Serbia nëpërmjet gjenocidit mbi popullin shqiptar ka zgjeruar territorin e saj - Opinione - Kosova Sot
Serbia nëpërmjet gjenocidit mbi popullin shqiptar ka zgjeruar territorin e saj

Serbia nëpërmjet gjenocidit mbi popullin shqiptar ka zgjeruar territorin e saj

Një paralajmërim i hershëm për parandalimin e gjenocidit dhe holokaustit të radhës të shtetit serb mbi popullin shqiptar dhe Kosovën (5)

SHKRUAN: HALIM HYSENI 

Skenari tjetër, të cilit do t'i referohem, është Memorandumi famëkeq i vitit 1986, ku janë vu bazat e krijimit të Serbisë së Madhe. Gjenocidi fizik, politik dhe kulturor i popullsisë serbe të Kosovës dhe të Metohisë është disfata më e madhe që ka vuajtur Serbia në luftën e saj për çlirim prej betejës së Orashacit 1804 deri në kryengritjen e viti 1941, thuhet në këtë memorandum gjenocidal, shkaktari kryesor i tragjedisë më të madhe të popullit shqiptar, boshnjak dhe kroat pas Luftës së Dytë Botërore. Faktet shkencore flasin se Serbia nga viti 1804 deri në vitin 1945 nëpërmjet gjenocidit mbi popullin shqiptar kishte zgjeruar territorin e saj në dëm të shqiptarëve për më shumë se 24 mijë kilometra katrorë, kishte dëbuar dhe masakruar mbi 2 milionë shqiptarë. Që të mos na ndodhë më, që historia e hidhur të mos na përsëritet, sepse të gjitha regjimet serbe, duke përfshirë edhe regjimin e tashëm, i cili për asnjë fije floku nuk dallon nga ai i kaluari, janë po ata që i kanë bërë këto krime, andaj ne duhet të bëhemi gati që kur këto bisha të vërsulen mbi ne të jemi në gjendje të mbrohemi edhe duke dhënë jetë, që të mos e përjetojmë atë që e kemi përshkruar dhe do ta përshkruajmë në vazhdim të këtij studimi, edhe pse koha, vendi, hapësira dhe qëllimi i këtij shkrimi nuk lejon që të përshkruhet dhuna dhe terrori i panumërt i ushtrisë, policisë, paramilitarëve serb mbi shqiptarë gjatë viteve 1998-1999. Janë të pafundme gënjeshtrat, insinuatat, fabrikimet, falsifikimet e rasteve të gjoja të dhunës dhe të terrorit shqiptar mbi serb, të cilat nuk kanë qenë asgjë tjetër vetëm projeksione të veprimeve të tyre mbi shqiptarë e që kanë pasur për qëllim mbulimin e krimeve të tyre. Numri i 1377 fëmijëve të vrarë, 20 400 vajzave dhe grave shqiptare të dhunuara, format dhe metodat më çnjerëzore të masakrimit të shqiptarëve kërkojnë drejtësi, e cila nuk po kërkohet as nga institucionet shtetërore të Kosovës, nuk është kërkuar as nga UNIMIK- u, nuk po kërkohet as nga EULEX-i as nga pushtetarët oligarkë, kleptomanë dhe plutokrat shqiptarë, të cilët siç e kemi vërtetuar edhe me fakte në këtë shkrim janë identike me terrorizmin e ISS-it si në metoda, forma dhe përmbajtje. 

