Marrëveshja e May-it rreth Brexit-it injoron ankesat e vërteta të Brexitersave

Marrëveshja e May-it rreth Brexit-it injoron ankesat e vërteta të Brexitersave
  • 10 December 2018 - 08:16

Shkruan: IAN BURUMA

Përçarja midis kundërshtarëve dhe mbështetësve të Brexitit në votimin e referendumit të vitit 2016 ka mbetur ende

Theresa May ka shëtitur kryq e tërthorë Mbretërinë e Bashkuar për të arsyetuar marrëveshjen e Brexit-it që ajo ka arritur me BE-në, si të vetmen mënyrë për të bashkuar një vend të ndarë. Ajo shpreson se publiku do të bëjë presion mbi anëtarët e parlamentit që përfundimisht ta mbështesin marrëveshjen edhe nëse e hedhin poshtë atë në votën e tyre më 11 dhjetor. Por, kërkesa e kryeministrit është e çuditshme. Largimi nga BE-ja sipas kushteve të May-it, do ta bëjë më të vështirë për të kapërcyer ndarjet e thella që referendumi i vitit 2016 i zbuloi dhe i zmadhoi. Përçarja midis kundërshtarëve dhe mbështetësve të Brexitit në votimin e referendumit të vitit 2016 ka mbetur ende. Ajo ka ndarë dy kampet në Britani me identitete të polarizuara që tejkalojnë lidhjet tradicionale të partisë. Ndarja rrjedh nga dallimet e thella ekonomike, të moshës, arsimore dhe kulturore.

Dallimet sociale

 Në përgjithësi, britanikët që mbështetën qëndrimin në BE ishin më mirë ekonomikisht, kishin tendencë të ishin më të rinj dhe të arsimuar dhe ishin më ekstrovertë. Përkundrazi, ata që dëshironin të largoheshin ishin më keq ekonomikisht, më të moshuar dhe më pak të arsimuar, dhe çmonin një ndjenjë tradicionale të identitetit britanik, gjë që i bënte ata veçanërisht të shqetësuar për imigracionin. Këto ndarje u rreshtuan me një hendek rajonal midis Londrës së begatë dhe pjesëve më pak të pasura të Anglisë, veçanërisht në brendësi të vendit dhe në veri. Në shikim të parë, marrëveshja e May-it duket se premton një formë të pajtimit, pasi që i ofron diçka të dyja palëve, si kundërshtarëve, po ashtu edhe mbështetësve të Brexitit. Lëvizja e lirë e njerëzve nga BE-ja do të përfundojë, por qeveria synon të arrijë një partneritet të ngushtë ekonomik me BE-në. Megjithatë, ky kompromis do të arrijë shumë pak efekt, për aq kohë sa vazhdojnë ndarjet themelore që ndajnë dy 'fiset' e Britanisë. Kjo do të ndodhë nëse qeveria nuk iu përgjigjet ankesave reale të Brexitersave: se modeli mbizotërues i tregut të lirë nuk punon më për ta. Nuk është rastësi që Britania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përjetuar një revoltë të ashpër populiste. Të dy vendet kanë qenë mbështetëse të liberalizimit ekonomik që nga vitet 1980 nën Ronald Reaganin dhe Margaret Thatcherin. Çlirimi i tregjeve kishte kuptim në Britani kur gjerat e mëdha të ekonomisë ishin në duart e publikut dhe kishte shumë pengesa në ndërmarrjet private. Por, ritmi drejt çlirimit të forcave të tregut pa ofruar ndihmë të mjaftueshme për ata që luftojnë përballë konkurrencës globale ka shkuar shumë larg. Tani shteti britanik duhet të ndryshojë sërish pikat e tij. Kjo nuk do të thotë një përpjekje të kotë për t'u tërhequr në një ekonomi fortesë dhe për të ngritur pengesën kundër migracionit. Përkundrazi, qeveria duhet të bëhet shumë më proaktive në mbrojtjen e humbësve ekonomikë nga globalizimi, si dhe në promovimin e fituesve.

