Mekanizmi juridik kurrë s'e shprehu forcën e tij për asnjë mega-aferë

Mekanizmi juridik kurrë s'e shprehu forcën e tij për asnjë mega-aferë
  • 06 December 2018 - 08:17

SHKRUAN: SHEFIK SHKODRA

Sot te ne nuk dihet se kush është fajtori për shumëçka. Prandaj, mundësia për të keqpërdorur në shumë lëmenj të jetës së përditshme është shumë relative prej shumëkujt. Për këtë e fajësojmë mekanizmin juridik, i cili kurrë s'e shprehu forcën e tij për asnjë mega- aferë e delikt, qoftë ekonomik apo politik. Inspektoratet për kontroll, të cilët nuk kanë forcë të padisin krimin, andaj kanë filluar disa prej tyre të futen në të njëjtin kanal me mafien; auditori nuk luan rolin e vet fare, pos regjistrimit dhe palosjen e letrës në ndonjë kënd të padukshëm për opinionin; AKK, gjithashtu vetëm bën regjistrime. Më në fund edhe mjetet e informimit nuk kanë mundur apo nuk kanë dashur të bëjnë ndarjen e partive e të personaliteteve të pastra dhe atyre të përlyera. Këto media te ne, disa, nuk dihet kur e thonë të vërtetën dhe kur bëjnë ekzibicione politike, duke ia dhënë krahun një partie, apo individi. Nuk dihet gjithashtu nga kush financohen dhe për kë 'çojnë ujë në mulli'. Krejt hijeshi me zbukurime të rrejshme para qytetarëve. Apo ndoshta, pronarët dhe redaktorët janë të kërcënuar nga mafio-oligarkët me çështje materiale, por edhe me kokën e tyre. Disa prej tyre të blera, rrogëtare, si ndodh haptas me këtë TV Klani dhe Baton Haxhiun, e cila luan rolin e një përfaqësuesi të një djalli, në kundërshtim me shqiptarët. Sa për disa portale, s'mund të flitet shumë, sepse tash gati secili prej atyre që di të manipulojnë me aparatet elektronike dhe internetin ka nga një dritare të tillë. Të shumtën e rasteve, disa prej tyre janë avokatë dhe zëdhënës i ndonjërës parti dhe liderit, apo vetëm sa për të turbulluar krejt gjendjen. Jo për debate e shkrime në favor të shtetit të Kosovës, por për të sharë të tjerët që nuk janë me mendimin e për liderin e tyre. Them për liderin, sepse shqiptarët si me magji i mashtron lideri me kravatë e rroba të shtrenjta, duke ndenjur mirë para kamerave. Disa dinë të ruhen, në mënyrë perfide, e disa janë vetëm si me porosi me të shara e shprehje të ndyta. Njeriu mendon sikur, ai që po flet për anën e vet e i shan të tjerët, ai është i vetmi që merr vesh për krejt politikën, jo veç të shqiptarëve...i njëjti përpiqet të 'vërë veto' në çdo rast jashtë mendimit dhe përcaktimit të tij. Sikur këto parti politike, lider e institucione të sotme nuk kanë dert tjetër pos fitimit e pushtetit. Fajtori kryesor - Serbia Mosuniteti dhe grindjet e partive, përkatësisht liderëve në mes veti për çështje shumë personale, shfaqet një politikë e fjalëve të zbrazëta. E sharjeve dhe pallavrave të çdoditshme e që janë shumë irrituese për opinionin publik. Ngacmim serioz dhe i turpshëm, kur dëgjon rrugaçëri, në vend të një ideje të mirë për një avancim në punësim të kësaj popullate e për një jetë që do të kishte mundësi me siguri më ndryshe. Në këtë mënyrë nuk ka diç që do të forconte shtetin e ri. Lirinë e ëndërruar me shekuj, sikur dikush po insiston në kundërveprim...sikur