Propaganda e tmerrshme mediatike serbe

Derisa pushtetarët serbë, Kisha Ortodokse Serbe, Akademia Serbe e Arteve dhe e Shkencës gënjejnë për gjoja e krematorin e parë në Evropë pas Aushvicit të datës 27 gushtit 1998, po citojmë vetëm edhe disa raste të gjenocidit të bërë mbi shqiptarë pak kohë pas rastit të fabrikuar dhe të rrejshëm në Kleçkë. Që të jemi korrektë dhe të paanshëm do t'u referohemi burimeve serbe, përkatësisht"Fondit për të Drejtën Humanitare", i udhëhequr nga humanistja e madhe, Natasha Kandiq, të cilin shqiptarët duhet ta propozojnë për çmimin NOBEL për Paqe dhe Humanizëm, e cila vetëm pak muaj pas botimit të shkrimit të Vladislav Sotiroviq-it publikoi shkrimin e saj me titull:"Si i vrau Serbia gratë, fëmijët dhe pleqtë." Dhuna dhe gjenocidi serb mbi shqiptar nuk mund të përshkruhet për shkak të vëllimit të tij, brutalitetit, shkallës së egërsisë, propagandës së tmerrshme mediatike që kishin qëllim të paraqitnin serbët dhe Serbinë si viktima, ndërsa shqiptarët e mjerë si agresorë dhe terroristë. Asociacioni (Bashkësia e Komunave Serbe) është projekt racist për krijimin e Serbisë Madhe, andaj me asnjë kusht nuk duhet pranuar! Është e sigurt se shumica e popullit serb dhe Kosova në tërësi janë peng të politikës ekspansioniste dhe gjenocidale të udhëheqjes serbe të tashme përndryshe përgjegjëse për gjenocidin të zhvilluar ndaj myslimanëveboshnjakëve, kroatëve dhe shqiptarëve në dekadën e fundit të shekullit XX. Asociacioni i komunave serbe është ideuar nga Sllobodan Milosheviqi dhe është përkufizuar në Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë në vitin 1986. Themelimi i Asociacionit / Bashkësisë së Komunave serbe është nuk është projekt i ri serb për krijimin e Serbisë së Madhe. Ky projekt është ideuar dhe skicuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në vitet e '80 të shekullit XX. Është një nga alternativat e shumta për zgjerimi territorial e Serbisë pas shkatërrimit eventual të Jugosllavisë. Zanafilla e idesë është projektuar që në vitet e '30 të shekullit XIX në projektin Rastko i Vuk Karaxhiqit i hartuar në vitin 1836, ku thuhet se ku ka një serb atje duhet të jetë shteti serb. Këtë ide më tutje e përpunon Ilia Garashanini me projektin e tij "Naçërtania"( Skica- Dizajni). Idenë e Vuk Karaxhiqit e vjedh, duke e bërë të vetin në vitin 1844, kryeministri Greqisë, Joanis Koletis, i cili po të njëjtën gjë e thotë me shprehjen "Ku është një grek, atje është tokë greke". Me qëllim të realizimit të këtyre ideve, këto dy shtete, të cilat asnjëherë nuk i kanë ndalur aspiratat për shfarosjen biologjike të shqiptarëve gjatë dy shekujve kanë zhvilluar gjenocid të paparë dhe asnjëherë më gjakësor gjatë historisë. Dhuna dhe terrori serb mbi shqiptarët ka qenë dhe është më i egër se ai ISIS-i që ndodhi dhe po ndodh edhe sot për fat të keq në Evropë dhe në botë. Serbia nga viti 1836 deri në ditën e sotme ka hartuar mbi 40 projekte gjenocidale për shfarosjen biologjike të shqiptarëve. Asociacioni/ Bashkësia (siç e quan me qëllim Serbia Asociacionin) është një ndër këto projekte me të cilin megjithëse dështoi të krijojë Serbia homogjene- Serbia e Madhe", me të cilin synohej dëbimi i të gjithë të tjerëve që nuk ishin serbë, siç parashihej me projektin e Stevan Moleviqit, i cili ishte këshilltar i komandantit të çetnikëve serbë, Drazha Mahailoviqit, paraqet një modalitet dhe të ri të krijimit të Serbisë së Madhe përmes gjenocidit mbi popullsinë shqiptare. Serbia raciste dhe fashistë, me gjithë gjenocidin e bërë në dekadën e fundit të shekullit XX, jo vetëm që shpëtoi pa therë në këmbë në luftërat gjenocidale të projektuara me Memorandumin e vitit 1986, nga faktori ndërkombëtar, falë laboratorit të saj, gënjeshtrave duke u viktimizuar, ani pse ishte agresore shtazarake dhe terroriste u shpërblye me krijimin e kornizës së Serbisë së Madhe, duke ia marrë Bosnjës dhe Hercegovinës 52% territorit dhe duke e krijuar Republikën Serbe, e cila pas një kohe jo të gjatë me dashje apo pa dashje të faktorit ndërkombëtar do t'i bashkohet Serbisë.

