Trump, Putin dhe të drejtat e njeriut

Trump, Putin dhe të drejtat e njeriut
  • 11 July 2018 - 08:26

Shkruan: Oliver "Buck" Revell

Qëllimi ynë duhet të jetë të çlirojmë jo vetëm Alexey Pichugin dhe 150 personat e tjerë, emrat e të cilëve gjenden në listën e Departamentit të Shtetit, por edhe të 'hapim' të drejtat dhe dinjitetin e njeriut në Rusi

Kur presidenti Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin ta mbajnë një samit në Helsinki, Finlandë, më 16 korrik, ata do të kenë shumë për të diskutuar - përfshirë aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, mbështetjen për separatistët në Ukrainën Lindore, ndërhyrjen në Luftën civile siriane dhe në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Këtu ka edhe një pikë të rendit të ditës për samitin: abuzimet e Rusisë me të drejtat e njeriut.

Të burgosurit politikë

Më shumë se një vit më parë, shkrova në një artikull për "Fox News" për gjendjen e vështirë të Alexey Pichugin, të burgosurit politikë më të gjatë në shërbim të Rusisë dhe një peng në lojën e pamëshirshme të Putinit për të ushtruar pushtet të pakontestueshëm në Rusi. Siç kam shkruar: "Shkatërrimi i jetës së z. Pichugin gjatë 14 (tani 15) viteve të fundit është një tragjedi që është bërë shumë e zakonshme në Rusinë e Putinit. Mësimi i frikshëm është se nuk është e nevojshme të jesh një kundërshtar politik i Putinit për të ndier zemërimin e tij. Mjafton që të shoqërohet me një armik të perceptuar të presidentit, ose të shihet si dikush përmes të cilit Putini mund të kërkojë hakmarrje ose ndonjë ndëshkim ose të japë shembull për të tjerët. Historia e z. Pichugin paraqet një dritare në natyrën e vërtetë të presidentit rus dhe në rrethanat e tmerrshme të lirisë dhe sundimit të ligjit në Rusi, në qafën e të cilit (si Z. Pichugin), zoti Putin tani e ka të vendosur qartazi çizmen e tij". Megjithatë, ashtu si 150 të burgosur të tjerë politikë dhe fetarë rusë të identifikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Pichugin qëndron në qelinë e tij, një i burgosur në objektin famëkeq "Delfini i zi". Kjo pavarësisht faktit që Pischugini njihet si një i burgosur politik nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Fondacioni Lantos për të Drejtat e Njeriut dhe Drejtësinë dhe Qendra "Raoul Wallenberg" për të Drejtat e Njeriut. Në maj, aktivisti rus për të drejtat e njeriut dhe viktimë e helmimit nga Putin, Vladimir Kara-Murza, i bëri lutje parlamentit britanik që ta miratonte Aktin Magnitzky, një ligj të modeluar në statutin e SHBA-së që kërkon të pengojë Putinin duke refuzuar vizat dhe qasjen në tregjet perëndimore për miqtë e Putinit që ekzekutojnë abuzimet e tij të të drejtave të njeriut. Kara-Murza në mënyrë specifike vuri në dukje gjendjen e Pichugin-it, ndër të tjera që Putini është përpjekur ta heshtë dhe ta ndëshkojë - jo për atë që kanë bërë, por për shkak të asaj se kush janë ata, me kë ata shoqërohen dhe çfarë besojnë.

Viktima e Putinit

Përmes 36 viteve të shërbimit tim në Shtetet e Bashkuara - së pari si aviator i Korpusit Detar dhe më pas ose në rrugë ose në pozita komanduese me FBI-në - e kam përkushtuar jetën time për ruajtjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Për këtë arsye, është e papranueshme për mua ta shikoj administratën e Putinit që shkel ligjin dhe të drejtat e njeriut në Rusi. Më shumë duhet të bëhet - dhe jo vetëm për Pichugin-in, i cili nuk është aspak viktima e vetme e Putinit. Pra, derisa kryetarët Trump dhe Putin përgatiten për këtë samit historik, ka shumëçka që presidenti ynë dhe SHBA-ja mund të bëjnë. Mund të fillojmë duke mos pretenduar se Rusia është vetëm një vend tjetër në bashkësinë e kombeve. Dhe, ne duhet të zgjerojmë sanksionet sipas Aktit Amerikan Magnitzky - duke përfshirë edhe burgosësit dhe gjyqtarët, policinë dhe prokurorët, përgjegjës për raste si ai i Pichugin-it. Vetëm këto kufizime mbi përfitimet e tregjeve perëndimore dhe pjesëmarrjen në komunitetin e kombeve, do ta zgjojnë vëmendjen e Putinit. Ne duhet të sulmojmë kleptokracinë ruse në themelet e saj, duke e bërë më të vështirë për ata që mbështesin dhe kryejnë aktet e Putinit, për të vendosur paratë e tyre në bankat perëndimore; më të vështirë për të regjistruar fëmijët e tyre në shkolla të shtrenjta në Nju Jork dhe në Londër; dhe më të vështirë për të blerë shtëpi dhe strehime në qytetet dhe vendpushimet më të bukura në botë. Qëllimi ynë duhet të jetë të çlirojmë jo vetëm Alexey Pichugin dhe 150 personat e tjerë, emrat e të cilëve gjenden në listën e Departamentit të Shtetit, por edhe të 'hapim' të drejtat dhe dinjitetin e njeriut në Rusi. Vetëm kjo do të heqë çizmen e Putinit nga qafa e lirisë dhe do të shënojë samitin e ardhshëm si një pikë kthese të vërtetë në ngjarjet botërore.

(Oliver "Buck" Revell ishte zëvendësdrejtor i hetimeve në FBI) 

(Kosova Sot)