Tomë Gashi me deklaratë destruktive

Tomë Gashi me deklaratë destruktive
  • 16 May 2018 - 08:32

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Deklarata e Tomë Gashit, se Kosova nuk do të ketë liberalizim të vizave shkaku se shumica janë myslimanë, është absurde dhe tendencioze, që më shumë i shërben Serbisë sesa Kosovës apo BE-së. Duhet t'ia parashtrojmë Tomë Gashit vetëm një pyetje: Pse BE-ja dhe SHBA-ja i bombarduan caqet ushtarake serbe dhe e çliruan Kosovën? Sipas deklaratës së Tomë Gashit, caqet ushtarako-policore serbe është dashur të bombardoheshin nga shtetet arabe e jo nga BE-ja dhe Amerika

Tomë Gashi deklaroi për TV 'Dukagjini', më 12 maj 2018: "BE-ja nuk na liberalizon vizat për shkak se Kosova është një shtet me shumicë myslimane…", që sipas mendimit tim avokati i njohur kosovar ka gabuar rëndë duke u shprehur në këtë mënyrë, që në fakt është një deklaratë destruktive dhe e kundërvlerave euro-amerikane.

Karriera dhe ngritja e Tomë Gashit

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është për ta elaboruar karrierën profesionale të paraluftës gjatë sistemit të okupimit që e ka ushtruar avokati Tomë Gashi, e as me problemet familjare të asnjërit nga personalitetet e njohura kosovare, sepse nuk është në natyrën time, por vetëm me veprimet, vendimet dhe deklaratat e atyre që zbehin imazhin e shtetit tonë aktualisht. Në Kosovën e pasluftës Tomë Gashi pa u treguar servil klasik, por më një servilitet perfid bashkëkohor, ka arritur të përvidhet e të bëhet 'mik' i të gjitha personaliteteve politike kosovare, si dhe të disa ndërkombëtarë. Duke i njohur personalisht të gjithë personalitetet politike tona para dhe pas luftës, kam ardhur deri në një përfundim se të gjithë këta dikur vuanin nga kompleksi i inferioritetit dhe menjëherë pas luftës kërkonin që të gjenin përkrahës në mesin e personaliteteve publike të paraluftës, në mënyrë që para popullit tonë të paraqiteshin jo vetëm si luftëtarë, por edhe si të mençur. Ende i kam të freskëta kujtimet e pasluftës kur Ramadan Avdiu apo Adem Grabovci e ndonjë tjetër mburreshin që kishin pirë kafe me filan këngëtarin ose më filan personalitetin publik të sistemit të kaluar. Asokohe kudo në Kosovë ishte përhapur se njerëzit e malit e të egër e kishin marrë pushtetin, e kjo ide në mendjen e tyre ishte e papranueshme, por në vetvete e dinin se ishte ashtu siç thuhej, por nuk shkruhej. Mbizotëronte një klimë se të pashkolluarit dhe njerëzit nga mali ishin të rrezikshëm, mirëpo në fakt askush nuk mund të imagjinonte se këta kërkonin afrimin e personaliteteve të njohura të sistemit të kaluar që të fitonin besimin në popull se dinë dhe duan ta ndërtojnë shtetin. Në këtë kontekst luftëtarëve të dikurshëm të lirisë iu bashkëngjitën individë të njohur të sistemit të kaluar, si: Mahmut Bakalli për afrimin e të cilit bënin "luftë" se cili i pari do ta merrte Azem Vllasin që po ashtu e takonin dhe i ofronin poste dhe beneficione dhe i harruan skajshmërisht bashkëluftëtarët e tyre. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes së luftëtarëve të lirisë në pushtet, ngase ana tjetër pse dhe me urdhra të kujt këta vepruan kështu ende qëndron enigmatike për opinionin tonë. Në këtë rrëmujë Tomë Gashi gjeti mënyra perfide t'i afrohet pushtetit të disa 'luftëtarëve' të lirisë, të cilin do ta emëronin edhe në zyrë të Thaçit, siç i afruan edhe shumë të tjerë vetëm e vetëm të tregojnë se janë të shkolluar e të mençur. Posti i Tomë Gashit në kabinetin e Hashim Thaçit do t'i jepte edhe më tepër përkrahje mediale të parit që në opinionin tonë të fitonte kredibilitet si njëri ndër juristët më të spikatur të kohës sonë. Gjatë punës se tij në kabinetin e Hashim Thaçit, nuk është më rëndësi çka punoi dhe si punoi, por më rëndësi është se emri i tij po ngrihej në majat e avokatëve të vendit tonë, e me këtë ngritje do t'i shtoheshin edhe klientët që në të ardhmen do të përballeshin me gjyqësinë për vepra të ndryshme penale… Po ngrihej një avokat që në Kosovë do të përflitej se gabove nuk gabove, ke vra apo nuk ke vra askënd, Tomë Gashi të shpëton. A është e vërtetë se Tomë Gashi ka aftësi t'ju shpëtojë?! Po. Në Kosovën ku gjyqësia është e varur nga politika dhe korrupsioni, Tomë Gashi ka aftësi t'ju shpëtojë, por jo në një Kosovë ku gjyqësia nuk do të varet nga politika dhe korrupsioni. E kjo ditë ende është larg.

