VETTING-u mbetet shpresë e vetme e shkapjes së pushtetit nga bandat e inkriminuara

VETTING-u mbetet shpresë e vetme e shkapjes së pushtetit nga bandat e inkriminuara
  • 10 December 2018 - 08:09

SHKRUAN: RAMIZ BOJAJ

Vrasja e drejtësisë do të thotë vrasje e shtetësisë. Ndikimi politik në gjyqësi, në prokurori e në polici kanë shkaktuar vrasjen e drejtësisë në Kosovë, e bashkë me këtë është rrënuar edhe besueshmëria në sistemin e drejtësisë e të sigurisë në Kosovë. Ky është alarmi i fundit për të shpëtuar segmentet më vitale të shtetit.

Hajdutët e pushtetit po e vrasin shtetin çdo ditë. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë bërë sistem në Kosovë, duke bërë shtetin e ri territor të minuar për drejtësinë, zhvillimin ekonomik, proceset shtetndërtuese, integruese etj. Që nga paslufta, sidomos pas shpalljes së pavarësisë me 17 shkurt 2008, partitë e puçura me pushtetin u shndërruan në korporata të mëdha biznesore e kriminale dhe si të tilla, qëndrimi në pozitë apo opozitë nuk ka më kuptim. Kuptim i vetëm në politikën kosovare është fuqia e parasë, mashtrimit, zhvatjes... Segmentet e krimit të organizuar janë ndërtuar nga pushtetarët mafiozë dhe sot kemi një pushtet skajshërisht të korruptuar me një opozitë të ngathët (partitë qe shijuan pushtetin e bashkëqeverisjen) përballë kërcënimit të shtetit për jetë a vdekje. Pozita dhe opozita janë shtylla të njëra-tjetrës, duke i shërbyer krimit e korrupsionit, e jo për ta luftuar atë. 

Rritja e pagave qeveritare, prioritet

Kritikat opozitare për krim e korrupsion janë fushatë 'thirrje' për bashkëqeverisje dhe ndarje të 'gjahut' të grabitur, e jo luftë reale për ta luftuar të keqen. Pozitën dhe opozitën në Kosovë i bashkon lakmia për para e pushtet, e asnjëherë interesi nacional e shtetëror. Andaj jemi në një situatë kur qytetari i Kosovës, (votuesi) e ka shumë të vështirë të përzgjedhë të preferuarin politik për të rikthyer shpresën e humbur për jetë më të mirë në Republikën e Kosovës. Jemi dëshmitarë se Qeveria aktuale është e mbipopulluar me ministri të panevojshme, me ministra e zv. ministra, këshilltarë e zyrtarë të lartë qeveritar, krejtësisht të panevojshëm për shtetin, por të domosdoshëm për funksionimin e sistemit korruptiv e kriminal të Kosovës. Qeveria "Haradinaj" ka në gjirin e vet rreth 100 zv.ministra qe 'ushqehen' nga taksapaguesit tanë, por qe u mungojnë planet e duhura të punës dhe shërbimeve të domosdoshme. Ky është keqpërdorim flagrant i pushtetit dhe ambicie e egër për zhvatje. Të njëjtin problem e kemi edhe në sistemin e drejtësisë, policisë, korporatave të mëdha publike etj., ku drejtësia në Kosovë u shndërrua në 'banjë' publike për të shpëlarë hajnat e jo t'i shërbejë rendit e ligjit. Edhe avancimet politike qe kanë ndodhur e po ndodhin akoma (postet ministrore përfaqësimi ndërkombëtar) etj., maten me shkallën e servilitetit e assesi të perfomancave profesionale, përvojës apo nevojave adekuate. Fatin e drejtësisë e kanë në dorë kriminelët politikë, andaj sot kemi policë të rrahur nga 'harambashët', prokurorë të ndjekur e të kërcënuar (rasti i Elez Blakajt), por kemi lista të stërfryra të veteranëve, alias votues të pushtetarëve mafioze, ministra e zv ministra më qindra dosje kriminale e korruptive. A nuk ishte bërë kryeministër i Kosovës, njeriu i cili e kishte bërë Prishtinën qendër kaosi?! - ku kriminelët e ndërtimit bashkë më mafiozët e pushtetit e shndërruan kryeqytetin në një fushë biznesi të paskrupullt. Kryetari i LDK-së me mbi 70 dosje që kanë të bëjnë me keqpërdorimet në Komunën e Prishtinës, ishte avancuar në kryeministër e si mund ta luftojë ky njeri pushtetin e inkriminuar ose korrupsionin?!. Kemi president me akuza të rënda për krime, i cili të gjitha kalkulimet e manovrimet i bënë për tu shmangur nga drejtësia. Kemi shef të Qeverisë i cili prioritet primar kishte rritjen e pagave për vete dhe ortakët e tij si dhe mbipopullimin me ministra e zv. ministra pa asnjë kriter .... Me pushtetarë të tillë nuk presim luftimin e krimit e korrupsionit. Kjo dëshmon se politika ka vrarë drejtësinë. Vrasja e drejtësisë do të thotë vrasje e shtetësisë. Ndikimi politik në gjyqësi, prokurori e polici, kanë shkaktuar vrasjen e drejtësisë në Kosovë, e bashkë me këtë është rrënuar edhe besueshmëria në sistemin e drejtësisë e të sigurisë në Kosovë. Ky është alarmi i fundit për të shpëtuar segmentet më vitale të shtetit. 

Drejtësia është barometër që mat edhe kredibilitetin e shtetit

Andaj VETTING-u mbetet shpresë e vetme e shkapjes së pushtetit nga bandat e inkriminuara. Por këtu shihet qartë se deputetët e diktuar dhe partitë politike të financuara nga fondet e dyshimta e zhvatje të parasë publike, i tremben drejtësisë dhe llogaridhënies. Andaj, si pozita ashtu edhe opozita, ruajnë interesin e tyre të monopolit mbi drejtësinë, ku politika aktuale u shërben vetëm bandave dhe kriminelëve. Pra, pa një veprim të vendosur kundër pushtetarëve të korruptuar, nuk do të ketë shpresë se në këtë vend do të sundojë ligji. Dhe kjo iniciativë tashmë është iniciuar nga miku i madh i Kosovës, Ambasadori i SHBA-së , Philip Kosnett. Ky është alarmi i fundit për funksionalizimin e sistemit të drejtësisë në vend, element akut ky, për ruajtjen e kredibilitetit të shtetit tonë. Sistemi në letër nuk mund të jetësohet pa personalitete kredibile (etike e profesionale), të cilët shtyjnë në funksion parimin e ligjshmërisë. Ngase, hajdutët e pushtetit të shpërndarë nëpër pushtete e institucione të ndryshme shtetërore ruajnë njëritjetrin nga ndjekja e drejtësisë, në kontekst të të cilit organizohen më të gjitha mjetet që t'i luftojnë ose shantazhojnë iniciatorët e vendosjes së rendit e ligjit. Inicimi i një ligji që i hap rrugë VETTING-ut mbetet e vetmja shpresë për të vendosur rregull, rend e ligj në Republikën e Kosovës. Drejtësia është barometër, i cili mat edhe kredibilitetin e shtetit në kontekstin ndërkombëtar. Andaj, ngecja në sistemin e drejtësisë, do të thotë ngecje në shtet-ndërtim dhe vetë-izolim në geto.

 

(Kosova Sot)