihmën e NATO-s oborrin e shtëpisë së babës dhe menduan se kufijtë e Kosovës përfundojnë aty, të çezma pranë derës së këtij oborrit! Ai burri me mend, që mund ta orientonte politikën ndryshe, ishte në Francë, sepse nuk kishte garanci për jetën e tij për t'u kthyer në Kosovë. Për pasojë u shpërngulën nga serbët në ikje e të frikësuar jo pak, por rreth 20 mijë shqiptarë nga veriu i Mitrovicës dhe komunat e tjera në veri të vendit. Edhe sot e kësaj dite këta shqiptarë, që lanë pasuritë e tyre në veri, nuk guxojnë të rikthehen në shtëpi e të gëzojnë pasuritë e tyre! Ndërsa Beogradi për këta të Prishtinës do të kishte sjell në Kosovë edhe nja 200 mijë serbë jo të Kosovës nga Nishi, Kragujevaci, Rashka e zonave të tjera të "shkretëtirës" serbe! Fatmirësisht ata vetë nuk duan ta ndërtojnë jetën në Kosovë. Ndryshe, nga 10 për qind, serbët do të shkonin në 20 e 30 për qind të popullsisë së vendit dhe politikanët e korruptuar e të inkriminuar në Prishtinë e në Tiranë do ta shisnin këtë si një "histori suksesi"! 

Na grabitën pasuritë e nuk na japin as rrogat për punën që bëjmë e përsëri i duartrokasim si në Phenian

Tani shqiptarët në Kosovë janë para faktit të kryer. Politikanët e inkriminuar dhe të korruptuar janë pajtuar që "ta shesin atdheun". Ata provuan t'i bëjnë të gjitha dhe ne shqiptarët heshtëm. Na vodhën, na lanë të uritur e të rraskapitur, e ne i duruam! Na poshtëruan si qenie njerëzore e madje intelektuale e akademike dhe përsëri u shkuam nga mbrapa si delet! Na grabitën pasuritë e nuk na japin as rrogat për punën që bëjmë e përsëri i duartrokasim si në Phenian! Na shajnë, na fyejnë, na poshtërojnë e prapë ne u buzëqeshim! Na morën erzin e na bënë që të mos na lënë të lirë në vendin tonë, në kontinentin tonë, të cilit i përkasim, e përsëri ne u bëjmë dauanë. Duke denigruar moralisht, politikisht dhe energjitikisht subkoshiencën kombëtare tonën, këta politikanët tanë hajdutë, kriminelë, drogaxhi, grabitës të pronave qytetare e publike, këta njerëz pa din e iman, këta që për ideal kanë paranë, pasurinë, pushtetin e makutërinë, kanë vendosur më në fund të na e shesin atdheun, të bëjnë pazar me territoret shqiptare! Deti që japin në jug të Shqipërisë është një thelë e kokoshit, ndërsa gërshëra në veri të Kosovës është tragjedia e jonë. Të gjitha informatat çojnë në përfundimin se "zgjidhja e konfliktit shqiptaro-serb" dhe "krijimi i asaj Jugosllavisë ediane e vuçiqiane" do të ketë si kurbën territorin shqiptar të veriut të Kosovës. Beogradi me dekada punon për këtë projekt. Madje la mënjanë edhe Marrëveshjen e Asociacionit , thjesht për t'u angazhuar për një marrëveshje tjetër më të leverdishme , atë të përfitimit të territoreve dhe pasurive kombëtare të Kosovës në veri të vendit. Në prapaskenë e elaboruan këtë opsion jashtë syrit të publikut. Punuan fort në Bruksel. Angazhuan diplomacinë ruse dhe atë greke. Madje vetë ministri i Jashtëm i Greqisë, Kotzias, me impenjim të madh u përfshi në këtë aksion politik, për të bindur evropianët në këtë lloj zgjidhje të konfliktit. Këtyre përpjekjeve iu bashkua kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Vetëm me një kusht: Mbështetjen e Evropës për pushtetin e tij dhe amnistinë e saj për pasuritë e drogës e të krimit! Marrëveshja e parë midis tij dhe Vuçiq ka të bëjë me ndarjen e Kosovës. Pas kësaj marrëveshje ishin "të justifikuara" të gjitha "provokaciat" alla ballkanike, sepse ato duheshin për të maskuar marrëveshjen e shitjes së atdheut e të pasurive të tij. Edi Rama nuk foli asnjëherë për ndarjen e Kosovës, por nxiti Rexhep Qosjen që ta elaborojë një variant të tillë. Udhëheqësit e tjerë në Prishtinë fillimisht u treguan kundërshtues të këtij opsioni. Por kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë u erdhën në ndihmë evropianët. Sajuan Gjykatën Speciale, si "gozhdë Nastradini"! Vunë "lëkurën e ujkut "përpara Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Ramushit deri diku, dhe këta sa herë shohin "lëkurën e ujkut", pra sa herë u përmendin Gjykatën Speciale, dridhen nga frika.

