Po na copëtohet territori

Po na copëtohet territori
  • 16 December 2018 - 08:37

SHKRUAN: SELVER LENJANI 

Të nderuar përfaqësues të Shtetit të Kosovës, ju tituj të lartpërmendur. Jam Selver Lenjani, kryetar i Bashkësisë Lokale të Karaçevës, K. K. Kamenicë. - Po ju drejtohem me këtë letër të hapur për t'ju INFORMUAR për COPTIMIN E TERRITORIT TË Kosovës më saktë rreth VENDOSJES SË TABELËS NDËRKUFITARE në mes Kosovës dhe Serbisë në KARAÇEVË të Komunës së Kamenicës e që de fakto ajo tabelë do ta PËRCAKTOJË PIKËN KUFITARE BRENDA TERRITORIT TË KOSOVËS në mes Kosovës dhe Serbisë. Sa për informatë ju bëjmë me dije se ajo tabelë do të vendoset në hyrje te fshatit Karaçevë te kthesa e Novosellës në Komuna e Kamenicës.

Pra, kjo pike gjendet brenda hartës së territorit të Shtetit të Kosovës dhe mbi 26.000 hektarë tokë të Kosovës, me vendosjen e kësaj tabele ndërkufitare, po i bashkohen Serbisë edhe de jure! Po ju drejtohemi juve sepse Ju e keni OBLIGIM KUSHTETUES RUAJTJEN E TERRITORIT të Shtetit të Kosovës. Ne banorët e kësaj ane KËRKOJMË nga Ju të lartpërmendurit,që URGJENTISHT të PARANDALONI vendosjen e kësaj tabele ndërkufitare mes Kosovës dhe Serbisë! - Dua t'ju bëj me dije se ne banoret e kësaj ane jemi në hall të madh nga patrullimi i Ushtrisë dhe Policisë Serbe në vendlindjen tonë, brenda territorit të shtetit të Kosovës, edhe pas 18 vite me radhë, që nga paslufta dhe ne jemi tepër të zhgënjyer nga neglizhenca juaj! Vendlindja ime Karaçeva praktikisht po kontrollohet nga Shteti i Serbisë, sepse këtë gjë po ia mundësojnë neglizhenca dhe papërgjegjësia juaj. Mbi 170 pronarë tokash, me vendosjen e kësaj pike ndërkufitare, po i humbin livadhet dhe arat e tyre që po ia merr Serbia para syve tanë.

Dhe Ju të zgjedhurit e popullit heshtni që 18 vite me radhë…!!! Tmerr! Ne ende NUK e kemi të çartë se si është e mundur që Policia e Kosovës ta ketë TË NDALUAR patrullimin në atë zonë të Karaçevës, e cila gjendet brenda hartës së Kosovës! - Banorët e kësaj ane me të drejtë pyesin se si është e mundur që Serbia do të na japë tri Komuna të Luginës së Preshevës kur ne jemi dëshmitarë se ajo po na i merr para syve tanë edhe Karaçevën me mbi 26.000 hektarë, që është brenda hartës dhe territorit të Kosovës, dhe çuditërisht nga ju si organe shtetërore të Kosovës NUK ka asnjë reagim, edhe pas 18 vjetësh?! - Për fund ju bëjmë ftesë të gjithë juve udhëheqës të lartpërmendur të shtetit të Kosovës që të vini për një vizitë vikendi edhe në Karaçevë sepse edhe Karaçeva është Kosovë dhe e meriton një vizitë nga Ju si të zgjedhurit e këtij vendi…! - Me shpresë se kësaj letre të hapur do t'i jepni përgjigje pozitive, paraprakisht ju faleminderit...! Mirupafshim në Karaçevën e "lirë"...! 

(Kosova Sot)