Hashim Thaçi, një nxënës shumë i dobët i Qosjes

Hashim Thaçi, një nxënës shumë i dobët i Qosjes
  • 09 August 2018 - 09:35
SHKRUAN: FADIL MALOKU


Nëse, Thaçi (përmes ishmentorit Qosja) idenë për krijimin e pandamit ndaj "veriut të Kosovës", e ka paramenduar me disa fshatra periferike të Kosovës Lindore (e jo krejt Preshevën, Bujanovcin, e Medvegjën) dhe të njëjtat dëshiron t'i testojë me "kompetencën" dhe "karizmën" e munguar të Presidentit, në "tregun e këmbimit" ndërkombëtar (Uashington e Bruksel) dhe atë lokal (Kosovë e Tiranë), atëherë ai: ose, nuk e ka njohur "çmimin e tregut ndërkombëtar". Që nënkupton kalkulimin e saktë, si të shkaqeve ashtu edhe të pasojave eventuale. Që do mund të prodhojë kjo ide dhe ndërmarrje shumë komplekse në kuptimin se çfarë fitojmë e çfarë humbasim me shkëmbim. Apo eufemizmin që ka filluar ta licencojë si "korrigjim kufijsh", pra, siç mendon edhe mentori i Tij, Z. Qosja). Ose nuk i ka kuptuar mirë leksionet e Qosjes, dhe demiurgëve të tjerë, siç po i thonë atij tellallët për amerikanët, të cilët akoma nuk kanë qëndrim të prerë, në këtë kohë të inicimit të kësaj teme të rrezikshme për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit. Ose, vetëdijshëm po e loz "lojën" djallit (jo të gjarprit, tani), në mënyrë që të krijojë një alibi super të fortë, për të deleguar (tri komunat serbe të pjesës veriore të Kosovës). Faktikisht, për t'i dhuruar, apo falur dy resurset ekzistenciale shqiptare; liqenin e Ujmanit dhe Trepçën.... Tani, për ta thjeshtësuar krejt idenë e "keqkuptuar" të Qosjes, nga nxënësi i tij i dobët, Z. Thaçi, i bie që paranteza e "këmbimit" (alias; korrigjimit) në fakt, është e dështuar që në start! Pse? Sepse, si mund ta këmbesh një territor që historikisht, e sociologjikisht ishte, është, dhe shpresohet të mbetet me demografi, etnopsikologji e mentalitet puro shqiptar?

Si mund të shkëmbejmë dhe të korrigjojmë territore pa tapi juridike? Shqiptarët janë i vetmi popull që janë të kufizuar me vetveten, e tërësisë shqiptare. Unë nuk e kam të qartë, këtë "lojë" me zjarr të Thaçit. Tjetra, Qosja po thotë: "Ata që janë kundër shkëmbimit të territoreve dhe korrigjimit të kufirit, po ia dhurojnë Serbisë Luginën e Preshevës". Po si mund t'i dhurojmë Serbisë Luginën e Preshevës (shih; Qosja nuk thotë Kosovën Lindore, që dmth e ka zbrit vetëdijshëm "pazarin e korrigjimit"!?) kur as Kosova, e as Shqipëria nuk kanë qasje as "virtuale", e lëre më ndonjë ndikim e efekt vendimtar. Përjashto këtu, manipulimin mediatike që Thaçi e përdori për konsum të brendshëm. Por, pa asnjë efekt "anësor" ndërkombëtar mbi këtë territor de jure të Serbisë? Pra, si mund të shkëmbejmë dhe korrigjojmë territore, pa tapi juridike! Historikja e moralja, këtu është veç në funksion të një satisfaksioni social. Dhe si të tilla, nuk na kryejnë mjaft punë.... Mentori Qosja, po thotë; "...ata që po predikojnë retorikën e korrigjimit të kufirit, domethënë të bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, do të duhej të dinë se faktorët ndërkombëtarë nuk do t'u pranojnë të drejtën e vetëvendosjes shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe t'u mohojnë të drejtën e vetëvendosjes serbëve të Veriut të Kosovës." Unë them: ata që po predikojnë retorikën e korrigjimit të kufirit, dmth. bashkimit të Kosovës Lindore (jo veç disa fshatrave shqiptare të Luginës së Preshevës), se është nocion dhe koncept shumë më i reduktuar; gjeografikisht, (e etnopsikologjikisht) dhe t'u mohojnë të drejtën e vetëvendosjes së serbëve të Kosovës... Por, mentori Qosja, ka shumë të drejtë për disa (jo krejt!) nga "akuzuesit e hershëm dhe te sotshëm...". Dhe sidomos për dronë dhe "frikën për pjesëmarrësit në bisedimet Kosovë - Serbi, ku mbizotërojnë diletantët". Ngase, qeveria aktuale, dhe cilado qoftë ajo tjetër që do t'i bjerë hise ta përmbyllë dialogun me Serbinë pa një; analizë dhe dioptri shumëdimensionale shkencore (akademike). Pra, pa një ekspertizë paraprake diagnostikuese që do përmbante edhe detajet mikroskopike të detajizuara empirikisht, e teorikisht nuk do të duhej fare as në publik të dalë. E lëre më të debatohet dhe të krijohet më pastaj konfuzion dhe paqartësi të qëllimshme dhe të paqëllimshme, si në publikun gjithëshqiptar, ashtu edhe tek qendrat vendimmarrëse globale. Mbizotërimi i diletantëve në temat e interesit kombëtar dhe shtetërorë, gjithnjë në historinë shqiptare ishte një plagë në vete që na kushtoj me shkapërderdhje; politike, ekonomike, demografike, gjeografike, sociale, e frustrime kulturore, në arealin e Ballkanit. 

