Fundi i “Gjermanisë së vogël”?

Fundi i “Gjermanisë së vogël”?
  • 14 March 2018 - 09:37

Vend dominues në eurozonë

Gjermanët kanë filluar të mërziten nga ideologjia e vjetër një dekadë, e deficiteve të vogla

Shkruan: SOPHIA BESCH

Përfundimisht, qeveria e re e Gjermanisë është e gatshme ta bëjë betimin. Pas pesë muajsh kalkulimesh politike, socialdemokratët (SPD) dhe Unioni kristian-demokrat – bashkë me partinë simotër bavareze, Unioni kristian-social formuan një koalicion qeveritar. Por, në proces të arritjes së kësaj marrëveshjeje, diçka ka ndryshuar në debatin politik gjerman.

Gjermania për një kohë të gjatë ka gëzuar luksin e pretendimit të të qenit diçka që nuk është: një vend i vogël. Në kohën e zgjedhjeve të vitit të kaluar, thuajse nuk kishte asnjë debat publik rreth BE-së dhe rolit të Gjermanisë në të. Udhëheqja e kancelares Angela Merkel në anketa vetëm sa vërtetonte supozimin se votuesit gjermanë nuk duan që të shqetësohen me diskutime rreth të së ardhmes së Evropës. Dhe, përkundër faktit se ishte ish president i Parlamentit Evropian, lideri i atëhershëm i SPD-së, Martin Schulz, po ashtu u përqendrua gati në tërësi në çështjet vendore. Por, zgjedhja e presidentit amerikan Donald Trump, agjenda e reformave të presidentit francez Emmanuel Macron dhe, në një masë më të vogël, vota e Britanisë për të dalë nga BE-ja, ndikuan që në tërë Gjermaninë të kishte një përqendrim më të madh. Nëse Evropa do të ballafaqohej me shumë sfida, atëherë Gjermania duhet të analizojë disa prej supozimeve të saj të vjetra. Ajo ka nevojë për një agjendë të qartë evropiane, e cila përjashton të menduarit e shteteve të vogla.

Kapitulli evropian në marrëveshjen e koalicionit midis CDU/CSU dhe SPD-së është përkufizuar në Gjermani si një përgjigje ndaj propozimeve të reformave të eurozonës nga ana e Macron-it. Por, ata që shpresonin për një ndryshim fundamental në politikën ekonomike, me gjasë do të mbeten të zhgënjyer. Qeveria e re mund të bisedojë rreth ristartimit të motorit franko-gjerman të reformave, por nuk ka të ngjarë që të mbështetë propozimet për mutualizimin e borxhit, apo për krijimin e një buxheti të përbashkët të madh.

Reagimi i vendosur evropian

Por, ajo mundet dhe duhet të ndërmarrë masa tjera. Gjermania mund të pranojë idenë se politika fiskale duhet të jetë më kundër-ciklike në nivel nacional. Ajo po ashtu duhet të pushojë së ngrehuri këmbën zvarrë në lidhje me unionin bankar të eurozonës dhe ta bëjë unionin e tregjeve kapitale një prioritet të lartë politik. Ajo ka mundësi që ta bëjë një ofertë të qëndrueshme rreth sigurimit të depozitave evropiane dhe një ndihme për Fondin e eurozonës për zgjidhje të përbashkët, i cili intervenon kur bankat përjetojnë kolaps dhe janë të brishta.

Gjermania mundet po ashtu t’i qaset bilancit të saj tepër të madh të kursimeve, i cili nuk përshtatet me ekonominë më të madhe të Evropës. Me qëllim të nxitjes së konsumimit, fituesit me të ardhura të ulëta duhet të lirohen nga barra e tyre tepër e madhe tatimore. Institucionet gjermane të tregut të punës lënë shumë punëtorë të shërbimeve pa ndonjë mbrojtje të madhe, duke krijuar kështu njërin ndër sektorët më të mëdhenj në Evropë, me rroga të ulëta.

Me ministrinë e financave në duart e SPD-së, një theks më i madh do të vihet te investimet publike, e jo te shkurtimet tatimore dhe zvogëlimet e mëtejme të borxhit publik. Gjermanët kanë filluar të mërziten nga ideologjia e vjetër një dekadë, e deficiteve të vogla. Rendi fiskal kushtetues i vendit, i njohur si ‘fre i borxheve’, lejon shpenzime më të mëdha publike.

Qeveria e re e Gjermanisë po ashtu duhet që të zhvillojë një politikë tregtare e cila njeh dhe është e gatshme ta përdorë vullnetin e vet për ta përdorë mbrojtjen ekonomike të vendit, si dhe atë të BE-së, në një mënyrë më strategjike. Toni gjithnjë e më i lartë proteksionist i administratës Trump ia ofron Gjermanisë një mundësi të përkryer që të intervenojë. SHBA-ja së shpejti do të vendosë tarifa ndaj importit të çelikut dhe aluminit, gjë që kërkon një reagim të vendosur evropian.

 Gjermania mund të bëjë më shumë

Bie në sy fakti se debati gjerman rreth Partneritetit SHBA – BE rreth tregtisë transatlantike dhe investimeve, ishte përqendruar kryesisht te të drejtat e konsumatorëve dhe te mbrojtja e rregullave dhe standardeve vendore. Por, qëllimet e tilla të ngushta ekonomike, të cilave një vend i vogël do t’iu jepte prioritet, nuk mjaftojnë më për neo-hegjemonin e ri gjerman. E njëjta vlen edhe për mbështetjen tepër optimiste për një formë të multilateralizmit tregtar, i cili dukshëm është harxhuar. Në vend të kësaj, qeveria e re e Gjermanisë duhet ta zhvillojë një politikë tregtare e cila mbështet reformat ekonomike dhe standardet sociale, duke promovuar ekonominë e tregut dhe sundimin e ligjit në fqinjësinë e vet. Gjermania mund të bëjë më shumë edhe për ta shtyrë pjesën tjetër të Evropës që të jetë më e fortë në Organizatën botërore të tregtisë, rreth të drejtave sociale, mbrojtjes së ambientit, taksimit të drejtë dhe përmirësimit të standardeve politike.

Këto propozime kërkojnë nga politikanët gjermanë që ta zhvendosin debatin. Sikur vend dominues në eurozonë, Gjermania duhet të sigurohet që blloku të përfitojë në tërësi dhe të jetë një forcë stabilizuese në ekonominë botërore. Gjermania përfundimisht duhet të fillojë që ta konsiderojë veten si një lojtar i madh ekonomik, gjë që edhe është dhe të sillet në pajtim me këtë, mundësisht para se ministrat e ri të përshtaten me rutinën e vjetër.

(Sophia Besch është kërkuese shkencore në Qendrën për reforma evropiane)

(Kosova Sot)