A është ndokush duke ia vënë veshin Kinës? - Opinione - Kosova Sot
A është ndokush duke ia vënë veshin Kinës?

A është ndokush duke ia vënë veshin Kinës?

SHTETI AZIATIK ËSHTË DUKE BËRË NDRYSHIMIN MË TË RËNDËSISHËM NË SISTEMIN E TIJ POLITIK NË 35 VITET E FUNDIT

Kina është e vendosur të udhëheqë botën në disa fusha si energjia diellore dhe e erës, makinat elektrike dhe inteligjenca artificiale

Shkruan: Fareed Zakaria 

Studiuesit kinezë thonë se Kina po hyn në një epokë të re me një sistem të ri. Pasi Partia Komuniste mori pushtetin në vitin 1949, ajo kishte rreth 30 vjet të sundimit të Maos. Kjo u pasua nga rreth 30 vjet të Dengut dhe sistemit të tij. Tani është e qartë se ne jemi në epokën e tretë, e cila mund të jetë 30 vjet të Xi-së

Për shkak të rrjedhës së lajmeve rreth Hope Hicks dhe Jared Kushner, si dhe 'shout reality' të kësaj jave të presidentit Trump rreth armëve, ka mundësi që t'ju ikë ajo që është duke ndodhur në Kinë. Por, ajo që po ndodhë është e madhe dhe me pasoja. Kina është duke bërë ndryshimin më të rëndësishëm në sistemin e saj politik në 35 vitet e fundit. Cili do të jetë ndikimi te Kina dhe te pjesa tjetër e botës? Kjo është pyetja të cilën duhet ta bëjë çdo politikëbërës, ekzekutiv i biznesit dhe investitor. Deng Xiaoping përgjithësisht mbahet mend si njeriu që filloi reformat ekonomike të Kinës. Por, ndoshta më të rëndësishme ishin reformat e tij politike. Ai mori një sistem që ishte dominuar plotësisht nga një njeri, Mao Ce Dun, dhe e institucionalizoi atë. Ndoshta transformimi i vetëm më i rëndësishëm ishte në vitin 1982, kur Partia Komuniste kineze shkroi në kushtetutën e vendit se presidenti dhe nënkryetari i saj mund të shërbejnë jo më shumë se dy mandate të njëpasnjëshme. Kjo e bëri Kinën unike: një diktaturë me kufij kohorë. Në shumicën e regjimeve autoritare, sundimtari grumbullon pushtet dhe gjatë viteve bëhet më arrogant, i korruptuar dhe i papërgjegjshëm. Kjo nuk ishte e mundur në sistemin kinez, i cili kufizonte fuqinë e çdo individi dhe, në vend të kësaj, u përqendrua në te kolektivit, partia. 

Xi ka qenë një lider i fortë për Kinën

Modeli unik i Kinës prodhoi gjithashtu një mrekulli ekonomike. Vendi ka pasur tri dekada të përzgjedhjes dhe promovimit në bazë të meritës brenda Partisë Komuniste, një planifikim të mençur afatgjatë dhe politika ekonomike të mençura, pro-rritjes. Që nga viti 1978, prodhimi i brendshëm bruto i Kinës është rritur me një mesatare vjetore prej pothuajse 10%, të cilën Banka Botërore e quan "zgjerimin më të shpejtë, të qëndrueshëm në histori nga një ekonomi e madhe". Për dekada me radhë, Kina dukej se po institucionalizohej më shumë. Deng kishte sunduar si një udhëheqës suprem, duke ushtruar më shumë pushtet nga prapaskena sesa nga çdo post që ai mbante. Pasardhësi i tij, Jiang Zemin, mbajti të gjitha postet kryesore kur ai ishte në pushtet. Pas dy mandateve të tij si president, ai vazhdoi të udhëheqë Komisionin Ushtarak Qendror edhe për dy vjet dhe madje edhe pas kësaj, ai mbeti me ndikim joformal. Kur pasardhësi i Jiangut, Hu Jintao, përfundoi dy mandatet e tij si president, ai njëkohësisht hoqi dorë nga pozita e lartë ushtarake dhe humbi pothuajse të gjithë pushtetin menjëherë. Por, ky trend tani është kthyer mbrapshtë. Nëse kufizimet e termit hiqen, gjë që tani është pothuajse e sigurt, Xi Jinping mund të qëndrojë president i Kinës, sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak gjatë pjesës tjetër të jetës së tij. Dhe, ai ka vetëm 64 vjeç. Xi ka qenë një lider i fortë për Kinën. Ai ka trajtuar dy nga problemet më urgjente të vendit, korrupsionin brenda Partisë Komuniste dhe ndotjen e shkaktuar nga rritja e shpejtë e Kinës. Këto përpjekje kanë qenë shumë të njohura brenda vendit në përgjithësi. Sidoqoftë, ai nuk ka trajtuar sfida të tjera vendimtare për Kinën: reformën e gjatë ekonomike dhe zvogëlimin e nivelit të rritjes së borxhit. Përkrahësit e Xi-së thonë se konsolidimi i tij i pushtetit tani do t'i lejojë atij të ndërmarrë këta hapa të vështirë dhe të fillojë fazën tjetër të reformave.

Tani është ekonomia e dytë më e madhe në botë

Sfida e vërtetë për Kinën, megjithatë, nuk ka të bëjë me politikat ekonomike të Xi-së. Ai ka hezituar të ndjekë masa të ashpra dhe jo të popullarizuara, por po kështu kanë bërë edhe shumica e qeverive kudo, demokratike apo diktatoriale. (A ka bërë SHBA-ja ndonjë gjë në lidhje me borxhin e saj me rritje të shpejtë?) Rreziku i vërtetë është se Kina po eliminon ndoshta kufizimet qendrore në një sistem që drejtuesve të vendit iu siguron sasi të fuqishme pushteti. Çfarë do të bëjë kjo, me kalimin e kohës, ndaj ambicieve dhe orekseve të udhëheqësve? "Fuqia synon të të korruptojë", shkroi lordi Acton më 1887 "dhe fuqia absolute të korrupton absolutisht." Ndoshta Kina do ta shmangë këtë tendencë, por ajo ka qenë e përhapur gjatë gjithë historisë. Kina nën presidentin Xi është bërë edhe më ambicioze në nivel ndërkombëtar. Tani është ekonomia e dytë më e madhe në botë, financuesi i tretë më i madh i Kombeve të Bashkuara dhe furnizues më i madh i paqeruajtësve sesa katër vendet tjera anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, së bashku. Vendi po e grumbullon ushtrinë e vet duke përkushtuar mjete të konsiderueshme 'armëve' kulturore, siç është Instituti "Confucius". Kina ka paralajmëruar kredi dhe shpenzime të investimeve - Iniciativa "Belt and Road" - që, sipas disa vlerësimeve, do të jetë rreth 10 herë më e madhe se Plani Marshall. Kina është e vendosur të udhëheqë botën në fusha të tilla si energjia diellore dhe e erës, makinat elektrike dhe inteligjenca artificiale. Studiuesit kinezë thonë se Kina po hyn në një epokë të re me një sistem të ri. Pasi Partia Komuniste mori pushtetin në vitin 1949, ajo kishte rreth 30 vjet të sundimit të Maos. Kjo u pasua nga rreth 30 vjet të Dengut dhe sistemit të tij. Tani është e qartë se ne jemi në epokën e tretë, e cila mund të jetë 30 vjet të Xi-së. A ka ndokush në Uashington që është duke i kushtuar vëmendje kësaj?

(Kosova Sot)

9 orë e 49 minuta më parë
15/12/18