Kur ke diplomaci tinari, s'ta varë as Madagaskari!

Kur ke diplomaci tinari, s'ta varë as Madagaskari!
  • 09 December 2018 - 07:59

SHKRUAN: PROF.DR. MEHDI HYSENI 

Një paradoks, edhe pse kryediploamti i Kosovës, Behgjet Pacolli, është shqiptari "më i pasur në botë" (sipas mediave shqipe) e Madagaskari afrikan vendi më i varfër në botë, kjo do të thotë se gjithmonë dhe, pa përjashtim, paraja nuk është terapia parësore për zgjidhjen e problemeve shëndetësore, materiale, politike dhe diplomatike me diplomacinë botërore. Sepse ky rast dëshmon se pa kuadër të mirëfillta politike dhe diplomatike, nuk mund të mbrohet interesi i përgjithshëm i shtetit dhe i kombit, sado të jepen para të humbura kot për xhepa të mafiozëve dhe të korrupsionistëve të ndryshim politikë. Në rastin konkret të tërheqjes së njohjes së Kosovës nga ana shtetit të Madagaskarit, nuk janë pyetje paratë, se këtë gjë do ta kishte rregulluar kryediplomati i Kosovës, Behgjet Pacolli, por është në pyetje ruajtja e interesave vitale të Madagaskarit. Këtë mesazh të notës zyrtare të Madagaskarit, duhet ta kuptojnë drejt liderët politikë karrieristë dhe të korruptuar të Kosovës, pavarësisht sesa ata janë të pasur a milionerë, kur të vijë pyetje mbrojtja e interesit të përgjithshëm të popullit dhe të shtetit, pikësëpari, duhet të vijë në shprehje dituria politike dhe diplomatike, domethënë kuadrot e kualifikuara dhe të specializuara të profilit përkatës, jo "zarzavatet" e tinarit diplomatik sipas çelësit dhe interesit nepotist familjarist, klanor, partiak, ekonomik dhe tregtar. JO, së pari pazarllëqet për pushtet dhe për pasuri, duke mos zgjedhur mjete e as metoda të bashkëpunimit me Serbinë vetëm për të ruajtur pushtetin dhe pasurinë, JO interesin e përgjithshëm të POPULLIT dhe të KOSOVËS.

Jemi në kohën e diplomacisë digjitale

Kosova nuk ka nevojë për diplomaci partiake dhe provincialiste (sa parti aq politika, aq diplomaci), por për diplomaci kombëtare dhe shtetërore moderne, sepse jetojmë në shekullin XXI të diplomacisë së avancuar dhe të digjitalizuar, jo në kohën e diplomacisë së "papirusit" të faraonëve të Egjiptit. Ja, gazeta "Kosova Sot", e datës 7 dhjetor 2018, ka publikuar faksimilin e notës njoftuese diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Madagaskarit, se ky shtet afrikan tërheq njohjen e Kosovës. Sipas tekstit të botuar në këtë gazetë, arsyeja e tërheqjes së njohjes së Kosovës, është kjo: "Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Madagaskarit shpreh mirënjohjen e saj për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe duke u thirrur letrën e 24 nëntorit 2017 në lidhje me pranimin e Republikës së Kosovës nga Republika e Madagaskarit, ka nderin t`ju njoftojë se pas vlerësimit të situatës në detaje dhe, duke dëshiruar me çdo çmim ta inkurajojë dialogun, i cili vazhdon mes Republikës së Serbisë dhe autoriteteve të Kosovës me zbatimin e Rezolutës 1244 (1999) dhe, gjithashtu për të lejuar të dyja palët të arrijnë një zgjidhje të drejtë, dhe të qëndrueshme politike për çështjen e statusit të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme e Madagaskarit ka marrë vendimin për ta tërhequr njohjen e Kosovës si shtet i pavarur deri në përfundimin e negociatave të cilat zhvillohen në ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare, thuhet në notën verbale, e cilat u është dërguar autoriteteve kosovare." (https://www.kosovasot.info/lajme/335443/notaper ldquocnjohjerdquongamadagas kariraportohetseerdhiedheneadr eseteprishtines/).

Diplomacia sipas formulës nepotiste "lopët e mia ma të mira në katun"

Vështruar në aspektin e së drejtës ndërkombëtare, ky vendim i qeverisë së Madagaskarit është i pakontestueshëm ligjërisht, sepse si njohja, ashtu edhe mosnjohja apo edhe tërheqja e njohjes së një shteti është akt i vullnetshëm dhe i interesit të një shteti, JO kurrfarë akti juridikisht i detyrueshëm qoftë nga korpusi i së drejtës ndërkombëtare pozitive, qoftë nga dispozitat e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Sa më sipër, edhe ky shembull i "çnjohjes" së Kosovës nga ana e shtetit të Madagaskarit, vë në dukje faktin se Kosovës i mungojnë kuadro të afta diplomatike. Prandaj, edhe nuk duhet befasuar tërheqja e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, sepse pa një diplomaci modern të menaxhuar dhe të përfaqësuar nga specialistë përkatës të saj(sidomos të gjeneratës së re të arsimuar në universitetet evropiane perëndimore dhe amerikane), kjo diplomaci ekzistuese sipas formulës nepotiste "lopët e mia ma të mira në katun" nuk mund të ketë kurrfarë suksesi diplomatik në arenën ndërkombëtare për lobimin dhe për ndikimin në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pa një platformë strategjike të unifikuar me konsensus të diplomacisë shtetërore (jo partiake dhe krahinariste) nuk mund të paralizohet lobimi ndërkombëtar i Serbisë për mohimin dhe për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës. Këtë disfatë të DIPLOMACISË SË TINARIT të KALBUR të Kosovës, e dëshmojnë edhe 12 tërheqjet ndërkombëtare të Kosovës. Fundja, edhe sikur Kosova të kishte qenë "konfederatë" me ndonjë shtet tjetër fqinjë, nuk do të duhej të lihej në "mëshirën" e politikës dhe të diplomacisë së dallkaukëve dhe të kolltukofagëve të tillë, që interesat e veta personale, klanore, partiake dhe korrupcioniste i kanë vënë mbi interesin e përgjithshëm kombëtar dhe shtetëror të Kosovës. Kjo është katastrofa e politikës së brendshme dhe të jashtme të Republikës së Kosovës, e cila për çdo ditë po vetizolohet nga mbështetja.

 

(Kosova Sot)