Faleminderit Donald Trump për mbështetjen e Ushtrisë së Kosovës!

Faleminderit Donald Trump për mbështetjen e Ushtrisë së Kosovës!
  • 11 December 2018 - 08:11

SHKRUAN: PROF.DR. MEHDI HYSENI

P as vizitës së paradokohshme, që kryeministri Ramush Haradinaj i bëri Amerikës (takimi me Sekretarin e Mbrojtjes James Mattis në Pentagon) deklaroi se : " E KEMI BEKIMIN E AMERIKËS PËR FORMIMIN E USHTRISË SË KOSOVËS" . Ramush Haradinaj, më gjerësisht : "Atë që dua ta veçoj në tërësi është, po them ashtu një respekt shumë i madh nga ana e institucioneve të Amerikës, në këtë rast atyre të sigurisë, veçanërisht nga gjenerali Matis, pra sekretari i Mbrojtjes, dhe përkrahjen e tij për ushtrinë e Kosovës. Pra, mund t'iu themi se Kosova e ka bekimin e Amerikës dhe Parlamentit të Mbrojtjes për Ushtrinë e Kosovës. Ky ndoshta është lajmi më i mirë që e sjellim prej Amerike kësaj here". Kosova pa ushtri përherë do të rrezikohet nga Serbia gjenocidale kolonialiste ). Nuk ka dyshim se ky lajm me peshë të rëndësishme historike për shtetin dhe për popullin e Kosovës, më bëri të ndihem shumë i lumtur dhe i gëzuar se establishmenti amerikan drejtuar nga Presidenti i nderuar Donald Trump ka marrë vendim, që ta ndihmojë Qeverinë e Kosovës për formimin e ushtrisë së rregullt të Kosovës. Ndaj, deklarata e kryeministrit Ramush Haradinaj për media, se më 14 dhjetor 2018, FSK-ja, do të transformohet në USHTRINË E RREGULLT TË KOSOVËS, na gëzon të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë Kosovës ngaqë formimi i saj, hap një kaptinë të re historike të mbrojtjes ushtarake të Kosovës nga çdo agresor qoftë i jashtëm apo i brendshëm. Me një fjalë Ushtria e Kosovës, do të jetë garant i mbrojtjes, i sigurisë, i pavarësisë dhe i sovranitetit territorial dhe shtetëror të Republikës së Kosovës, si dhe të gjithë qytetarëve të saj pavarësisht nga statusi i tyre etnik dhe politik. Me formimin e Ushtrisë nacionale të Kosovës, vdesin përgjithmonë aspiratat e politikës militariste të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë, duke i spastruar etnikisht dhe pushtuar territorin e tyre autokton pellazgo-ilir. Serbia e kundërshton formimin e Ushtrisë së Kosovës, sepse ushqen iluzione se ushtria dhe policia e saj sërish, do të rikthehen në Kosovën e dikurshme pa ushtri (1912-1999) për të kryer gjenocid dhe për ta djegur Kosovën! Kjo është arsyeja thelbësore, që populli i Kosovës, me çdo çmim, duhet të ngulmojë, që sa më parë dhe, sa më shpejtë ta detyrojë qeverinë dhe kuvendin e Kosovës për ta formuar USHTRINË E RREGULLT të Kosovës, pavarësisht nga ndërhyrja dhe nga përzierja e politikës propagandistike, militariste dhe hegjemoniste kërcënuese të Serbisë kolonialiste në çështje të brendshme të Kosovës (2008-2018), duke pretenduar, që një ditë me forcë ta rikthejë Kosovën shqiptare (mbi 90%) nën sundimin e dikurshëm kolonial (1912-1999). Ky është shkaku kryesor i sëmundjes njëshekullore të Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale, që shqiptarët t'i lërë pa USHTRI TË VETEN si këtu e 100 vjet më parë, në mënyrë që sa herë t'i "qohet kolla" t'i konvertojë, t'i shpërngulë dhe t'i shfarosë shqiptarët e paarmatosur, duke i masakruar dhe djegur në zjarr gra, fëmijë, burra, djem, vajza e pleq, pa dallim moshe sikurse edhe në gjenocidin e fundit (1989-1999). Kjo barbari çetniko-fashiste ndodhi, pikërisht pse Kosova nuk kishte ushtrinë e vet nacionale. Ndryshe, Serbia as që do të kishte guxuar të ëndërronte terrorin, agresionin, masakrat dhe gjenocidin ndaj shqiptarëve në Kosovës, sepse do të digjej në zjarrin dhe në flakën e tyre, jo vetëm në Kosovë, por deri në Kalamegdan të Beogradit. Prandaj, Evropa Perëndimore, NATO-ja, BE-ja dhe Amerika nuk duhet ta lejojnë Serbinë, që të përzihet në punë të brendshme dhe të jashtme të Kosovës, duke penguar formimin e ushtrisë së rregullt nacionale të Kosovës, sepse kjo do të ishte fatalitet dhe padrejtësia më e madhe ndaj shqiptarëve të pambrojtur dhe Kosovës. Fundja, Serbia gjenocidale dhe kolonialiste e di se, nëse Kosova mbetet pa ushtri të vet nacionale, do ta ketë lehtë që ta sulmojë në çdo kohë dhe, të vrasë e masakroj shqiptarët sa t'ia dojë qejfi, ashtu sikurse që bëri me gjenocidin e fundit (1989-1999). Mirëpo, me formimin e Ushtrisë së Kosovës më 14 dhjetor 2018, Serbisë, do t'i vriten të gjitha ëndrrat dhe shpresat për invadimin e Kosovës sikurse më 1912, 1913,1914, 1918, 1945, 1989.

Kur Serbia i thotë JO Ushtrisë së Kosovës, shqiptarët urgjentisht duhet ta bëjnë atë!