Me krijimin e Asociacionit, Kosova nuk do të jetë as shtet, as Republikë

Asociacioni i komunave serbe bazën e ka, siç u tha, në Memorandumin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Serbisë. Aty thuhet "Të gjithë serbët duhet të lidhen në mënyrë vertikale me Serbinë dhe Beogradin duke bërë edhe lidhje horizontale të të gjithë serbëve kudo që ata jetojnë" . Siç shihet, thuhet e njëjta gjë, por me pak ndryshime të renditjes së fjalëve, ajo që është thënë nga Vuk Karaxhiqi në projektit e tij "RASTKO" në vitin 1836, ku është një serb, atje është toka dhe shteti serb. Për fatin e keq të shqiptarëve, aleat të vyer në krijimin dhe realizimin e kësaj ideje anticivilizuese, johumane, raciste dhe segragacioniste ndihmën më të madhe ia dhanë Serbisë, Hashim Thaçi në vitin 2013, kur ishte kryeministër i Qeverisë së Kosovës dhe tani president i Kosovës dhe Isa Mustafa, kryetar i Qeverisë së Kosovës në vitin 2015 kur e nënshkroi Marrëveshjen në Bruksel, pa konsultuar Kuvendin e Kosovës. Sikur Kosova të kishte qenë shtet ligjor, pasi Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se Marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015 ishte në kundërshtim me disa kapituj dhe nene të Kushtetutës ( me gjithsej 21 pika), Isa Mustafa do të duhej të ndiqej penalisht dhe nuk do të duhej të ishte në Gjermani, por në një vend tjetër, për shkak të dëmit të bërë Kosovës dhe kombit shqiptar. Unë qëllimisht nuk po e përmend konceptin Republikë, sepse me krijimin e Asociacionit, Kosova nuk do të jetë as shtet, as Republikë. Çfarë thuhet për Asociacionin e komunave serbe në një projekt të financuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur? Aleksandar Vuçiqi pas darkës në Bruksel me Hashim Thaçin tha haptas dhe qartë se Serbia duhet të fitojë diçka nga këto bisedime. E qartë, ajo gjithnjë humb luftërat, por ama ajo fiton në paqe, duke e paraqitur veten si viktimë, duke gënjyer dhe duke mashtruar, ani pse ajo gjithnjë ka qenë agresore dhe terroriste. Është e qartë se çka do krimineli Aleksandër. E do veriun e Kosovës, e do ekstraterritorialitetin e kishave dhe manastireve ortodokse, të cilat nuk janë serbe, por të popullit të Kosovës dhe më së shumti të shqiptarëve, të cilat po të mos i kishin ruajtur shqiptarët si objekte fetare të tyre, ato sot nuk do të ekzistonin. Këtë fakt e pranojnë edhe shkencëtarët me integritet serbë. Është naive të besosh se Serbia do të tërhiqet. Ajo ka projektet, alternativat, ajo i ka skenarët, të cilët nuk i ka udhëheqja e Kosovës. Të rikujtojmë atë që epigoni dhe alter-egoja e Milosheviqit, z. Vuçiq, e tha në Bruksel. "U pajtuat apo jo ju, ata do të vijnë në Kosovë e ta shohim se çka do të bëni." Vuçiqi i di procedurat për vizitat e delegacioneve të Serbisë në Kosovës dhe të pushtetarëve kosovarë, por ai nuk i respekton këto. Pala serbe respektimin e marrëveshjeve e kërkojnë vetëm nga pala shqiptare. Po këtë avaz e ka edhe BE-ja që gjithnjë ka qenë në anën e agresorit dhe të agresionit serb duke përjashtuar periudhën 24 mars deri më 12 qershor 1999. Vizita e Marko Gjuriqit në Kosovë në kundërshtim me marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel ka qenë skenar, për të provokuar një veprim, të cilin ata do ta shfrytëzojnë për të bërë trysni mbi palën e dobët, të frustruar dhe të papërgjegjshme shqiptare. Treguesi i parë i këtij veprimi është fluturimi i shpejtë i Mogherinit për Beograd, më datën 27 mars 2018. Në Beograd, Vuçiqi, si zakonisht do të sigurojë mbështetje joparimore dhe jo të drejtë për palën serbe. Po pse, vallë, pala ndërkombëtare dhe ajo shqiptare nuk e pyesin kriminelin dhe vrasësin Vuçiq, çka kërkon ai, dhe çfarë ai dëshiron të marrë nga Kosova. A nuk janë të kënaqur me vjedhjen e Fondit pensional të shqiptarëve në shumën prej më shumë se 2 miliardë eurove; rreth 10,000 civilëve të vrarë nga forcat e tij kriminale dhe shtazarake policore, ushtarake dhe paramilitare serbe; të më shumë se 859 mijë shqiptarëve të dëbuar nga Kosova me projektin Patkoi, 20 400 femrave të dhunuara e qindra meshkujve shqiptarë po ashtu seksualisht të dhunuar; 1377 fëmijëve të varë, 1,600 personave të zhdukur, të cilët tash 19 vjet me lot në sy i presin familjet e tyre, e mbi 139 mijë shtëpive të djegura dhe të plaçkitura të shqiptarëve; 1050 objekteve të shkollave të granatuara, 255 objekteve fetare ( xhamive, kishave katolike dhe të teqeve) qëllimisht të djegura. Pse askush nuk e pyeti kriminelin, z. Vuçiq, për çfarë arsye askush që 19 vjet nuk është përgjigjur për vrasjen e tre vëllezërve Bytyçi, qytetarë të SHBA-së, të cilët u burgosen, sepse kishin kaluar gabimisht në territorin serb duke ndihmuar qytetarë serbë dhe romë për të shkuar në Serbi pas nënshkrimit të Marrëveshjes Teknike- Ushtarake në Kumanovë, dhe të cilët i ekzekutuat në Petrovo Selo.

