Miku im, Bedri Islami, kuptoje të lutem, Hashim Thaçi është kuisling!

Miku im, Bedri Islami, kuptoje të lutem, Hashim Thaçi është kuisling!
  • 09 August 2018 - 09:06
SHKRUAN: IBRAHIM KELMEND

A dem Demaçi, ndjesë pastë, duhet të ketë thënë: "Me mujt me i hangër disa shkrime të publikuara, do t'i haja me kënaqësi." (parafrazim). Mendoj, secili njeri racional do të kishte dëshiruar ta "hante" ndonjë shkrim a ndonjë fjalë, sepse duhet t'i ketë rezultuar e gabuar. Uroj që edhe miku Bedri Islami të jetë penduar sapo ia ka dërguar këtë shkrim redaktorit të gazetës "Epoka e Re"! "A do ta shesë Kosovën Hashim Thaçi?" është titulli i shkrimit. Ndoshta Bedriu e ka menduar si gjetje poetike ose si karrem për të tërhequr vëmendjen e lexuesve. Përndryshe, një pyetje e tillë, në kohë të sotme është budallicë, meqë nuk dimë rast në botë të jetë shitur ndonjë shtet nga presidenti i tij. Kjo nuk do të thotë se nuk ka president që do të dëshironte ta shiste, por nuk ka blerës që do ta blinte. Bedriut, duke qenë këshilltar i presidentit Thaçi, nuk i vete për shtat ta shfaqë këtë dilemë ndaj presidentit dhe eprorin e tij, madje që në kryetitull! Fundja, përse do ta duhej ta blinte Serbia Kosovën kur më shumë po i leverdis ta mbajë kështu, si neokoloni? Në vazhdim Bedriu tjerr broçkulla: "Në të gjithë këto ditë, pas një deklarimi të presidentit të Kosovës për korrigjimin e kufijve është ndezur, ndoshta me të drejtë, një debat i pafund rreth kësaj teze, e cila, si jam i bindur, kurrsesi nuk mund të jetë vetëm ide e Hashim Thaçit"

Një gjetje mashtruese për të imponuar komplote të tjera si ai i "zajednicës", ta zëmë! Po të më besonte Bedriu, që nga maji 1998, (meqë atëherë ai u zgjodh kryetar i Lëvizjes dhe unë u zgjodha anëtar kryesie), kur i thosha se Hashim Thaçi ishte marionetë komplotiste, nuk do ta bënte edhe tani këtë gabim. Marionetat dhe kuislingët nuk kanë ide të tyre, ata zbatojnë urdhra. Domethënë, "ideja" për "korrigjimin e kufijve" (në fakt është fjala vetëm për një kufi), nuk është e Thaçit, por e eprorëve të tij, tashmë serbë, meqë shpresoj se ndërkohë DGSE-ja e famoze serbofile franceze ta ketë ndryshuar përcaktimin dhe të mos e shpërdorojë më këtë shpirtshitur! Tash e sa vjet krerët e Serbisë neofashiste zhurmojnë për "korrigjim kufijsh". Kësaj radhe Bedriu ka provuar të na e shesë sikur na qenkësh ide e amerikanëve! Kjo ngjason me stilin e propagandistëve të Ibrahim Rugovës që, edhe kur ai pirdhte, e propagandonin se ka pjerdhur me porosi të miqve amerikanë. Më tej Bedriu shkruan: "Por, edhe sikur të ishte mendim vetjak i tij, ai, si po alarmohen analistët dhe njerëzit e politikës opozitare në Shqipëri, por edhe në Kosovë, as nuk e vendosi këtë, as nuk i vuri zjarrin kontinentit të vjetër, dhe as nuk ka fuqi të hapë atë që quhet Kutia e Pandorës". Nuk është i largët rasti i përcaktimit të kufirit me Malin e Zi që u imponua siç e kishte komplotuar Hashim Thaçi. Fatkeqësisht, tani Thaçi ka funksion edhe më superior se atëherë. Dhe, meqë nuk i lejohet të thotë "do të fal territore", është urdhëruar ta kamuflojë me "korrigjim kufijsh"! Një gjetje mashtruese për të imponuar komplote të tjera si ai i "zajednicës", ta zëmë! Bedriu tashmë duhet të ketë përsiatur e gjykuar se lexuesit duhet t'ia ofrojë një karrem të sheqerosur me patriotizëm romantik: "Sidoqoftë, unë e them haptas: nëse Ai arrin të bëjë atë çfarë ka në mendje, kthimin e Kosovës Lindore si pjesë integrale të Kosovës, le të hapen 100 kuti pandorash, të cilat janë mbyllur një mijë herë për vendin tonë dhe gjithnjë në dëm të tij". Ndien keqardhje njeriu sesi Bedriu shtiret edhe si hipnotizues që di të lexojë mendjen e Hashimit, ndaj na e shet si fakt të kryer se ai e paskësh në mendje ta kthejë "Kosovën Lindore" në Kosovë. Mashtrim! Me vjen keq, më vjen shumë keq për Bedriun, ngaqë e di se as ai nuk beson një trilli të tillë. Ja që ia kërkuaka shërbimi prej këshilltari ta thotë dhe të na mashtrojë se Hashimi na qenkësh patriot dhe jo siç po e shembin rreth 90 % të shqiptarëve. Partia e Hashimit, bashkë me një tufë partizash, në zgjedhjet e fundit ka marrë vetëm rreth 10 % të votave të 1.8 milion qytetarëve me të drejtë vote dhe kjo shifër tashmë do të ketë rënë edhe më shumë!

