Misioni fisnik i ushtrisë së Kosovës!

Misioni fisnik i ushtrisë së Kosovës!
  • 14 December 2018 - 19:01

Shkruan: Prof. As. Dr. Enver Bytyçi

Sot deputetët shqiptarë dhe të disa minoriteteve në Kosovë, përveç deputetëve serbë, votuan tri ligjet, me të cilat Forcat e Sigurisë shndërrohen në ushtri. Prandaj dita e sotme është ditë historike për sigurinë, pavarësinë dhe integritetin territorial të vendit. Siguria, mbrojtja e territorit, sovraniteti dhe integriteti territorial janë funksioni kryesor i shtetit. Pa të nuk ka mirëqenie, arsimim ose diplomaci.

Aktorë dhe autorë të kësaj historie janë të gjithë shqiptarët në Kosovë, qeveria dhe partitë politike,, por jo edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, që punoi kundër sigurisë dhe integritetit territorial të vendit, përkatësisht për ndarjen e tij në favor të shtetit serb. Prandaj të gjithë janë në festë, të gjithë gëzojnë. Të trishtuar janë predikuesit e cënimit të këtij territori në favor të asaj që ishte e mbetet rrezik për sigurinë e Kosovës, Serbisë!

Më 24 shkurt 2008, një javë pas shpalljes së pavarësisë, kam qenë i pranishëm në manifestimin e qindra shqiptarëve në Ennpetal të Gjermanisë dhe në fjalën që kam mbajtur kërkova që sa më shpejt të krijohej ushtria e Kosovës, si garanci për sovranitetin dhe integritetin e vendit. Theksova gjithashtu se nuk duhet që barrën e mbrojtjes së vendit t’ia lemë gjithnjë NATO-s. Një nga autoritetet politike gjermane, i cili foli në atë manifestim, e kundërshtoi idenë time, me arsyetimin se rajoni ka nevojë për paqe.

Sot, pas dhjetë vitesh, rezultoi që paqja mungoi, shteti i Kosovës nuk u njoh plotësisht, sepse Serbia vazhdoi obskurantizmin e diversionin e saj kundër shtetit më të ri në Europë. Kjo ndodhi për shkak se presidenti Hashim Thaçi zgjodhi një rrugë të gabuar për vendin e tij. Në vend të ndërtonte dhe funksionalizonte shtetin ai iu nënshtrua formulës serbe të bërjes së shtetit në pajtim me Serbinë. Kjo formulë rezultoi e dështuar sepse shteti i Kosovës nuk bëhet në marrëveshje me Beogradin.

Shteti dhe ushtria e Kosovës janë e mbeten investimm I shqiptarëve dhe aleatëve tanë të mëdhenj, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Brianisë së Madhe, Gjermanisë dhe vendeve të fuqishme të NATO-s. Kjo do të thotë se ushtria e Kosovës ka një mision më shumë se sa mbrotjen e kufijve të vendit. Eshtë mision që shkatërron përfundimisht ëndërrën e Thaçit, Ramës dhe Viçiqit për t’ia marrë këtij vendi pasuritë e saj e për t’ia dhënë ato Serbisë. Eshtë një mision përtej Trepçës e Ujmarit në shërbim të paqes lirisë, demokracisë, stabilitetit e sigurisë në rajon e kudo ku ka nevoja Aleanca e Atlantikut. Eshtë një rrugëtim i përbashkët me NATO-n e KFOR-in në Kosovë e jashtë saj. Dhe së fundi është një mision i ndryshëm nga ai që shpalli Edi Rama në këtë ditë të shenjtë, duke dhënë rishtas mesazhin e përçarjes midis shqiptarëve!

 

 

(Kosova Sot)