Nuk ka "Shqipëri të Madhe", por Shqipëri etnike natyrale - Opinione - Kosova Sot
Nuk ka "Shqipëri të Madhe", por Shqipëri etnike natyrale

Nuk ka "Shqipëri të Madhe", por Shqipëri etnike natyrale

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI

E dhe sa shekuj, edhe sa vjet, duhet polemizuar me shpifësit shovinistë serbomëdhenj dhe me hyzmeqarët e tyre injorantë filoserbë lidhur me tezën e tyre "Shqipëria e Madhe"? Nuk janë të vërteta "përrallat me tupan" dhe paçavuret "exibicioniste" me "teh agjenturor" antishqiptar të "hokatarëve" të ndryshëm (vardisës së politikave të vajtueshme ditore dhe, njëherazi puthadorë të llahtarshëm "mëditorë" të liderëve të ndryshëm në pushtet, që për ta lëpirë ndonjë asht të tyre ose për t'ua mundësuar hapjen e ndonjë burketoreje, qebaptoreje ose lejimin e ndonjë "tezge" në Pazar të blertë… etj., marrin guximin që të "lehin" ditë e natë pa pushuar kundër idesë shenjtë të ribashkimit kombëtar), se gjoja ideja e ribashkimit kombëtar shqiptar "është e tejkaluar" dhe se nuk është asgjë tjetër vetëm se "një sentiment", të cilën "nuk e mbështet shumica dërrmuese" e shqiptarëve në hapësirat etnike të Shqipërisë, si dhe gjoja "nuk ka forca e as faktorë politikë që e mbështesin atë"!? Këtë të pavërtetë, qe një shekull (si papagajtë) e trumbeton politika dhe propaganda serbo-sllave për shpërfytyrimin e identitet kombëtar dhe shtetëror të shqiptarëve nga harta gjeografike e Ballkanit. Kjo është një gënjeshtër dhe shpifje e madhe alla serbmoadhe dhe pansllave e "Velika Serbisë" , që po i bëhet jo vetëm popullit shqiptar në Ballkan, por edhe Evropës, edhe Amerikës dhe gjithë botës së qytetëruar demokratike. Ideja ribashkimit kombëtar nuk është mit, as utopi e as kurrfarë "sentimenti" i kohës mesjetare, por e drejtë natyrore e ligjshme dhe legjitime, si dhe AMANET SHEKULLOR i etërve tanë (brez pas brezi) që kanë sakrifikuar dhe flijuar jetën e tyre për ta çliruar dhe ribashkuar kombin shqiptar dhe Shqipërinë etnike nga sundimi i egër kolonial dhe imperialist shekullor sllav (1878-2018).  

Të barabartë me popujt dhe me shtetet fqinje
Ideja e ribashkimit kombëtar, do të thotë forcë lëvizëse centrifugale që shpie drejt shkallmimit të robërisë shekullore kolonialiste sllavo-bizantine (që edhe sot, në kohën e integrimeve evropiane, ushqejnë pretendime dhe synime territroriale në kurrizin e territoreve etnike të Shqipërisë natyrale) drejt lirisë, pavarësisë, ribashkimit, qytetërimit, zhvillimit, përparimit të përgjithshëm, si dhe të mbrojtjes dhe ekzistencës së shqiptarëve në Ballkan, si popull dhe si shtet i barabartë me popujt dhe me shtetet fqinje, duke mos prekur dhe dëmtuar asnjë interes të stabilitetit, të sigurisë dhe të paqes në rajon. Ribashkimi kombëtar nuk është një "çështje e ngushtë" e një grupi "huliganësh" a klani intelektual gjysmak, por kërkesë imediate dhe e domosdoshme e shumicës dërrmuese të kombit shqiptar në Ballkan. Këtë të vërtetë të pamohueshme e provojnë edhe numri i madh i lëvizjeve, i fronteve, i partive dhe i subjekteve të tjera politike dhe kulturore kombëtare, të cilat janë formuar dhe po veprojnë haptazi dhe në mënyrë legale, demokratike dhe paqësore në skenën politike gjithëshqiptare, jo vetëm brenda territoreve etnike të shqiptarëve në Ballkan, por edhe në gjithë diasporën shqiptare në mbarë botën. Gjithashtu, ribashkimin kombëtar e mbështesin edhe elita intelektuale akademike shqiptare si brenda Shqipërisë etnike, ashtu edhe në gjithë diasporën shqiptare, me ndonjë përjashtim efemer atykëtu, por ai numër i vogël argatësh të huaj të "Velika Serbisë", edhe pse në forma të rafinuara po orvatën ta baltojnë dhe shpërfytyrojnë aspiratën shekullore të ribashkimit gjithëkombëtar, ata nuk kanë kurrfarë peshe, as ndikimi në popull e as në politikën e brendshme, as në atë ndërkombëtare. Ata janë në numër pak dhe, krejtësisht të vetmuar, që askush (as faktori i brendshëm shqiptar e as ai ndërkombëtar) nuk i "vë në pullë", as nuk i merr seriozisht se çfarë "llomotisin", përfolin të tjerët, si dhe shpifin ata kundër interesit të përgjithshëm kombëtar dhe shtetëror shqiptar. Ia vlen të theksoj se, në dy dekadat e fundme, idenë dhe kërkesën historike të popullit shqiptar për ribashkimin e tij, në mënyrë të dokumentuar shkencore, publicistike dhe informative, e mbështesin me dhjetëra e qindra vepra të shkruara nga fushat e ndryshme (histori, kulturë, gjuhë, art, politikë, drejtësi, diplomaci, ekonomi …etj.) të elitës së mirënjohur akademike shqiptare. 