Nëse Evropa nuk futet në Serbi, vështirë se do të futej në pjesët e vendet e tjera të rajonit

Tentuan ta zhbëjnë këtë gjykatë fantazmë që ngjall frikë te politikanët e korruptuar e të inkriminuar të Kosovës! Nuk ia arritën dhe mirë u bë për këtë! Por në pamundësi për ta zhbërë, shkuan më tej. U pajtuan me opsionet evropiane, kupto serbe e ediane të Tiranës, për "zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb". Zgjidhja e vetme që pranon Beogradi është ndarja. Sepse me ndarjen Vuçiq "shpëton fytyrën" dhe veç këtij interesi, Brukseli nuk ka asnjë interes tjetër. I duhet Vuçiq si katalizator i prezencës evropiane në Serbi e më pas në Ballkan. Nëse Evropa nuk futet në Serbi, vështirë se do të futej në pjesët e vendet e tjera të rajonit. Nëse Serbia do qëndronte në influencën ruse, atëherë rajonet e tjera do ishin nën influencën amerikane. Evropianët do të mbeteshin jashtë. Për këtë arsye në Bruksel e mbështesin fort çdo zgjidhje të konfliktit midis Kosovës e Serbisë, pavarësisht kostos që duhet të paguajnë shqiptarët! Në fund të fundit, nuk është hera e parë që shqiptarët paguajnë për interesat e Evropës e të Serbisë! Eduard Grey e thoshte më 1913 se Konferenca e Ambasadorëve në Londër mori një vendim të padrejtë për shqiptarët, por se ai ishte një vendim që ruajti ekuilibrin midis Fuqive Evropiane. E njëjta gjë ndodh edhe sot. Për ne shqiptarët, me një elitë politike të korruptuar e inkriminuar, historia përsëritet vazhdimisht dhe për këtë nuk kemi se kujt t'i kërkojmë hak! As Evropës, as Serbisë, as Rusisë, as Greqisë! Jemi ne vetë ata që ulemi në tavolinë dhe e ndajmë pasurinë tonë me të tjerët. Ndërsa jemi bujarë me cepat e territoreve të atdheut, nuk jemi aq bujarë me veten, me qytetarët që qeveritë tona qeverisin! Ndërsa jemi bujarë me udhëheqësit e Beogradit, jemi gati të shkojmë në hell njëri-tjetrin, pikërisht për të plotësuar interesat e Beogradit! Në Kosovë është ndjerë me kohë era e "vëllazërim-bashkimit të tipit Rama- Vuçiq"! Ish- ministri i Jashtëm, Hoxhaj, reagoi ashpër ndaj përpjekjeve të Edi Ramës për të marrë përsipër "zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb"! Të njëjtën gjë deklaroi edhe Thaçi në një intervistë të ditëve të fundit në RTV "Zëri i Amerikës". Ai u shpreh se Tirana nuk mund të jetë partnere e Beogradit për zgjidhjen e këtij konflikti. Deri këtu është gjithçka 'okay', sepse konflikti shqiptaro-serb është zhvilluar në territorin e Kosovës e midis shqiptarëve të Kosovës e serbëve në Kosovë e në Serbi. Por, mediet e Prishtinës bëjnë me dijë se Thaçi, si dhe Haradinaj, janë pajtuar me ndarjen e Kosovës, si zgjidhje për"pajtimin shqiptaro-serb". Kryeministri i Kosovës tha në Zëri i Amerikës së viti i ardhshëm do të jetë viti historik i zgjidhjes së këtij konflikti. Por askush nuk thotë se si, se çfarë