dikush luan lojën e fantazmave. Ta quash injorant, s'mundesh, sepse për veten e tij dhe familjen e rrethin, shumë mirë di dhe është mjaft i kthjelltë. Një që do të duhej të habitet çdokush prej nesh, sot për sot, është fjala se, shqiptarët kudo që ndodhen në Ballkan, e sidomos na në Kosovë, e kemi marrë fajin kryesor për të gjitha të këqijat që i ka krijuar Serbia dhe të tjerët. Pas të gjitha atyre luftërave, që janë përmendur disa herë prej të tjerëve, p. sh., vetëm në Bosnje e Hercegovinë, në fund të shek. XX është kryer një masakër me renome botërore gjatë luftës së fundit në mes Serbisë dhe Bosnjës. Humanizmi dhe humaniteti është për të gjitha qeniet njerëzore njësoj. Bota demokratike nuk do të duhej të lejonte gjenocid në asnjë rast, nëse vërtet jemi të organizuar në të mirë të njerëzimit. S'ka privilegj etnia, as raca, as feja, as ngjyra, etj. Në luftërat që bëri Serbia në Ballkan, këto nuk kanë mundur apo nuk ka pasur dhe aq vullnet që bashkësia ndërkombëtare të ndërhyjë dhe humanizmi dështon. Çuditet njeriu, se si, Gjykata Ndërkombëtare nuk ka vu shenjë për një lëshim të madh nga OKB, të një konkretizimi për gjenocid në këtë vend, si pas LDB që Hitleri bëri me hebrenjtë. Këtë e ka bërë ushtria e Serbisë në mënyrë legale, në fund të shek. XX, para opinionit demokratik botëror. Në këtë vijë ka mbetur pa lavde gjithë "mendja demokratike" që do të duhej ndërgjegjësuar për humanizëm, sepse Serbia do të duhej të shpallej shtet kriminel plotësisht. Ky është faji kryesor! Ky shtet vijon intrigat dhe kurdisjet e pengesave edhe për shtetin e ri. Për zhdukjen e shqiptarëve Në këtë vazhdë bën pjesë edhe lufta e fundit në Kosovë. Si ishte zhvilluar kjo luftë? Shumë e fëlliqtë. Qëllimi: Që të gjithë me emrin shqiptar të zhduken përgjithmonë. Që të gjithëve t'u merret pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme. Ajo e luajtshme edhe u është marrë në mjete financiare (deviza), ari, etj. Por edhe tokat që ua kishin grabitur dhunshëm, në këto kohë janë kthyer e ua kanë shitur sa kanë dashur shqiptarëve, do të thotë, riblerje e pasurisë së tyre të dikurshme. Atëherë , të ardhur si kolonë nga mbreti serb, kur i kanë përjashtuar e ndjekur shqiptarët nga vatrat e tyre për Turqi e vende të tjera të botës. Pra, Serbia plaçkitëse shekullore në këto troje, ushtroi 'zullumin' deri në atë masë, sa nuk do të ekzistojë shprehja 'mëshirë' as në cirilikë për ta. Edhe luftën e fundit ka dashur dhe e ka bërë me të gjitha formacionet ushtarake dhe me krejt arsenalin e armatimit jugosllav që e ka trashëguar. Për të gjitha 'deliktet' e një lufte sa ekonomike aq edhe humane, nuk është organizuar personeli politik e shkencor sa duhet, që të ekspozohet në vitrinat botërore, si kërkesë dhe jo të lejohet të bëjë 'pallavra' të zakonshme me kishën e tyre Serbia, edhe sot kundër të tjerëve, në këtë rast kundër shqiptarëve. Lufta e Kosovës u ndihmua sërish nga mendja demokratike e humane, duke shpëtuar një popull nga gjenocidi serb. Administrata e OKB-së Me vënien e administratës së KB-së u pa se ishin dërguar njerëz që nuk dinin dhe nuk donin të vepronin për