Të zbardhet vrasja e vëllezërve Bytyçi

Unë publikisht pyes edhe Hashim Thaçin edhe Isa Mustafën pse nuk kërkuat nga z. Vuçiq që edhe pse kaluan gati 19 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyçi, e ai, e Serbia humane demokratike dhe krenare, siç krekoset ky mizantrop, vazhdojnë t'i fshehin krimet e bëra në Kosovë . Unë tani publikisht e pyes z. Vuçiq duke i thënë, ju e dini fare mirë se me rastin përvjetorit të vrasjes së tre vëllezërve Ylli, Agon dhe Mehmet Bytyçi, disa dhjetëra ekspertë të njohur që punojnë në nivelet më të larta qeveritare, akademike dhe shoqërinë civile, kanë ndërmarrë një aksion. Ata kanë nënshkruar një letër të hapur ku u kërkohet udhëheqësve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që të angazhojnë Qeverinë e Serbisë për zbardhjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu edhe rastin e vëllezërve Bytyqi. Zoti Vuçiq, ju jeni të njoftuar se nënshkruesit theksojnë: " ....shqetësimin e thellë me ritmin e ngadaltë të Serbisë në ndjekjet penale për krimet e luftës". Natyrisht pyetjet mund të jenë pa fund, por unë i parashtroj edhe pyetjen: Pse , z. Vuçiq, nuk e keni vënë para përgjegjësisë penale vrasësin kryesor dhe skenaristin e vrasjes shtazarake të vëllezërve Bytyçi, z. Goran Radisavljeviq - Gurin, zbatuesin dhe realizuesin e shumë krimeve në Kosovë duke u nisur edhe nga Masakra e Reçakut. Ky është në Kryesinë e Partisë Përparimtare Serbe, përkatësisht të partisë tuaj, e cila parim themelor e ka ruajtjen e integritetit territorial të Republikës së Serbisë me krahinat Autonome të Kosovës dhe të Vojvodinës, si pjesë e pandashme e saj. Meqë në program z. Vuçiq e keni këtë klauzurë, pse jeni futur në bisedime në Bruksel, ku shpresoj se e dini se Ju dhe Serbia në Kosovë mund të ktheheni vetëm nëse i zhdukni, i masakroni dhe i vritni ashtu siç edhe pretendoni dhe dëshironi t'i vritni të gjithë shqiptarët në Ballkan. Natyrisht këtë pyetje Ju parashtroj edhe ambasadave të shteteve perëndimore në Beograd, kryetarëve të shteteve anëtare BE-së, Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, si dhe të gjitha vendeve anëtare të Asamblesë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha përfaqë- suesve të të gjitha vendeve të Parlamentit Evropian. (Vijon) 

(Kosova Sot)

15 orë e 10 minuta më parë
11/12/18