Lëvizja "Për Universitetin", "Lëvizje për Universalitetin"

Lëvizja
  • 14 December 2018 - 08:05

SHKRUAN: SKËNDER SADRI KAPITI

I shte VETTING-u, i cili u miratua vetëm falë këmbënguljes së SHBA-së dhe BE-së, si reforma më e madhe, e cila do ta reformojë edhe shtetin, edhe shoqërinë shqiptare. VETTING-u erdhi si domosdoshmëri jetike për shqiptarët për ta pastruar drejtësinë dhe për ta dekriminalizuar politikën. Mirëpo, Lëvizja studentore, "Lëvizja për Universitetin", e cila filloi si kërkesë për kundër tarifave dhe për plotësimin e kushteve të studentëve nxori në dritë diçka shumë të errët dhe kriminale: profesoratin akademik mësimdhënës injorant, krimin intelektual universitar, shitblerjen e notave dhe të diturisë, pra krimin e diturisë, korrupsionin universitar.

Pra, kërkesa kryesore tashmë është domosdoshmëria e VETTING-ut intelektual ,arsimor, universitar dhe akademik, pasi edhe aty, pra edhe Universiteti, qenka kapur nga krimi i korrupsionit universitar, i cili është njëlloj i dëmshëm ashtu sikurse edhe krimi politik,politika e kriminalizuar, krimi gjyqësor dhe krimi i korrupsionit të shtrirë tashmë kudo e që kanë kapur shoqërinë , shtetin dhe rininë. Shqiptarët janë mashtruar dhe janë gënjyer Pra, në këto kushte ku ndodhet sot jo vetëm rinia studentore, por e gjithë rinia dhe shoqëria shqiptare, nuk ka dhe nuk duhet kërkuar vetëm zgjidhje të pjesshme, specifike dhe relative për një shtresë të shoqërisë, qofshin pra edhe këto kërkesa të studentëve, por duhet një zgjidhje gjithëpërfshirëse, universale, shoqërore, sepse edhe nëse plotësohen këto kërkesa tejet të drejta dhe minimale të Rinisë Studentore, ato nuk e ndryshojnë gjendjen e rënduar ekonomike, as papunësinë, as mjerimin e varfërinë, as nuk ndalojnë eksodin e shqiptarëve, të rinisë dhe të studentëve shqiptarë.

Pra, Shqipëria dhe shqiptarët kanë shumë halle, probleme dhe problematika të pazgjidhura, dhe nuk e di se a ka ndonjë gjë që është zgjidhur drejt dhe si duhet në Shqipëri gjatë këtij tranzicioni. Dhe, autore e kësaj gjendje është elita politike, është establishmenti politik i këtij tranzicioni, i cili e ka sunduar dhe keqqeverisur Shqipërinë. Shqiptarët janë mashtruar dhe janë gënjyer, janë vjedhur dhe grabitur, janë varfëruar dhe asnjë politikë pushteti dhe as opozita politike e këtyre viteve nuk e ka pasur synim e qëllim përgjegjshmërinë, shërbimin dhe interesin publik dhe kombëtar, por vetëm atë privat e personal. Kjo elitë politike vetëm sa ka manipuluar me shoqërinë shqiptare, duke përfshirë këtu edhe inteligjencën studentore, duke i përçarë dhe përdorur ato si lëndë njerëzore për t'u marrë atyre vetëm votën e për të siguruar korrupsionin, vjedhjen, pasurimin, autoritetin, përfitimet dhe pushtetin personal, klanor e partizan.

Pensionimi politik Pra, kjo "Lëvizje Për Universitetin" duhet të marrë përsipër e të bëhet "Lëvizje për Universalitetin"- për individin, për interesat publike, për demokracinë, për ligjin, për shtetin ligjor, për drejtësinë, për diturinë, për patriotizmin, për mirëqenien dhe për integrimin. Dhe një lëvizje e tillë duhet ta bëjë e ta themelojë si forcë politike edhe Rinia studentore në Kosovë po për këto arsye se edhe atje duhet një Lëvizje për VETTINGun si një lëvizje antipolitike kundër establishmentit politik dështak edhe atje. Dhe kjo bëhet nëse Lëvizja e sotme për Universitetin të shndërrohet në një Lëvizje që ta kërkojë pushtetin dhe qeverisjen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, sepse vetëm tek ajo do të besojë populli, shoqëria dhe votuesi shqiptar për ta çuar në pension politik këtë elitë të keqe politike, e cila ka funksionuar si elitë regjimi dhe që e ka çuar vendin dhe shoqërinë shqiptare në këtë gjendje të rëndë.

(Kosova Sot)