Deficiti në tregtinë e mallrave

Një prioritet është një përpjekje e qëndrueshme për të promovuar prodhimin, i cili siguron punë të paguara mirë dhe është veçanërisht e rëndësishme në brendësi të vendit, në veri të Anglisë dhe Irlandës së Veriut. Për një kohë të gjatë qeveria britanike ka lënë pas dore një sektor që luan një rol jetësor në rajonet më pak të begata. Çuditërisht, një vend që dikur ishte një punëtori e botës, tani ka një deficit në tregtinë e mallrave (ku dominon prodhimi) që nga viti 1983. Mangësitë industriale të Britanisë së Madhe nënkuptojnë se ajo importon shumë më tepër mallra sesa që eksporton, duke krijuar një mungesë në tregtinë e mallrave 6.7 për qind të GDP-së në vitin 2017. Një reformë edhe më e rëndësishme është trajtimi i disavantazheve themelore në kapitalin njerëzor. Rivitalizimi i arsimit profesional, është thelbësore për të kapërcyer mangësitë në aftësi. Qeveria ka prioritizuar me kohë universitetet, të cilat në vitet e fundit kanë marrë një dhuratë të majme përmes tarifave të larta të shkollimit, të paguara nga kreditë studentore të financuara nëpërmjet huamarrjes publike. Në kontrast të thellë, qeveria ka lënë pas dore kolegjet e arsimit të mëtejshëm që ofrojnë kurse në aftësi të veçanta profesionale dhe kujdes për të rriturit që kanë pasur më pak sukses në shkollë ose kanë nevojë të arrijnë më vonë në jetë. Megjithatë, këto institucione janë të domosdoshme për ata që e gjejnë veten në anën e gabuar të vijës ekonomike. Mbi të gjitha, Britania duhet të bëjë një përpjekje të vendosur që të ribalancojë ekonominë larg nga Londra dhe ndaj rajoneve më pak të lulëzuar jashtë kryeqytetit dhe Juglindjes. Hendeku afatgjatë rajonal është zgjeruar nga kriza financiare pasi ekonomia e Londrës e tejkaloi pjesën tjetër të vendit gjatë rimëkëmbjes. Nëse zonat që luftojnë jashtë zonës së prosperitetit të kryeqytetit duhet ta arrijnë Londrën, atëherë ato kanë nevojë për më shumë fuqi politike dhe burime për të ndërtuar infrastrukturën lokale dhe për të rritur aftësitë.

Largimi nga doktrinat e tregut të lirë

Nën kryeministren May, qeveria është larguar nga doktrinat e tregut të lirë pasi përpiqet të korrigjojë dëmet ekonomike të shkaktuara tashmë nga votimi i Brexitit. Ajo ka hartuar një strategji industriale, një qasje e braktisur nga Thatcher si një përpjekje e pafrytshme për të zgjedhur fituesit. Versioni May kërkon më shumë ndjeshmëri për të nxitur burimet themelore të rritjes ekonomike si investime më të larta në R & D (kërkime dhe zhvillim) dhe përmirësime në infrastrukturë. Qeveria gjithashtu ka njohur nevojën për të përmirësuar arsimin profesional. Dhe, ajo po mbështet zhvillimin rajonal përmes projekteve të tilla si "Northern Powerhouse". Kjo synon të rritë produktivitetin në anën veriore të Anglisë, një rajon me më shumë se një të katërtën e prodhimeve të Britanisë. Problemi është se një shtet më proaktiv britanik do të duhet të shpenzojë shumë më shumë për iniciativa të tilla nëse dëshirohet që masat të jenë efikase. Por, siç treguan parashikimet zyrtare të nxjerra në fund të nëntorit, Brexiti sipas kushteve të May-it do ta bëjë Britaninë më të varfër sesa qëndrimi në BE. Kjo, nga ana tjetër, do të thotë se baza e taksave do të jetë më e vogël në një kohë kur kërkesa edhe më imponuese për portofolin publik po rritet, pasi një popullsi e plakur rritë shpenzimet për shëndetin, pensionet dhe kujdesin social. Duke qitur kripë në plagë, Brexit nënkupton largimin nga Banka Evropiane e Investimeve, një burim i rëndësishëm i financimit për investimet në infrastrukturë. May ka të drejtë kur thotë se vendi duhet të bashkohet. Por, ajo gabon kur argumenton se marrëveshja e saj do ta arrijë këtë. Ajo marrëveshje ka një të metë fatale. Duke dëmtuar ekonominë, do ta bëjë më të vështirë të grumbullojë burimet publike të nevojshme për të trajtuar ndarjet themelore midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të Brexitit. Paradoksi i Brexit është se mënyra më e mirë për të ndrequr çarjen e ekspozuar,është duke qëndruar në BE.

 

(Kosova Sot)