Komplotet që ia bëri Hashimi Lëvizjes dhe UÇK-së Në këtë stil Bedriu paska provuar të na ofrojë edhe një karrem relaksimi: "Edhe nëse, në rastin më të hidhur, ai provon të bëjë lëshime mbi hartën e Kosovës, sado të vogla të jenë ato, përgjegjësinë historike dhe ndëshkimin kohor do ta marrë vetëm ai...". Vërtet për të ardhur keq nëse Bedriu ende nuk është ndërgjegjësuar se Hashimi nuk është i përgjegjshëm dhe nuk pjerdh fare për "përgjegjësinë historike" (ç'slogan koti!). Ne, fatkeqësisht, e patëm rastin që në mars të vitit 1998, ta njihnim Hashimin për komplotet që ia bëri Lëvizjes dhe UÇK-së, por ja që Bedriu, (sado që atëherë i pat diskualifikuar shpesh ato komplote) tashti na shfaqet krejt ndryshe. Në fakt, atëherë kur Bedriu qe bërë kryetar i Lëvizjes, komplotet kishin ndodhur paraprakisht, meqë kryesia pararendëse e Lëvizjes kishte qenë pa vigjilencë dhe vullnet të duhur për t'i penguar komplotistët Xhavit Halitin, Azem Sylën e Hashim Thaçin! Bedriu qe detyruar ta menaxhonte gjendjen që e kishin imponuar komplotistët, meqë kishim Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm të dyzuar (pavarësisht faktit se asnjëri nga komplotistët nuk pat marrë vota të mjaftueshme për t'u zgjedhur anëtar kryesie). Sipas kësaj logjike, po të kishte qenë Hashimi i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm, nuk do të bëhej marionetë e shërbimeve armiqësore dhe nuk do ta komplotonte Lëvizjen dhe UÇK-në! Spekulimi në vazhdim lidhur me "Gjykatën Speciale" nuk më nxit të komentoj, meqë kam shkruar e thënë shumë herë: Hashimi nuk i frikësohet fare asaj gjykate ngaqë duhet të ketë alibi ligjore, rrjedhimisht nuk ka sesi të arrestohet e gjykohet prej saj. Akoma më tej Bedriu na e ka ofruar garancinë, sado që nuk varët fare prej tij: "Presidenti Hashim Thaçi nuk ka tagër të shesë asnjë metër katror të Kosovës. As të ndërrojë kufijtë e saj në rrudhjen e tyre. Dhe as nuk synon të bëjë këtë". Përse, miku im Bedri, më shfaqesh kaq naiv kësaj radhe? Nuk të kuptoj dot! Një thes byk për një kokërr gruri, thuhet për raste të ngjashme: "Tagri i Hashim Thaçit është të përfaqësojë Kosovën në këto bisedime". Bedriu paska bashkuar slogane e spekulime të nduarnduarta për të nxjerrë përcaktimin se Thaçi, dhe vetëm Thaçi, duhet ta përfaqësojë Kosovën në këto bisedime (siç ndodhte edhe kur ishte kryeministër dhe ministër i jashtëm), diçka e ngjashme me skemën Putin-Medvedev! Unë jam kundër që "Hashimi" (zhargon metaforik drenicas) ta përfaqësojë Kosovën në këto negociata ndërshtetërore, meqë është dëshmuar si marionetë komplotiste! Për të arsyetuar përcaktimin e tij, Bedriu sjell edhe një mashtrim të radhës: "Të mos bëhemi të paditur: rolin e prijatarit, duam apo nuk duam, Hashim Thaçi e ka marrë edhe kur ka qenë ndoshta i panjohur, si në Rambuje, e jo më sot që është në postin më të lartë të institucioneve të Kosovës". Në Rambuje Hashimi nuk ishte zgjedhur prijatar (udhëheqës) i delegacionit, por e kishte imponuar DGSE-ja franceze dhe serbofilët e tjerë që e komandonin atë konferencë komplotiste (siç ishte imponuar, po ashtu, kur qe bërë studentprorektor, "drejtor politik" i UÇK-së, kryeministër dhe, së fundmi, edhe president)! Sloganin mashtrues "Politika për Kosovën bëhet më shumë jashtë Prishtinës sesa në Prishtinë", Bedriu e ka sjellë për t'i ambalazhuar komplotet e kuislingut Thaçi, sikur ato po na i imponon "bota", ndaj edhe ne duhet t'i pranojmë si të mirëqena! Uroj ta provojë realiteti që unë të jem në pozita të gabuara me këtë reagim. Ndiej dhimbje dhe nuk do të doja për shumëçka që Ti, miku im, Bedri Islami, të ishe autor i shkrimit "A do ta shesë Kosovën Hashim Thaçi?"; nuk do të doja me asnjë çmim që unë të ta adresoja këtë Reagim, por ja që Shtetin e Kosovës dhe të vërtetën i dua më shumë!

(Kosova Sot)