Thank You USA, mburoja dhe garancia për Kosovën!

Thank You USA, mburoja dhe garancia për Kosovën!
  • 15 December 2018 - 08:00

SHKRUAN: SKËNDER SADRI KAPITI 

SHBA-ja ka meritën kryesore historike për çlirimin dhe për Pavarësinë e Kosovës dhe në vazhdimësi edhe për njohjet ndërkombëtare të Shtetit të Kosovës; të mbrojtjes që SHBA-ja i bën Kosovës në OKB, në NATO dhe në mbështetjen që i bën Kosovës për anëtarësimin e saj në të gjithë organizmat ndërkombëtarë

Këtë falënderim për SHBA-në nuk e bëj vetëm unë, por të gjithë shqiptarët, për faktin e rolit të jashtëzakonshëm dhe vendimtar që kanë luajtur dhe luajnë SHBA-të në mbështetje të të drejtave kombëtare, të lirisë, të pavarësisë, të shtetndërtimit të shtetit modern dhe për integrimin si të Shqipërisë edhe të Kosovës. SHBA-ja ka meritën kryesore historike për çlirimin dhe për Pavarësinë e Kosovës dhe në vazhdimësi edhe për njohjet ndërkombëtare të Shtetit të Kosovës; të mbrojtjes që SHBA-ja i bën Kosovës në OKB, në NATO dhe në mbështetjen që i bën Kosovës për anëtarësimin e saj në të gjithë organizmat ndërkombëtarë. 

Faktori Amerikë

Ishin SHBA-të të parat ato që e njohën, ishin ato të cilat e ndërkombëtarizuan dhe e mbështetën UÇK-në, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, trashëgimtare e së cilës është Ushtria e Shtetit të sotëm të Kosovës. Ishin SHBA-të ato të cilat i detyruan shtetet më të fuqishme të Evropës, pikërisht ato prej të cilave një shekull më parë i shkaktuan tragjedinë shqiptarëve, copëtimin e trojeve të tyre, dhe pra SHBA-të i detyruan ato që të mblidhen në Konferencën ndërkombëtare për: Çështjen kombëtare shqiptare, për Kosovën, ku aty për herë të parë në historinë e shqiptarëve u mbajt një konferencë ndërkombëtare për shqiptarët dhe po për herë të parë ku aty ishin edhe përfaqësues të shqiptarëve. Por edhe tani, kur Kosova ka tashmë Ushtrinë e saj, janë po SHBA-të faktori kryesor i cili paravendosi edhe krijimin e Ushtrisë, të Forcave të Armatosura të Kosovës, përkundër edhe pa marrë parasysh se a e dëshironin një gjë të tillë apo jo edhe shumë shtete të vetë BE-së. Pra, edhe tani, edhe sot, janë po SHBA-të ato, të cilat mbështeten edhe transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Shtetit të Kosovës dhe janë po SHBA-të ato të cilat do bëjnë edhe furnizimin e pajisjen, modernizimin dhe përgatitjen me standardet më moderne të kësaj ushtrie. MT: SHBA-ja, aleat strategjik Pra, shqiptarët duhet t'u jenë mirënjohës SHBA-ve, këtij aleati strategjik dhe jetik të shqiptarëve, se pa ndihmën dhe pa rolin e tyre nuk mund të parashikohej se si mund të kishte shkuar rrjedha historike e shqiptarëve, pasi shqiptarët kanë qenë gjithnjë të vetëm në përballje me armiqtë dhe me gjenocidin serbo-sllavo-grek, të cilët kanë pasur edhe mbështetjen jo vetëm të Rusisë, por edhe të Evropës. Për shqiptarët është fat i madh historik formimi dhe ekzistenca e SHBA-së. Janë po SHBA-të ato të cilat promovojnë dhe kontribuojnë aq shumë edhe për drejtësinë shqiptare, si në Shqipëri dhe në Kosovë, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, për ndërtimin e shtetit modern me standarde demokratike, ata janë mbështetësit kryesorë strategjikë edhe për integrimin e dy shteteve shqiptare për në BE.  

 

(Kosova Sot)