Flirti i rrezikshëm bërthamor i Gjermanisë

Flirti i rrezikshëm bërthamor i Gjermanisë
  • 10 August 2018 - 07:54
Shkruan: Wolfgang Ischinger

Nëse Gjermania thyen tani statusin e saj si fuqi jobërthamore, çfarë do ta pengojë Turqinë ose Poloninë, midis tjerëve, që ta pasojnë këtë rrugë? Gjermania si shkatërrimtare e regjimit ndërkombëtar të mospërhapjes së armëve të shkatërrimit në masë nuk është e mirëpritur nga askush

Njësoj si në një lojë shahu, ka lëvizje gjeopolitike të cilat mund ta shtyjnë një vend - në mënyrë të papritur - ta zërë veten mat. Hapja e një debati mbi armët bërthamore gjermane mund të jetë një lëvizje e tillë. Megjithatë kjo është saktësisht ajo çfarë kanë propozuar disa gjermanë së fundmi. Mbështetësit e një Gjermanie të armatosur me armë bërthamore mendojnë se mbrojtja bërthamore e NATO-s ka humbur të gjithë besueshmërinë për shkak të deklaratave të bëra nga presidenti i SHBA-së Donald Trump. Ka së paku tri arsye të mira se pse thjeshtë mendimi se Gjermania ka një opsion bërthamor është çmenduri për Gjermaninë. Sa për fillim, Gjermania e ka refuzuar këtë opsion në mënyrë të përsëritur, fillimisht më 1969 duke firmosur (dhe më vonë ratifikuar) Traktatin për mospërhapjen e armëve bërthamore (NPT), dhe pastaj më 1990 duke firmosur të ashtuquajturin Traktati dy plus katër, i cili i hapi rrugën ribashkimit të Gjermanisë.

Dështimi parlamentar Vënia në dyshim e këtyre angazhimeve mund të dëmtojë rëndë reputacionin e Gjermanisë dhe besueshmërinë e saj në të gjithë botën. Gjermania mund të vërë në këtë mënyrë në pikëpyetje besueshmërinë e përmbajtjes bërthamore të NATO-s dhe rrjedhimisht të vetë aleancës, bashkë me të gjithë regjimin e mospërhapjes së armëve bërthamore. Ia vlen të rikujtojmë se që nga krijimi i saj më 1949, NATO-ja ka qenë një nga instrumentet më të suksesshme të botës për parandalimin e përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë. Asnjë vend i vetëm anëtar i NATO-s, me përjashtim të SHBA-së, Britanisë dhe Francës - nuk e ka parë të nevojshme të blejë armë bërthamore për veten. Nëse Gjermania thyen tani statusin e saj si fuqi jobërthamore, çfarë do ta pengojë Turqinë ose Poloninë, midis tjerëve, që ta pasojnë këtë rrugë? Gjermania si shkatërrimtare e regjimit ndërkombëtar të mospërhapjes së armëve të shkatërrimit në masë nuk është e mirëpritur nga askush. E dyta, bomba atomike gjermane mund të dëmtojë mjedisin strategjik në Evropë - dhe atë në dëm të vetë Gjermanisë. Rusia mund të interpretojë hapat gjermanë drejt një arsenali bërthamor si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e vet kombëtare dhe ka gjasa do të miratojë kundërmasa ushtarake. Kjo, nga ana e vet mund ta bëjë edhe më të vështirë ndjekjen e një vizioni për një rend pan-evropian të paqes dhe sigurisë, një objektiv thelbësor në politikën e jashtme të të gjitha qeverive gjermane që nga koha e Konrad Adenauerit. Për më tepër, një ambicie bërthamore gjermane mund të vë në rrezik balancën delikate të pushtetit në Evropë - përfshirë atë mes Gjermanisë dhe Francës, për shembull - me pasoja të pallogaritshme për kohezionin afatgjatë të bashkimit evropian. Në fund, nuk është e vështirë të parashikohet se kërkimi i armëve bërthamore do të sjellë kundërshti të fortë publike, veçanërisht për shkak se një lëvizje e tillë do të paraqesë një ndryshim të plotë të kursit nga qeveria e kancelares Angela Merkel, e cila, vetëm pak vite më parë, veproi drejt heqjes dorë tërësisht nga energjia bërthamore në një të ardhme të afërt. Është e vështirë të imagjinohet një fiasko më e madhe në politikën e jashtme dhe të sigurisë së Gjermanisë se sa propozimi i një strategjie bërthamore dhe më pas, dështimi në marrjen e miratimit parlamentar.

Paratë të shpenzohen në mënyrë më inteligjente Ka mënyra më të mençura afatgjata për të fuqizuar mbrojtjen bërthamore të Evropës se sa krijimi i një arsenali bërthamor gjerman. Për shembull, Franca mund të jetë e gatshme të pranojë luajtjen e një roli të zgjeruar në mbrojtjen bërthamore, krahas roleve të luajtura nga SHBA-ja dhe Britania brenda NATO-s. Ndërsa kjo mund të kërkojë një riorientim themelor dhe evropianizim të strategjisë bërthamore të Francës, Gjermania dhe partnerët e tjerë evropianë mund të ofrojnë kontribute financiare për një iniciativë të tillë në kontekstin e një bashkimi të mbrojtjes së Evropës me një komponent bërthamor. Por këto janë, në rastin më të mirë, opsione afatgjata. Shkurt, nuk ka rëndësi se çfarë thotë Trump, Gjermania do të vijojë të mbetet e varur nga mburoja bërthamore amerikane për të ardhmen. Mënyra më e mirë për të ruajtur besueshmërinë e NATO-s dhe për t'u marrë seriozisht nga SHBA-ja është që të punohet seriozisht drejt objektivit të NATO-s për shpenzime mbrojtjeje në masën 2% të GDP-së dhe për të investuar më shumë në kapacitete ushtarake konvencionale. Kjo, jo për të plotësuar kërkesat e SHBA-së, por për të mbrojtur interesat tona të sigurisë dhe mbrojtjes. Por, nuk bëhet fjalë vetëm për të shpenzuar më shumë para; duhet gjithashtu që paratë të shpenzohen në mënyrë më inteligjente, veçanërisht përmes bashkimit dhe ndarjes së kapaciteteve, si dhe nga prokurimet sistematike të përbashkëta me Francën dhe partnerët e tjerë evropianë, përfshirë përmes fondit të mbrojtjes së BE-së të themeluar tash vonë. Asgjë e tillë nuk do të funksionojë në rast se Gjermania nuk do të fillojë të përkufizojë një strategji ushtarake, të sigurisë dhe të mbrojtjes si një prioritet i lartë politik. Vetëm pas kësaj Bundestagu do të jetë në gjendje t'i japë Bundesverit - institucionit që shpesh konsiderohet si "ushtri parlamentare" - atë që ka nevojë për të bërë punën e vet. Alternativa e kësaj - konsiderimi për zhvillimin e armëve bërthamore - do të jetë një lëvizje që sjell humbjen e lojës

(Kosova Sot)