Samiti Trump-Kim, ende ide e mirë

Samiti Trump-Kim, ende ide e mirë
  • 13 June 2018 - 08:33

Shkruan: Eugene Robinson

Koreja e Veriut është një nga diktaturat më brutale në botë

Edhe pa armë nukleare, Koreja e Veriut ka mjaft fuqi konvencionale për të vrarë mijëra civilë të pafajshëm në Korenë e Jugut dhe potencialisht në Japoni

Udhëheqësi bombastik, luftarak, i papërvojë dhe i paparashikueshëm i një kombi të armatosur me armë bërthamore, një njeri që shkelë normat dhe marrëveshjet ndërkombëtare, është planifikuar të takohet me diktatorin e Koresë së Veriut Kim Jong Un në Singapor të martën. Çfarë mund të shkojë keq? A keni kohë t'ua numërojë të gjitha?

Herë e anulon, herë e rikthen

Strategjia e presidentit Trump, herë duke e anuluar, e herë duke e rikthyer mundësinë e mbajtje së samitit me liderin Kim, ka qenë e papërshtatshme dhe e ndërtuar shpejt e shpejt. Themeli, baza e nevojshme nuk është hedhur. Qëllimi i deklaruar i administratës Trump - një denuklearizim i plotë i Koresë së Veriut - është joreal. Kim thuhet se e di kompleksitetin e programit bërthamor të vendit të tij, duke përfshirë aspektet e tij teknike, me hollësi të madhe; Trump, në të kundërtën, tha të enjten se "Nuk mendoj se duhet të përgatitem shumë. Bëhet fjalë më shumë për qëndrimin". Kritikët thonë se vetë takimi është një lëshim i madh për koreanët e veriut, për çka Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrë asgjë në këmbim. Sidoqoftë, kam qenë dhe qëndroj fort në favor të samitit. Unë besoj se ka arsye për të besuar se ai nuk do të bëjë asnjë të keqe, sikur që ka arsye për të shpresuar se mund të sjellë disa të mira. Refuzimi për të folur sy më sy me Korenë e Veriut ka qenë politika e SHBA-së gjatë tërë jetës time. Çfarë ka sjellë ky qëndrim? Me gjithë heshtjen tonë të studiuar, pavarësisht nga bisedimet shumëpartiake që çuan në marrëveshje që nuk ishin të vlefshme as sa letra ku ishin shkruar, pavarësisht sanksioneve raund pas raundit, pavarësisht nga të gjitha kërcënimet tona, nxitjet dhe premtimet, pavarësisht nga gjithçka që kemi provuar, Koreja e Veriut ka zotëruar ciklin bërthamor, ndërtoi një arsenal të armëve bërthamore dhe raketat balistike të testuara, me sofistikim dhe gamë mahnitëse të veprimit. Unë do të guxoja të them se mos bisedimi ka qenë një dështim. Kjo nuk dmth se bisedat doemos kanë sukses, por me siguri ia vlen përpjekja. Ata që kritikojnë Trumpin për naivitetin e tij, duke i dhënë Kimit diçka qëbabai dhe gjyshi i udhëheqësit të Koresë së Veriut donin shumë - një bisedim të drejtpërdrejtë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, si të barabartë, janë duke mos e parë aspektin më të rëndësishëm, ose ndoshta nuk janë duke i kushtuar vëmendje atij. Duam apo s'duam, Koreja e Veriut është një anëtare de facto e klubit bërthamor. Dhe, siç thoshin reklamat e vjetra të "American Express", anëtarësimi i ka privilegjet e veta. Një vend që po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore dhe mund të jetë brenda mundësive të tilla, si Irani, është një gjë. Nëse duam të flasim me shprehjet që i kupton Trump, një vend i tillë mund të shtyhet deri në një farë mase nga shtetet më të fuqishme. Megjithatë, një vend që tashmë ka një arsenal të testuar të armëve bërthamore funksionale dhe që mund të jetë në gjendje të mbajë armë të tilla në raketa, gjë që është tani statusi i Koresë së Veriut - epo, kjo është tërësisht një gjë tjetër. Përfitimi më i madh nga fillimi i samitit është se administrata Trump ka pushuar së foluri rreth një lloj sulmi ushtarak të kufizuar "të përgjakur" që do të tregonte se sa seriozë jemi. Edhe John Bolton, këshilltari i sigurisë kombëtare i Trump-it, ka qenë i qetë. Ka arsye që të shpresojmë se, së paku disa zyrtarë të administratës, të kuptojnë se një diskutim i tillë për një sulm, është thjesht i çmendur. Edhe pa armë nukleare, Koreja e Veriut ka mjaft fuqi konvencionale për të vrarë mijëra civilë të pafajshëm në Korenë e Jugut dhe potencialisht në Japoni. Me armët bërthamore, Kim dhe gjeneralët e tij mund të shkaktojnë një Armagedon të vërtetë. Është e mundur të paktën të debatojmë në favor të luftës konvencionale tani për të parandaluar një luftë të mundshme bërthamore më vonë. Megjithatë, nuk ka asnjë argument të vlefshëm logjik apo moral, për ta bërë një luftë bërthamore tani, për ta parandaluar një luftë teorike bërthamore dikur në të ardhmen.

Denuklearizimi i plotë

Koreja e Veriut është një nga diktaturat më brutale në botë, një mbretëri e vetmuar e sunduar nga një regjim fanatik dhe paranojak. Sidoqoftë, lidershipi i tij nuk është vetëvrasës dhe Kim është ziliqar i teknologjisë perëndimore dhe i pasurisë. Unë jam skeptik se regjimi në fjalë do të bjerë dakord ndonjëherë për një denuklearizim të plotë, por jam më pak skeptik në lidhje me një politikë amerikane të kontrollit dhe bashkëjetesës të kujdesshme. E vërteta është se tashmë kemi pranuar faktin e një Koreje veriore bërthamore për më shumë se një dekadë. Mund të jetë që qëllimi i vërtetë i Trumpit të jetë marrja e çmimit Nobel, dhe nuk kam asnjë problem nëse ky është motivi i tij. Ai duket se më në fund e kupton se Kim nuk do të heqë dorë nga të gjitha armët bërthamore dhe raketat e tij në vend, edhe pasi të dy liderët të kenë pasur disa minuta bisedime rreth të njohurve të tyre të përbashkët, Dennis - Rodman. Është e mundur, megjithatë, që Trump dhe Kim mund të bien dakord me një gjuhë disi të dykuptimtë, të cilën amerikanët e kuptojnë në një mënyrë, e koreanët e veriut në një mënyrë tjetër. Dhe, ata gjithashtu mund të pranojnë të flasin më shumë dhe të kërcënojnë më pak - një rezultat të cilin e gjithë bota duhet ta duartrokasë.

(Kosova Sot)