Kush janë apo kush bëhen individët më të urryer e më të neveritshëm për publikun!?

Kush janë apo kush bëhen individët më të urryer e më të neveritshëm për publikun!?
  • 09 December 2018 - 07:50

SHKRUAN: SKËNDER SADRI KAPITI 

Njeriu më i urryer në shoqëri është ai individ prej të cilit shoqërisë i vijnë skandale, vuajtje, trauma, dëme dhe fatkeqësi. Njeriu më i urryer dhe më i neveritshëm te opinioni shoqëror në një shtet bëhet individi, i cili zotëron pushtetin, dhe pikërisht personi i cili qeveris vendin dhe shoqërinë dhe që është në krye të pushtetit dhe abuzon duke spekuluar shumë rëndë me të. Më i urryer në shoqëri bëhet individi, i cili tregon hipokrizi, mospërfillje dhe arrogancë; kur ai nga lartësia e pushtetit përbuz, tall dhe injoron vegjëlinë dhe të gjithë ata, të cilët megalomania e mendjemadhësia e tij i konsideron se janë poshtë tij, dhe si i tillë ai është një mizantrop i zhveshur nga përgjegjësia, nga dhembshuria dhe nga ndjesia sociale.

Korrupsioni në duart e servilëve

Njeriu më i urryer në shoqëri është kryepushtetari i cili i rrëmben të gjitha, edhe sovranitetin e zgjedhësve të tij, edhe ligjin ,edhe drejtësinë si dhe ai i cili bën punë të pista: vjedhjen, tradhtinë dhe korrupsionin edhe me duart e të tjerëve servilë, puthadorë dhe sejmenë të dobët nën veten e tij dhe të zgjedhur si besnikë të tij. Njeriu më i urryer bëhet tradhtari dhe pushtetari frikacak të cilin e bën cinik, mendjemadh dhe trim vetëm pushteti.

Pushteti errëson mendjen

Njeriu më i urryer dhe më i neveritshëm për shoqërinë është pushtetari më i lartë i shtetit kur prej tij shpërthejnë skandale, tradhti dhe paturpësi publike, kur atij i del boja si mashtrues, gënjeshtar e keqbërës publik; kur flet dhe premton vetëm për të gënjyer dhe për të mashtruar popullin e tij. Kur pushteti këtij individi ia errëson atij mendjen dhe ia verbon pamjen , atëherë realiteti , opinioni dhe veprimi i publikut e hedh atë si mbeturinë publike. Kur këtij tipi sundimtari i del boja në publik si i tillë, ai bëhet njeriu më halabak, më i urryer , më i neveritshëm sa që kur del dhe duket bajatshëm dhe vend e pavend krijon te publiku edhe tugun, vjelljen shpirtërore.

 

(Kosova Sot)