shtetndërtim të Kosovës, por as për intervenim. Që të kalojnë mandatin e tyre sa më lirë e mirë në këtë vend, ata zgjodhën që nga përkthyesi e deri te nëpunësit formalë, të gjithë njerëz lojalistë e të cilët shumë prej tyre ende janë të dyshimtë se me kënd bashkëpunojnë. Pluralizmi dhe partitë tona Të papërgatitur fare. Militantët u tubuan sipas liderit. Partitë, për inati të njëra tjetrës, përzien kë mundën në mese të tyre. Vepruan si deshën grup njerëzish, herë njëra herë tjetra. Asnjëherë nuk u zgjodhën në institucione për aftësi dhe meritë, por për dëgjueshmëri dhe lidhje në mbrojtje të krimit e të korrupsionit. Nuk patën kontroll, liderët e tyre luteshin veç për vota e pushtet. Herë njëra e herë tjetra, në paralojë që të fitonin sa më shumë nga mesi i qytetarëve. Kjo ndodhi në shumë mënyra. Spekulimet filluan. U nis herët edhe tregtia e fshehtë me serbët kriminelë e Serbinë. Pra, këta liderët tanë, fatkeqësisht, filluan të mbledhin haraçin më keq se në kohën e Perandorive mesjetare. Nisën uzurpimin e tokave, të mjeteve tjera, të tenderëve. Shpallja e Republikës dhe 'mohimi' i saj Erdhi koha kur të tjerët pas shumë viteve u sugjeruan institucionalistëve të Kosovës ta shpallin Republikën e Pavarur. U zgjodhën me vlerë e pa vlerë. Krejt me inate. E në disa raste, ti mua, unë ty. Ndonjëri, veç unë dhe unë! Për një kohë relativisht të shkurtër, pas privatizimit, Kosova u bë pronë private në duar të atyre që nuk kanë pasur as dy - tre hektarë tokë në familjet e tyre. U ndërruan qeveri e u shndërruan në lëkura të ndryshme pa ndërprerë, por veç mashtrim pas mashtrimi. Shumë normale deri sa të gjendet njeriu që do të punonte për popull e këtë vend. Por, asnjëherë nuk u qëllua as që do të qëllohet. Çdo segment që është dashur të avancohet u degradua, krejt nga mosdija dhe më shumë qëllimisht. Këtë në opinioni publik nuk e ka kuptuar, veç është marrë vesh se punë nuk po shkojnë mirë në arsim, në shëndetësi, në administratë, në gjyqësi, etj. Ajo çka është më keq, qarqet me intriga të Serbisë, liderët tanë i detyruar, të mos quhet ky vend republikë zyrtarisht pa një yll (*). Do të thotë, nuk ka pavarësi...Pastaj gabimet vijuan me futjen e një partie ekstreme serbe, e cila kishte të drejtë edhe të vetos. Marrëveshjet me Serbinë për një Asociacion të Komunave me shumicë, korrigjimi, apo ndarja e Kosovës? Asnjëherë nuk është njoftuar opinioni publik e ndoshta as institucionet e legjislativi, çfarë ka në ato biseda. Një kartë e kishin dhe vijojnë ta kenë deri më tash Është interesant, në mungesë të veprimit pozitiv në vend, për ndërtimin e tij me mbetet një metodë, që sa më shumë të braktisin këtë vend. Madje, sikur të gjitha punët i kanë rregulluar dhe lajm kryesor e kanë qe sa vite, Liberalizimin e Vizave. Krejt me premtime, secili që vinte në qeveri, duke gënjyer popullatën në afat 'dhjetëmuajsh', 'njëvjeçar', 'pas pak kohe', etj. Në vend se të orvateshin për ndërprerje të krimit dhe korrupsionit, respektimin e ligjit dhe shumë çështje të tjera që i përkasin jetës me interes të banorëve të këtij vendi. Dhe kohëve të fundit është shterë rrena. Liderët dhe disa