do të vijë e me cilën kosto pas kësaj "zgjidhjeje"! Kjo do të thotë se Edi Rama tashmë do t'i pjekë gështenjat me duart e Thaçit, Veselit e Haradinajt dhe do t'i hajë bashkë me Vuçiqin! Përfundimisht duket se nuk është vështirë të fusësh në kurth politikanët e korruptuar e të inkriminua shqiptarë në Prishtinë e në Tiranë. Këta politikanë duket se u bëjnë punë Evropës dhe Fuqive të Mëdha, sepse ata mund të ta shesin atdheun për të "ruajtur lëkurën e tyre"! Për të tillë politikanë nuk ka rëndësi atdheu, territori, sovraniteti, rëndësi ka trafiku, kanabizimi, kriminalizimi, forca, dhuna, tutela, arroganca, pasuria, farë e fisi, grabitja, vjedhja dhe gjithçka tjetër që lidhet me interesat e tyre e të klanit që ata përfaqësojnë! Derisa t'i zgjidhin problemet dhe konfliktet në rajon, evropianët janë pajtuar që t'i mbështesin këta politikanë race të moçme, të tipit të Esat Pashë Toptanit, pavarësisht se edhe Esat Pasha do të turpërohej përpara kësaj çmendurie që bëjnë politikanët harbutë e makutër të kohëve të sotme! Nëse nuk krijohet një organizim i fuqishëm, që të tronditë nga themelet estabilishmentin politik të sotëm, që veç interesave të ngushta të veta, nuk përfaqëson asgjë tjetër, atëherë duhet të përgatitemi që edhe atë territor që do të mbetet mbas ndarjes së Kosovës t'ia falim djallit, sepse më duket se nuk do të mbetet këmbë shqiptari idealist e atdhetar në këto troje! Ose luftë ose ikje nga lufta! Ikje do të thotë emigrim dhe lënien e vendit në mëshirën e politikanëve të korruptuar e inkriminuar! Luftë do të thotë qëndresë, mospajtim me këtë klasë politike, sidomos në qeverisje, por pjesërisht edhe në opozitë, që nuk sheh asgjë tjetër veç interesit të saj! Fatkeqësisht disa segmente "patriotike" janë formuar pikërisht nga kjo klasë politike e korruptuar e inkriminuar! Shihni Albin Kurtin, i cili ka kumbarë të tij Rexhep Qosjen. Ky Qosja në modelin e Qosiqit të Beogradit bën thirrje për ndarjen e Kosovës! A ka folur ndonjëherë për këtë Albini? Ka folur për bashkim kombëtar, po. Por bashkimin kombëtar të reklamuar të Albinit e preferojnë edhe Daçiq e Vuçiq! Ai do të ishte një bashkim i Kosovës së copëtuar me Shqipërinë e viktimizuar! Çfarë pune i prish Beogradit ky lloj bashkimi?! Për këtë punon Albin Kurti dhe për këtë ka mbështetjen e fuqishme të Edi Ramës! Deri diku edhe të Hashim Thaçit! Dua të jem i pasaktë, dua të më fajësojnë për "shpifje", madje të më "dënojnë" për këto që po shkruaj. Mjafton që kjo të mos jetë e vërteta. Por nuk dua të mbetem borxh para opinionit publik e të na thonë: "Po ju ekspertët, studiuesit, akademikët, ku ishit? Pse nuk na paralajmëruat për atë që mund e do të ndodhë"! Prandaj i shkrova këto radhë! Ju lutem, hajdeni ta ndalojmë shitjen e atdheut!

TANI, SHQIPTARËT NË KOSOVË JANË PARA FAKTIT TË KRYER

(Kosova Sot)