Kosovë, me fat Ushtria !

Kosovë, me fat Ushtria !
  • 18 December 2018 - 08:08

SHKRUAN: PROF.DR. MEHDI HYSEN

" Moj UÇK ta lumsha syrin, S'guxon kush me të prekë kufirin! As Serbia e Daçiq-Vuçiq-Vulinit! -Çdo armik, do ta mbulojë tymi! S'guxon kush me të prekë në tela, Kemi Shqiponjën me dy krena ". -Amerikën me shtatë zemra ! UÇK-ja me pushkën çlirimtare për liri të Adem Jasharit legjendar, sollën Amerikën dhe NATO-n në Kosovë! Këta tre faktorë historikë, politikë, diplomatik dhe ushtarakë kanë meritat kryesore për pavarësimin dhe për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Ndaj, për këtë fitore të madhe shqiptaro-amerikane për çlirimin e Kosovës, është e udhës të rikujtojmë me pietet katër datat më rëndësishme, që ndryshuan historinë e Kosovës: Dalja në skenën politiko-ushtarake dhe diplomatike e Ushtrisë Kryengritëse Çlirimtare e Kosovës (UÇK) me Kryekomandantin historik kombëtar, ADEM JASHARI; 78- ditëshi i bombardimit të ashtuquajturës Republika Federale Jugosllave (Serbia plus Mali i Zi) nga forcat e Aleancës së Atlantikut Verior (NATO); hyrja e "15 mijë " forcave ushtarake paqësore të NATO-s (KFOR-it) në Kosovë, të komanduara nga gjenerali ushtarak britanik, Mike Jackson, të cilat shqiptarët liridashës i pritën me buqeta lulesh, me buzëqeshe, me gëzim dhe me përqafime të mirëseardhjes, sepse shkelja e tyre në tokën e përgjakur të Kosovës (1912-1999) vulosi fundin e përgjithmonshëm të terrorit, të represalieve , të masakrave dhe të gjenocidit kolonial të Serbisë çetniko-fashiste pushtuese, hegjemoniste dhe militariste në Kosovë (1912-1999); 17 shkurti 2008, shpallja e Republikës së pavarur dhe sovrane nga Kuvendi i Kosovës, si dhe njohja e saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga aleatët e saj europerëndimorë (Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Italia, Belgjika, Kanadaja, Holanda etj.) dhe 14 dhjetori 2018, krijimi i Ushtrisë së Kosovës në saje të mbështetjes direkte politike dhe diplomatike të Amerikës me presidentin e nderuar Donald Trump në krye. -Faleminderit Trump! Faleminderit Amerikë! Serbia kurrë më nuk do të ketë rast, që të hyjë në Kosovë si shtet agresor Nuk ka asnjë dilemë se data 14 Dhjetor 2018 e formimit të Ushtrisë së Kosovës, është datë historike dhe e shenjtë për mbrojtjen dhe për sigurinë e popullit, për mbrojtjen dhe për ruajtjen e pavarësisë dhe të sovranitetit të Kosovës brenda kufijve të saj. Për këtë qëllim është krijuar Ushtria e Kosovës, domethënë për mbrojtjen e interesave dhe vlerave vitale kombëtare dhe shtetërore, Jo për të rrezikuar askë qofshin rezidentë të saj shqiptarë apo të nacionaliteteve dhe të etnive të ndryshme, e as për të rrezikuar dhe kërcënuar ndonjërën prej shteteve fqinje në rajon.

Pavarësisht nga akuzat dhe shpifjet kërcënuese dhe vulgare të politikës propagandistike të liderëve politikë ultranacionalistë, drejtues të Serbisë (Aleksandar Vuçiqi, president, Ana Bërnabiq, kryeministre , Ivica Daçiq, nënkryeministër dhe ministër i Jashtëm, Aleksandar Vulin, ministër i Mbrojtjes dhe Marko Gjuriq, "ambasador" në qeverinë e Serbisë për Kosovën, që ka rolin më të vështirë për ta destabilizuar Kosovën) se gjoja "formimi i Ushtrisë së Kosovës, do të kërcënojë stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon", kjo është vetëm floskulë banale apolitike për t'i frikësuar serbët e mbetur në Kosovë, si dhe popujt e tjerë në Ballkan. Ekzistojnë shumë arsye, pse Beogradi zyrtar është kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës, por ne përmendim vetëm NJË : 1) Serbia kurrë më nuk do të ketë rast, që të hyjë në Kosovë si shtet agresor pushtues për të therë, masakruar, dhunuar, plaçkitur, terrorizuar, vrarë, dëbuar me forcë shqiptarë dhe për t'ua djegur shtëpitë dhe pasuritë e tyre, ashtu sikurse veproi duke kryer gjenocidin e fundmë (1989-1999), me ç'rast vrau mbi 13 mijë shqiptarë dhe 1 milion i përzuri jashtë Kosovës. Kjo është arsyeja kryesore, pse çetnikofashistët "liberalë evropianë" (Vuçiq, Bërnabiq, Daçiq, Vulin, Gjuriq) e gënjejnë Ballkanin, Evropën dhe gjithë botën e kanë alarmuar se gjoja Ushtria e Kosovës prej 8 mijë ushtarësh (të rregullt dhe në rezervë) paraqet "rrezik të madh" për sigurinë, qëndrueshmërinë dhe paqen në Ballkan.

