Linja e re e ndarjes në politikën perëndimore

Linja e re e ndarjes në politikën perëndimore
  • 15 December 2018 - 08:05

Shkruan: Fareed Zakaria

Fati i Amerikës urbane kundrejt Amerikës rurale është kthyer mbrapshtë

Për Stephen K. Bannon, mënyra për të krijuar një shumicë të qëndrueshme populiste është të kombinosh forcat në të majtë dhe të djathtë. Kjo është arsyeja pse ai ishte në Itali këtë vit, ku partitë që përfaqësonin këto dy anë u bashkuan së bashku në një aleancë qeverisëse. Kjo është arsyeja pse Bannon shpreson të joshë disa nga mbështetësit e Senatorit Bernie Sanders larg nga Partia Demokratike. Por, vendi tjetër ku mund të shikojmë ngritjen e një populizmi të ri të majtë-djathtë është Franca. Deri më tani, protestat e "xhaketave të verdha" në Francë nuk kanë pasur ndonjë parti, strukturë dhe udhëheqje. Por, listat e kërkesave kanë qarkulluar. Në esencën e tyre është një fantazi jofunksionale, sikur që është një kufi kushtetues mbi taksat në 25 për qind, e shoqëruar me një rritje masive të shpenzimeve sociale. Ajo që bën përshtypje te këto manifestime është se ato kombinojnë listat tradicionale të dëshirave nga e majta dhe e djathta. Nuk është çudi, pra, se gati 90 për qind e njerëzve që mbështesin partitë kryesore të ekstremit të djathtë dhe të ekstremit të djathtë e shohin lëvizjen në mënyrë të favorshme, krahasuar me vetëm 23 për qind të njerëzve në partinë qendrore të presidentit Emmanuel Macron.

Ndarja strukturore

Kryengritja e "xhaketave të verdha" është përhapur edhe në Belgjikë, ku koalicioni i brishtë qeverisës ka pësuar kolaps, kryesisht në çështjen e emigracionit. Por përsëri, protestat kanë ndjesinë e pakënaqësisë së përgjithësuar që vjen nga e majta dhe e djathta. Ashtu si në Francë, Shtetet e Bashkuara dhe Britani, lëvizja duket të jetë një reagim rural kundër elitave urbane. Shtrirja midis qytetarëve relativisht më të arsimuar dhe popullsisë rurale më pak të arsimuar duket se është bërë linja e re e ndarjes në politikën perëndimore."Të jashtmit" (autsajderët) ndihen të injoruar ose të poshtëruar dhe ndjejnë një pakënaqësi të thellë ndaj elitave metropolitane. Është pjesërisht klasore, pjesërisht kulturore, por ka edhe një element të madh të ekonomisë për të. Institucioni Brookings ka treguar se që nga kriza financiare e vitit 2008, 72 për qind e fitimeve në punësimin e SHBA-ve janë regjistruar në 53 zonat kryesore metropolitane të vendit. Për të kuptuar ndarjen strukturore që kjo shkakton, mbani në mend se të gjitha qytetet e SHBA së bashku përmbajnë 62.7 për qind të popullsisë së vendit, por zënë vetëm 3.5 për qind të tokës. "Wall Street Journal" ka vënë në dukje se fati i Amerikës urbane kundrejt Amerikës rurale është kthyer mbrapshtë. Në vitin 1980, qytetet ishin jofunksionale, ishin fole të krimit dhe luftonin për t'i mbajtur banorët aty. Sot ato janë duke lulëzuar, në rritje dhe relativisht të sigurta, ndërsa zonat rurale janë të grumbulluara me probleme. Ky hendek urban-rural është gjithashtu i vërtetë në Francë, Itali, Britani dhe shumë vende të tjera perëndimore. Dhe ka gjasa që të përkeqësohet. Hulumtimet nga ekonomistët Daron Acemoglu dhe Pascual Restrepo sugjerojnë se përdorimi i robotëve në fakt e zvogëlon punësimin, nga rreth gjashtë punëtorë për një makinë. Më tej, Acemoglu dhe Restrepo zbulojnë se në Shtetet e Bashkuara, robotët janë vendosur kryesisht në pjesën qendroreperëndimore dhe në jug. Megjithëse zonat metropolitane zakonisht kanë industri të pasur dhe një rritje të krijimtarisë dhe shërbimit, Amerika rurale ka më pak gjasa të jetë vend i qendrave të teknologjisë, argëtimit, ligjit dhe financave. Nëse shkoni në një pjesë rurale të pjesës së mesme perëndimore, zakonisht burimet kryesore të punësimit janë qeveria dhe kujdesi shëndetësor (i cili është pjesërisht i financuar nga qeveria). Njerëzit në këto zona shpesh përshkruhen si të paarsyeshëm në kutinë e votimit. 

Kemi nevojë për një grusht të mençurish

Në Shtetet e Bashkuara ata votojnë për një parti që premton ulje të taksave për shkurtimet e pasura dhe përfitimet për klasën punëtore (d.m.th. për ata). Thomas Edsall nga "New York Times" thekson se ligji i taksave republikane, i vitit 2017, në thelb subvencionon kompanitë për automatizim. Në Evropë propozimet kontradiktore janë miratuar nga e majta dhe e djathta. Por, kjo mund të pasqyrojë thjesht një ankth më të përgjithësuar, një kërkim të verbër për dikë që u premton atyre një të ardhme më të mirë. Libri i Tom Brokaw i vitit 1998 "Gjenerata më madhështore" (The Greatest Generation) është i mbushur me tregime të njerëzve pa kolegj të përfunduar, që jetonin larg nga qytetet e mëdha. Kjo ishte "Amerika e vërtetë". Rajone të ngjashme në të gjithë Francën dikur u quajtën "la Francë profonde". Sot, ato janë vende të dëshpërimit. Në librin e ri të Yuval Hararit, "21 mësime për shekullin 21" ("21 Lessons for the 21st Century"), historiani izraelit thekson se tri ideologjitë më të fuqishme të shekullit XX - fashizmi, komunizmi dhe kapitalizmi demokratik - e vënë personin e zakonshëm në qendër duke i premtuar atij të ardhme të lavdishme. Por sot, duket se kemi nevojë për një grusht të mençurish të cilët, me kompjuterë dhe robotë, do të hartojnë kursin për të ardhmen. Pra, në Francë, në Britani, në Shtetet e Bashkuara, personi i zakonshëm, i cili nuk ka një diplomë joshëse, i cili nuk merr pjesë në TED Talks, i cili nuk ka kapital ose lidhje, do të pyesë në mënyrë të arsyeshme: Ku më lë kjo mua? Për këtë pyetje, askush nuk ka një përgjigje të mirë.

 

(Kosova Sot)