Termi "korrigjim" është vetëm një eufemizëm puro politik Në fund, mentori Qosja, për kureshtjen time nuk pashë që në prononcimin e tij, të ketë fajësuar klasën politike (e së bashku me ta edhe nxënësit e tij). E cila në këto dy dekada sundimi absolut, nuk arritën asnjë marrëveshje me Serbinë që ta qojnë deri në fund. Dhe si është e mundur që tani Lugina e Preshevës (për mua Kosova Lindore) ta fitoj gjithë këtë "peshë specifike" në bisedimet finale me Serbinë, kur e njëjta, asnjëherë në asnjë aulë ndërkombëtare (as në Rambuje, as në Vjenë, e as në Bruksel e Vashington) nuk është përmendur kurrë!? Ose, si mund t'u besohet "paqësorëve institucionalistë" dhe "komandantëve të luftës", që do të arrijnë marrëveshje historike me Serbinë, kur në këto dy dekadat mandatuese të "mjaltit të lirisë" na e dëshmuan të kundërtën! Ata po harrojnë se Serbia, në këtë periudhë të krizës së proceseve (dez)integruese në nivel global e sidomos kontinental, si dhelpëra që pret "prenë" e vet, po pret momentin e hapjes së "kutisë së Pandorës" për kufijtë në Ballkan. Pra, bashkimin e Republika Srpskës, e në fazën tjetër kontestimin e Maqedonisë... dhe aneksimin me ndonjë brick craig, edhe të Kosovës...Si shihet Serbia, ka plane afatgjatë dhe të përpunuara detajisht edhe për hapat që do t'i ndërmarrë, në të ardhmen e saj. Termi "korrigjim" është vetëm një eufemizëm puro politik për një "shkëmbim" të padiskutueshëm substancial territorial e demografik (bartje humane e popullatës (terminologji kriminogjene e Vasa Çubriloviqit!) midis Serbisë dhe Kosovës. Tragjika e këtij diskursi publik politik, nuk qëndron tek zgjidhja e kësaj nyje serbo-shqiptare, por, tek tendenca e ruajtjes së monopolit mbi shantazhet, që po i bëhen palës shqiptare. Dhe "karota" integruese në BE-ne, për Serbinë, suma sumarum, Serbia nuk është e interesuar as të "korrigjojë" as të "shkëmbejë" territore me Kosovën. Por, ta marrë të gjithën....!? Meqë, kjo tani për tani është e pamundur edhe për shkak të rrethanave dhe konstalacionit të raporteve aktuale globale e kontinentale. Ajo do të ndahej e stërkënaqur me menaxhimin, kontrollin dhe fuqizimin e Asociacionit. Që do të nënkuptoj edhe "de jure" (se "de facto" e ka arritur) "ndarjen", (apo copëtimin, marrjen e 25%- 30%) e Kosovës. Krejt debatet e tjera janë vetëm kamuflim dhe ambalazhim i qëllimit të krijimit të pretekstit sa më të fuqishëm për Asociacionin.

(Kosova Sot)