Ushtria e Kosovës nuk e kërcënon Ballkanin, as serbët në Kosovë Në këtë kontekst, shtrohet kjo pyetje, e, si është e mundur që ushtria e Serbisë prej "30 mijë ushtarëve" nuk po paraqitka rrezik serioz dhe kërcënues për Kosovën dhe për shqiptarët në Ballkan, kur dihet historikisht se të gjitha ushtritë e Serbisë (1912-1999) kanë qenë jo vetëm kërcënim, por flaka dhe zjarri i Shqipërisë Etnike, i Ballkanit, i Evropës dhe i botës. Këtë e ka vërtetuar edhe shpërthimi i Luftës së Parë Botërore (1914), "shkaktar i së cilës ishte Serbia për shkak të vrasjes së Arkidukës së Austrisë, Franc Ferdinand dhe gruas së tij në Sarajevë, më 28 qershor 1914 nga terroristi serb Gavrilo Princip, anëtar i organizatës terroriste serbe "Dora e Zezë", i urdhëruar, i mbështetur dhe i sponsorizuar nga Serbia." Ushtria e Kosovës nuk e kërcënon Ballkanin, as serbët në Kosovë, por e mbron Kosovën nga Serbia gjenocidale dhe nga çdo pushtues i huaj ! -Kjo është ajo, që më së shumti i dhemb dhe i djeg Serbisë kolonialiste, sepse përgjithmonë ka humbur koloninë e saj, Kosovën e Shqipërisë Etnike.

Ky është shkaku, pse Beogradi zyrtar nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e kuptohet, së këndejmi nuk e njeh as policinë, as ushtrinë e as qeverinë e Republikës së Kosovës (17 shkurt 2008), sepse ende po shpreson që përmes Dialogut paqësor në Bruksel (2010- 2018), do ta ketë ndihmën e BE-së, me qëllim që të rikthejë Kosovën nën sovranitetin e saj të dikurshëm kolonial. Mirëpo, kjo shpresë e Serbisë pushtuese nuk do të jetësohet më kurrë, sepse pas formimit të Ushtrisë së Kosovës, më 14 dhjetor 2018, kufijtë e Kosovës, do t'i mbrojnë edhe Ushtria e rregullt e saj së bashku me Amerikën dhe me NATO-n. Së bashku jemi më të fortë Mirëpo, edhe në këtë rast gëzimi historik, liderët politikë të Kosovës bënë një gabim të madh politik , sepse pa pëlqimin e popullit, Ushtrisë së Kosovës, ia hoqën mbiemrin "ÇLIRIMTARE". Kjo është një padrejtësi e madhe ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), sepse ky ishte ideali, objektivi, synimi dhe betimi i përmbajtjes së doktrinës filozofike, kombëtare, politike dhe luftarake i UÇK-së për ta çliruar, shpëtuar dhe pavarësuar Kosovën shqiptare nga Serbia kolonialiste gjenocidale. Si duket, edhe këtë rast, nuk është fjala për padrejtësi dhe për gabim, por përsëritjen e gabimit dhe të padrejtësisë së dikurshme, kur në kohën e UNMIKut, me urdhrin joligjor dhe jodemokratik të kryeshefit të UNMIKU-ut, Bernar Kushner dhe me bekimin e liderëve politikë shqiptarë, UÇK-ja u transformua në TMK dhe më pastaj në FSK, e në fund, më 14 dhjetor 2018, ia hoqën edhe mbiemrin "ÇLIRIMTARE", në vend se të quhej USHTRIA ÇLIRIMTARE E KOSOVËS (UÇK), ashtu si e kishte gjatë luftës kundër armikut serb, ligjet e Kuvendit të Kosovës e pagëzuan USHTRIA E KOSOVËS.

Me gjithë këtë hile e padrejtësi ndaj historisë së luftës çlirimtare të UÇK-së, sot, të gjithë, duhet të jemi krenarë për formimin e USHTRISË SË KOSOVËS! URIME KOSOVË! URIME AMERIKË! Së bashku jemi më të fortë. Zoti e bekoftë Ushtrinë e Kosovës, Zoti e bekoftë Ushtrinë, Popullin dhe Shtetin e Amerikës dhe NATO-n. Ky bashkim dhe kjo miqësi qofshin të përjetshme.

(Kosova Sot)