parti kanë filluar t'ia lënë fajin evropianëve. Duke aluduar me këmbëngulje e duke thënë se, krejt obligimet i kemi kryer, por qe evropianët nuk po duan të bëjnë liberalizimin për qytetarët tanë. Dhe evropianët e kanë shumë mirë. Qytetarëve të Kosovës nuk duhet t'u jepen vizat, jo se këta kanë ndonjë faj, por këtu fajin kryesor e bartin ata që janë në institucione dhe për këta liderë kanë votuar vetë qe sa vite ky popull. Unë kam një propozim: asnjë zyrtari dhe lideri të partive të Kosovës të mos u lejohen vizat! Ata në të sillen në karantinë me qytetarët e tyre. Evropianët e dinë fort mirë fajtorin. U ankuan njerëzia se, Serbia pas pushimit të armëve të zjarrta përdor ato të heshtjes. Dyshimi ka ekzistuar dhe ekziston për një shfarosje në heshtje të shqiptarëve, nëpërmes artikujve ushqimor. E themi kështu sepse nuk është demantuar zyrtarisht e me argumente asnjëherë prej institucioneve tona kompetente, kur bëhet fjalë për artikujt e ndryshëm ushqimor. Për këtë u shkrua e u fol, sidomos për miellin, por s'do mend se mundet edhe me artikujt tjerë. Mirëpo, shteti që deshi para botës të shfarosë të gjithë shqiptarët, këta tashmë ia paguajnë një tagër ta madh vjetor Serbisë! Ndërsa, shqiptarët mbeten pasiv në zhvillimin e tyre me produktet e tyre, me konkurrencën e tyre sidomos me ato agroindustriale. Produktet vendore i konkurrojnë ato nga Serbia 'mirë e lirë'. Fitimi është i dy-tre ndërmjetësuesve tregtarë shqiptarë dhe pronarëve serbë nga Serbia. Qindra miliona gjatë vitit Serbia realizoi në trojet e Kosovës, me tregtinë e palimituar dhe të pakontrolluar. Në ndihmë kësaj skene i vinte politika dhe oligarkia shqiptare për përfitime të shpejta të tyre personale. Asnjë partneritet nuk e ka kryer Serbia ndaj Kosovës nga marrëveshja e CEFTA-s, sipas ekspertëve me statistika që i posedojnë. Do të duhej edhe në çështjet tjera të vihet reciprocitet. Reagimet për taksën Veç me reciprocitet, ndryshe ne do të ishim veç një "grazhd" me tregun e siguruar për Serbinë në Kosovë. Çka kanë tash bota demokratike gjithat zë, kundër një takse që u është vu produkteve serbe në Kosovë, për mbrojtjen e një tregu nacional? Ky është sulm në ekonominë nacionale. Kjo botë demokratike deri më tash nuk reagoi për asnjë çast për mos përmbushjen e kritereve të CEFTA-s sa i përket marrëdhënies tregtare. Këtu po shtojmë në mënyrë personale disa fjalë: Vërtet Serbia është e përkëdhelur më tepër se që duhet. E kuptojmë se, europerëndimorët do të donin ta merrnin Serbinë në nënsqetullat e tyre për interesa politike e strategjike, por kjo nuk ka të ndalur asnjëherë. Ajo ishte fajtore sa luftërat që u nisën, natyrisht edhe këto të fundit me ish republikat jugosllave dhe më në fund me Kosovën. Ajo rregullisht sulmon në drejtim të Kosovës. Ka disa banorë serbë, të cilët bashkë me kishën i ka në dispozicion dhe i vë në lëvizje si mekanizëm politik sa herë që do të bëjë ndonjë aferë politike kundër Kosovës. Ka një 'bagazh' gënjeshtrash historike, folklorike e politike. Ato i shpërndan pa ndërprerë. Nuk e di si e durojnë edhe kombet e tjera me një huazi- filozofi shekullore. 

(Kosova Sot)