Lidershipi i Kosovës, sa më parë të jetë e mundur, do të duhej që FSK-në ta transformonte në Ushtrinë e rregullt të Kosovës për t'u treguar serbomëdhenjve, se në Kosovë ZOT janë shqiptarët, JO Serbia kolonialiste dhe gjenocidale. Me një fjalë, qeveria, kuvendi dhe presidenca e Serbisë mund të vendosin dhe të nxjerrin ligje vetëm për qytetarët e tyre brenda Republikës së Serbisë, jo në Kosovë, në asnjë mënyrë mbase kjo është shteti pavarur dhe sovran, që nga 17 shkurti 2008. -Ushtria e Kosovës e as shqiptarët nuk e rrezikojnë Ballkanin, as Evropën e as botën, por "Velika Srbija" ka qenë ajo që ka shkaktuar luftërat ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore për t'i mbrojtur interesat strategjike të Aleancës së sllavëve jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropën Lindore dhe në atë Juglindore. Ky ishte shkaku i vrasjes së trashëgimtarit të fronit të AustroHungarisë, Franc Ferdinand, më 28 qershor 1914 në Sarajevë nga atentatori terrorist serb Gavrilo Princip, i cili, njëherazi ishte edhe aktivist i Organizatës së fshehtë terroriste serbe "Dora e zezë", e drejtuar nga koloneli serb Dragutin Dimitrijeviq (Apis).

Ballkanin e rrezikon "Velika Srbija", jo Ushtria e Kosovës!

Kjo është arsyeja kryesore, pse Kosova, Amerika, NATO-ja dhe BE-ja, duhet që sa më parë ta legalizojnë Ushtrinë e Kosovës. Sepse Ushtria e Kosovës nuk rrezikon Ballkanin, por hedhurinat dhe mbetjet-recidivat e fashizmit, të kolonializmit, të hegjemonizmit, të ekspansionizmit dhe të militarizmit të Serbisë së Madhe (1844-2017). Ky është problemi serioz i Ballkanit, i cili edhe pas kryerjes së tri gjenocideve të Serbisë kundër Kroacisë, Bosnjë dhe Kosovës (1989-1999), kjo, edhe sot ushqehet me pretendime territoriale ndaj Kosovës, me qëllim që ta rikthejë nën sundimin e dikurshëm kolonial (1912-1999). Ushtria e Kosovës i ka vënë në lëvizje të të gjithë armiqtë e pavarësisë së Kosovës! Riaktualizimi i formimit, përkatësisht i legalizimit të Ushtrisë së Kosovës ( mbase UÇK-ja është formuar qysh gjatë viteve të 90-ta të shekullit XX, kur ushtria, policia dhe forcat barbare paramilitare të Serbisë gjenocidale të Slobodan Milosheviqit patën ripushtuar dhe rikolonizuar Krahinën Autonome të Kosovës, më 1989) pothuajse është bërë "temë sensacionale" jo vetëm për Serbinë kolonialiste, por edhe për Ballkanin dhe për Evropën saqë ekspertët dhe analistët e tyre me orientim të mbështetjes së strategjisë ruso-sllave evropiane dhe ballkanike kanë shkuar aq larg me komentet dhe me analizat e tyre "profesionale" politike saqë transformimin e FSK-së në Ushtrinë e rregullt të Kosovës e kanë cilësuar si faktorin kryesor strategjik të formimit të ashtuquajturës "SHQIPËRIA E MADHE". Kjo është parullë propagandistike antishqiptare e Beogradit dhe e partnerëve të tij sllavë ballkanikë dhe të Evropës Lindore me Rusinë në krye, plotësisht simetrike me parullën e dikurshme çetnikofashiste serbomadhe se "pavarësimi i Kosovës, do ta destabilizonte Ballkanin"! Mirëpo, kjo shpifje dhe kjo akuzë e politikës, e propagandës, e diplomacisë, e Kishës Ortodokse Serbe, e publicistikës dhe e kuazishkencës serbe në praktikë ngeli vetëm si parullë e shkruar në letër, asgjë më shumë (ndonëse shfrytëzohej si pretekst për survejimin, arrestimin, burgosjen dhe dënimin drakonik të shqiptarëve, të cilët kërkonin dhe vepronin, që Kosova të fitonte statusin e Republikës mbi parimin e kombësisë sikurse republikat e tjera të ish-RSFJ-së së Titos), sepse koha 9-vjeçare (17 shkurt 2008-2018) e pavarësimit të Kosovës dëshmoi krejtësisht të kundërtën e parullës së theksuar serbomadhe mbase Republika e pavarur dhe sovrane e Kosovës nuk rrezikoi as minoritetin serb, as Republikën e Serbisë, e as nuk e përflaku rajonin ballkanik, por vetëm se varrosi përgjithmonë ëndrrat dhe aspiratat e sundimit kolonial shekullor të Serbisë së Madhe (1848-2018). Pikërisht, ky realitet i sotshëm ia verbon sytë politikës kolonialiste dhe neokolonialiste të Serbisë së pareformuar dhe të pademokratizuar (2000- 2018), e cila po pretendon të hyjë në BE, por duke mos e njohur Kosovën si shtet të pavarur e as formimin e Ushtrisë së saj!? Kjo strategji antishqiptare, antievropiane dhe antiamerikane e Serbisë, duhet të shkallmohet politikisht dhe diplomatikisht nga ana Uashingtonit, e Brukselit, e Berlinit, e Parisit, e Romës, e Vjenës e Otavës dhe e Kanberas, sepse rrezikon interesat afatgjata strategjike të Amerikës, të NATO-s dhe të BEsë në Ballkan.

(Vijon)

 

 

(Kosova Sot)