Deklaratat subversive të Tomë Gashit

Tomë Gashi është i njohur për deklarata subversive, të cilat disa i bën nga mosdija, disa nga ngutja për të dalë i pari që të paraqitet se i di gjërat para se të ndodhin, disa për interesa materiale… Nuk është në interes të askujt të analizohen të gjitha, sepse paraqitjet e tij në medie janë të shumta, por vetëm disa prej tyre ku tregojnë se Tomë Gashi deklaron subjektivisht dhe me prapavijë të errët, si p.sh. kur më 9 maj 2018 thotë: "EULEX-i është përdorur për të arrestuar persona, të cilët kanë dalë jashtë vijës politike të udhëheqësve politikë dhe shtetërorë të Kosovës…". Përmes kësaj deklarate avokati ynë e njollos tërë veprimtarinë e EULEX-it, gjë që kjo nuk është e vërtetë. Është normale që në EULEX ka individë të korruptuar, ka individë që punojnë për interesa të Serbisë, ka individë që janë në shërbim të Qeverisë sonë, por EULEX-i si tërësi është një organizëm që i duhet Kosovës edhe për shumë vjet. Pse Tomë Gashi e përhap këtë dezinformatë që do të krijonte huti dhe bindje në popullsinë tonë që EULEX-i ishte dhe është i padobishëm në Kosovë ? Mendoj se me ketë deklaratë Tomë Gashi së pari e përkrah vetveten, sepse me shkuarjen e EULEX-it nga Kosova, ky avokat dhe avokatët tjerë shqiptarë do të fitonin para të shumta nga klientët e tyre në një të ardhme pas EULEX-it. Më shkuarjen e EULEXit, nuk do të ekzistonte asnjë gjyqtar kosovar t'i dënonte me burgim të rëndë disa personalitete politike që dyshohen për vepra të ndryshme kriminale dhe krim të organizuar ekonomik ose për keqpërdorin postet e tyre. Me shkuarjen e EULEX-it, Kosova do të pllakoset në errësirë totale të zbatimit të drejtësisë, ku më asnjë shqiptar nuk do ta ketë të sigurt jetën e as gjyqësi të drejtë, por gjyqësia jonë do të shndërrohej vetëm në favor të atyre që kanë para, të varfrit do të dënohen e të pasurit do të lirohen. Me shkuarjen e EULEX-it, gjendja e drejtësisë në Kosovë do të shndërrohet në këtë mënyrë: ai që e vjedh një dele do të dënohet shtatë vjet burg të rëndë, e ai që e vjedh një bankë do të lirohet. Kjo gjendje është e dëshirueshme dhe shumë e mirëseardhur për Tomë Gashin dhe disa avokatë të tjerë. Deklarata që duhet të analizohet me kujdes është kjo e fundit, kur Tomë Gashi e hutoi popullsinë kosovare që mos të shpresojnë në liberalizimin e vizave, sepse shteti ynë është me shumicë myslimane. Kjo thjesht është një deklaratë kundëreuro-amerikane dhe askush nuk do të dinte të zbërthente arsyen pse i duhej të thoshte një gjë të tillë që nuk është e vërtetë.

