Mosliberalizimi i vizave kërkon dorëheqje?!

Mosliberalizimi i vizave kërkon dorëheqje?!
  • 14 December 2018 - 08:10

SHKRUAN: MR.BISLIM ALIU

Gjithsesi çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës ka kaluar në një lojë fëmijësh, në një "pazar" fjalësh të mëdha teorike e bajate, dhe ende liberalizimi nuk po duket as në horizont. Edhe pse Johannes Hahn, komisioneri evropian për dialog e zgjerim, para do ditësh u shpreh se vizat mund të merren ndoshta me 2020 dhe nuk precizoj hollësi konkrete të tjera?! Pra, që 8 vjet pushtetarët tanë japin premtime e fjalë të mëdha boshe, e liberalizim ende nuk ka.

Na u ka mbush koka nga premtimet e fjalët e pushtetarëve dhe na u ka bë "hambar drithi" nga premtimet për liberalizim. Pra, që 8 vjet "kokorisin" pandalshëm me premtime se do të bëhen; pas tre muajve, gjashtë muajve, në fund të vitit, në vitin e ardhshëm, për Krishtlindje, për festën e Pashkëve, për Bajram… e premtime e fjalë boshe, e populli është i zhgënjyer totalisht nga fjalët e pushtetarëve tanë, e liberalizim të vizave nuk ka?!!! Jam i vetëdijshëm se Kosova jonë e dashur i ka plotësuar kriteret e përgjithshme që nevojiten për liberalizim. Megjithatë, Evropa"plakë" sikur është ende në mëdyshje për t'ia dhënë liberalizimin e vizave qytetarëve të Kosovës. Ajo sigurisht tani sikur mbështetet në krim të organizuar e në korrupsion, të cilët që 20 vjet kanë shti rrënjë bukur të thella te pushtetarët tanë. Apo mos vallë BE-ja pret ndonjë marrëveshje me Serbinë dhe tevona ajo ndoshta do të angazhohej më tepër për dhënien e vizave për Kosovën! Sido që të jetë ne nuk mundemi vetëm BE-në ta fajësojmë për liberalizim.

Më tepër mund t'i fajësojmë pushtetarët dhe të zgjedhurit tanë të cilët kanë dështuar në premtimet e dhëna para popullit. Ndaj përgjegjësi mban edhe pozita, por edhe opozita, të cilët së bashku kanë dështuar që Kosovën ta qojnë përpara. Pra, me këtë, kanë treguar sheshazi, se nuk janë të zotët ta zhvillojnë vendin dhe duke harruar popullin që të vuajë që 20 vjet, duke ua humbur edhe shpresën e fundit që të jetojnë edhe më tej në Kosovë. Çka tregoi Johannes Hahn para disa ditësh në Prishtinë? Para disa ditësh Johannes Hahn, Komisioneri evropian për dialog dhe zgjerim, erdhi në Prishtinë për t'i takuar funksionarët e lartë të shtetit tonë. E më së paku foli për liberalizimin e vizave, duke potencuar se ka shpresë se më 2020 mund të japin viza për qytetarët e Kosovës?! Ai më tepër kishte ardhur në lidhje me taksën doganore prej 100 qind për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës. Pra, erdhi që të tregon qëndrimin e BE-së që t'ju bëjë thirrje autoriteteve kosovare në tërheqjen e masave, në përmirësimin marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe në bashkëpunimin rajonal?! Por asnjë fjalë për lëvizjen e lirë, që po u mohohet qytetarëve të Republikës së Kosovës.

E Kosova ka mbetur e mbyllur, pa viza, pa liberalizim dhe pa dalje në shtetet e Shëngenit! A thua, për mosliberalizim kush duhet të japë përgjegjësi apo dorëheqje? Me të vërtetë liberalizimi i vizave ka kaluar caqet e normalitetit. Pra, ka kaluar në një papërgjegjësi totale, duke mos dhënë llogari dhe as përgjegjësi, për fjalët e premtuara apo datat e caktuara, e liberalizim ende nuk ka !

 

Pra që 8 vjet pushtetarët tanë japin premtime e premtime e liberalizim ende nuk ka. Ndaj vallë, për premtime të mëdha dhe për data të caktuara se vizat do t'i marrim, e në realitet nuk na doli ashtu, kush duhet të japë përgjegjësi apo edhe dorëheqje?! Pse në vendet e civilizuara për ndonjë premtim e që nuk e realizon, pushtetari ofron dorëheqje meqë nuk e ka realizuar premtimin. Premtime pa realizime E te ne, në Kosovën tonë, që 8 vjet premtime e premtime e fare realizime a thua çka do të thotë kjo? Dhe, a thua vallë, deri kur pushtetarët tanë të japin llogari për premtimet e propozuara? Dhe, si bëhet vallë që gjer më tani asnjë pushtetar nuk u doli "zot" fjalëve të premtuara dhe nuk u bë burrë e të japë dorëheqje?! Dorëheqja në Kosovën tonë është krejtësisht abstrakte dhe për këtë nuk ndien askush përgjegjësi për premtimet e veta para popullit?!!! Deri kur ky popull të jetë pa liberalizim. I vetmi shtet në Evropë ka mbetur i izoluar dhe pa liberalizimin e vizave. Pra fjalë e fjalë, premtime e premtime, e realizimi i vizave nuk duket askund, e të mos japë askush llogari apo përgjegjësi, kjo ndodh vetëm në Kosovën tonë, ku pushtetarët tanë gjenden mbi ligjin dhe nuk mendojnë fare për fjalët e premtuara para popullit.

E popullit i ka humbur durimi dhe ai sado pak optimizëm që e pat i humbi tërësisht. Ndaj, populli në shtetin e vet ka mbetur i humbur, i hutuar se do të bëhet ndonjëherë mirë në Kosovën tonë të dashur?!...

(Kosova Sot)