Shkatërrimi i identitetit kombëtar 
E gjithë kjo veprimtari e përbashkët për një objektiv dhe imperativ të përbashkët për çlirimin, mëvetësimin dhe ribashkimin e kombit shqiptar, është rezultat i zgjimit dhe i ngritjes së vetëdijes dhe i ndërgjegjes së lartë politike dhe kombëtare, në saje të rrethanave dhe të realiteteve të krijuara politike dhe demokratike në Ballkan (1990-2018). Ata që po shpifin marrëzisht, duke propaganduar në opinionin publik se gjoja në territoret etnike shqiptare "nuk ekzistojnë forca të rëndësishme politike, që e mbështesin ribashkimin kombëtar", janë jo vetëm në gabim, por edhe miopë, sepse nuk e njohin realitetin e krijuar brenda kufijve etnikë të Shqipërisë, as atë në diasporë. Ndryshe, nuk do t'i kishin ndërruar tezat alla serbe, duke gënjyer për "hava", jo për "tokë", se gjoja "shumica" e shqiptarëve nuk e mbështet ribashkimin kombëtar. Këtë shpifje serbe dhe filoserbe e përgënjeshtrojnë formimi dhe veprimi i këtyre subjekteve politike shqiptare, që me programin dhe me platformat e tyre e mbështesin ribashkimin kombëtar shqiptar, jo vetëm të Kosovës me Shqipërinë: Aleanca Kuq e Zi, UNIKOMBI, Lëvizja Vetëvendosje, Lëvizja për Bashkim, Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar, Lista për Bashkimin e Shqipërisë Natyrale, Partia e Unitetit Kombëtar…, si dhe shumë parti dhe shoqata të tjera politike me përcaktim të ribashkimit kombëtar qoftë majtiste, djathtiste apo centriste, që veprojnë si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë Etnike. Se ideja e ribashkimit kombëtar gjithëshqiptar është aktuale, realiste, moderne, demokratike, qytetëruese, paqësore, domosdoshmëri dhe imperativ historik, politik, kombëtar dhe shtetëror, dëshmon edhe Kushtetuta moderne e Republikës së Shqipërisë në fuqi ( e miratuar me Referendum), ku në Preambulën e saj thuhet :" me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar," (1998). Sipas kësaj logjike racionale, duke bazuar në fakte të ligjshme të kësaj Kushtetute, kryeministri Edi Rama ka plotësisht të drejtë të kërkojë jo vetëm ribashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por edhe më gjerë, sepse e ka për detyrë ta zbatojë, jo ta shkelë Kushtetutën në fuqi. Së fundi, duhet t'i rikujtojmë serbomëdhenjtë dhe "bishtat" e tyre filoserbë dhe të agjenturave të huaja të ndryshme, se në asnjë pjesë të Shqipërisë etnike natyrale e as në diasporën shqiptare, nuk ekziston, as nuk vepron asnjë individ dhe, asnjë subjekt politik apo kulturor për krijimin e ndonjë të ashtuquajture "Shqipëri të Madhe", e cila, si nocion semantik me përmbajtje politiko-propagandistike antishqiptare, fatkeqësisht, dhe për tragjedinë e derisotme shqiptare në Ballkan, daton që nga viti 1844 si "pjellë inkubatori" e "industrisë" së gjenocidit të "Velika Serbija" të Ilia Garashaninit, e kuazishkencës, e politikës dhe e Kishës Ortodokse Serbe, gjithnjë në funksion të mohimit dhe të shkatërrimit të identitetit të tërësishëm të kombit, të territorit dhe të shtetit shqiptar-Shqipërisë etnike natyrale në Ballkan.

(Kosova Sot)

55 minuta më parë
12/12/18