BE-ja dhe SHBA-ja nuk janë kundër myslimanizmit

Politika eksteriore e BE-së nuk është politikë anti-myslimane, por ata zbatojnë një politikë humaniste tepër shumë demokratike, gjë që ka ndikuar që të krijohen grupe të ndryshme ekstremiste si myslimane edhe të tjera. Pasi që jemi te myslimanët, duhet të kemi parasysh se në komunitetin e BE-së jetojnë dhjetëra miliona të besimit islam dhe i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre më mirë sesa në vendet e origjinës. BE-ja gjithnjë është kujdesur për qytetarët që jetojnë në vendet e tyre, duke ua mundësuar që të ndërtojnë objektet e kulteve fetare të secilit komunitet, duke ua hapur orët e mësimit të gjithë nxënësve që çdo javë të mësojnë mbi religjionin e tyre nga dy orë në javë sipas konfesionit që ata i takojnë . Deklarata e Tomë Gashit se Kosova nuk do të ketë liberalizim të vizave për shkak se shumica janë myslimanë është absurde dhe tendencioze, që më shumë i shërben Serbisë sesa Kosovës apo BE-së. Duhet t'ia parashtrojmë Tomë Gashit vetëm një pyetje: Pse BE-ja dhe SHBA-ja i bombarduan caqet ushtarake serbe dhe e çliruan Kosovën? Sipas deklaratës së Tomë Gashit, caqet ushtarako-policore serbe është dashur të bombardoheshin nga shtetet arabe e jo nga BE-ja dhe Amerika. Është më se evidente se BE-ja dhe SHBA-ja janë kundër grupeve ekstremiste myslimane, të cilët e rrezikojnë jetën e qytetarëve evropianë dhe e rrezikojnë paqen në botë. BE-ja dhe SHBA-ja janë siç janë kundër grupeve dhe vendeve ekstremiste islamiste janë edhe kundër grupeve radikale katolike. Kjo deklaratë e Tomë Gashit nuk qëndron në baza të shëndosha dhe objektive, por thjesht është një imagjinatë në mendjen e avokatit tonë për të treguar se i dinë gjërat para se të ndodhin. Kjo nuk është e tëra nëse nuk shkruaj edhe këtë se Tomë Gashi pa asnjë dyshim ka pasur kontakte me ndonjë personalitet perëndimor, i cili gjatë një takimi personal e ka shprehur mendimin e tij privat. Ka disa personalitete perëndimore, të cilat punojnë dhe ushtrojnë poste të rëndësishme në BE dhe SHBA, e të cilët kanë mendime antimyslimane dhe janë radikalë në qëndrimet e tyre. Një gjë e tillë është e njohur, madje në Francë ekziston partia e Marie Le Penit, e cila haptas deklaron kundër të gjithë myslimanëve. Në çdo shtet perëndimor ekzistojnë parti ekstremiste dhe individë ekstremistë, por kjo nuk është edhe politika afatgjate e BE-së dhe e SHB-së. Mendoj se Tomë Gashi është bazuar vetëm në një mendim të ndonjë personaliteti të huaj, pasi që Toma i ka treguar se cilit konfesion i takon. Më dekada kam takuar personalitete të njohura evropiane, duke filluar nga Solana, Xhimi Shea, Doris Packu, Otto Habsburgu, e shumë e shumë të tjerë që i takoj ende, dhe kurrë nuk më ka rastisur që ndonjëri prej tyre të më ketë thënë se nuk do t'i ndihmojnë Kosovës sepse jemi myslimanë. Gjatë atyre dekadave më ka ndodhur vetëm një herë që babai i ekstremistes aktuale, Marie LePen, që asokohe ishte kryetar i 'Front National', më ka pyetur rreth religjionit, por pa ndonjë shprehje urrejtëse. Shpresoj që Tomë Gashi të jetë më i kujdesshëm kur deklarohet publikisht për ato biseda private që i ka dëgjuar apo bashkëbiseduar gjatë darkave apo takimeve, sepse ato nuk janë politikë zyrtare e asnjë shteti. Pra, i nderuar Tomë Gashi, keni ende për të mësuar mbi politikën dhe diplomacinë perëndimore.

(Kosova Sot)