Qeveria e Kosovës nuk na erdhi me asnjë plan për zgjidhje të problemeve - Opinione - Kosova Sot
Qeveria e Kosovës nuk na erdhi me asnjë plan për zgjidhje të problemeve

Qeveria e Kosovës nuk na erdhi me asnjë plan për zgjidhje të problemeve

Shkruan: Jashar Etemaj

Kur tentoni t'i pastroni nga skena politike oponentët tuaj, këtë nuk e bëni për arsye utilitariste, siç propagandoni, këtë e bëni që të sundoni më lehtë - e kjo është vrasje e demokracisë! Të jesh politikan utilitarist siç thotë Mill: "Veprimi është korrekt në atë masë kur kontribuon për lumturinë e qytetarit". E ju kontribuuat në të kundërtën: na përçatë, na gënjyet dhe duke u korruptuar na varfëruat në çdo aspekt e sidomos në atë arsimorë dhe ekonomik. Është shprehje që shumë popuj e kanë: "Vazhdimi i Vitit të Ri", në anglisht "New Year`s Resolutions" që në shqip i bie si: "Zgjidhje, apo përfundim për Vit të Ri".

Zgjidhjet për Vit të Ri janë dëshira, plane për të filluar diçka të re gjatë Vitit të Ri! Si p.sh. t'i largojmë veset si duhanin, alkoolin, të hamë më pak, të heqësh peshë e të merremi me sport. Si fanatik i sportit që jam e kam vënë re se këtu në Oslo, sallat sportive janë të stërmbushura me entuziastë të ashtuquajtur "Përfundues të Vitit të Ri". Duke e ditur këtë shprehi shumë palestra sportive ju mundësojnë qytetarëve që të ushtrojnë një javë falas gjatë janarit, me shpresë që një numër i tyre do bëhen anëtarë të përhershëm! Plane për Vazhdim të Vitit të Ri kanë edhe shtetet! P.sh. shtetet e korruptuara premtojnë se gjatë këtij viti do e ulim apo zhdukim korrupsionin! Ato shtete që kanë probleme me hajni dhe kriminalitet apo papunësi premtojnë të njëjtën! Gjithnjë me shpresë sipas planit se që do gjejmë " Zgjidhje për Vit të Ri. Mungon kultura e dialogut Qeveria e Kosovës nuk na erdhi me asnjë plan për "Zgjidhje të Vitit të Ri"! Problemet, si korrupsioni, arsimi, papunësia, mungesa e dialogut të brendshëm dhe liberalizimi i vizave nuk janë probleme që politikanët kanë mundur t'i fshehin ndër tepih, këto probleme ekzistojnë prej se krijuam shtet. Edhe gjatë vitit që shkoi fjalët më të përfolura në politikën shqiptare ishin: Liberalizimi i vizave, demokraci dhe dialog. Për të parën, vartësi i Hashim Thaçit, ish-ministri Besim Qallaku, do të mbahet mend për gafën e bërë para tri vitesh, duke festuar me shampanjë ku iu kishte uruar me ngazëllim qytetarëve kosovarë "heqjen" e vizave - e cila ende nuk ndodhi. Kriteret nga BE për liberalizimin e vizave janë aq të shumta sa që qytetarët e Kosovës po e ndjejnë vetën të diskriminuar. Një ndër kriteret për liberalizimin e vizave që nuk iu ishte kërkuar asnjë shteti ishte edhe çështja e demarkacionit, ky kriter iu kërkua Kosovës si masë për liberalizimin e vizave, nga Brukseli. Në fillim demarkacioni me Malin e Zi u kundërshtua nga ekspertët kosovarë dhe shumica e deputetëve. Partitë politike të përçara që ende u mungon kultura e dialogut, qoftë edhe ndaj kauzave nacionale duke u mos qenë unike ishte lehtë të manipuloheshin. BE-ja në formë trusnie e joshjeje na imponoi që më 21 mars të vitit të kaluar ta miratojmë demarkacionin me Malin e Zi në parlament. Ka fundi i dhjetorit të 2018-tës disa deputetë, në media, e pranuan se si këmbim për liberalizimin e vizave kishin votuar demarkacion me Malin e Zi. Këtë na e thanë në media disa deputet të penduar, të cilët ndiheshin të mashtruar nga shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë Nataliya Apostolova, e cila iu kishte premtuar liberalizim të vizave deputetëve po e votuan demarkacionin. Shumë qytetarë, si atëherë por edhe tash do mendojnë se u dha tokë falas - kot! Viti që shkojë do të na kujtojë kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, rrugëtimin nga kryetar i AAK-së deri të emërimi kryeministër. PDK-ja u radhit si parti e tretë në zgjedhjet e fundit. Një koalicion eventual me LDK-në do ishte i pamundshëm, pasi që PDK-ja e kishte prishur koalicionin qeverisës me LDK-në, pesë muaj më parë. Për ta shpëtuar partinë drejt greminës, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, duke i njohur apetitet e Ramush Haradinajt, i kishte ofruar një ofertë të cilën nuk mund ta refuzonte, atë të kryeministrit! Ramush Haradinaj i përndezur për postin e kryeministrit e pranoi ofertën, kështu që më 9 shtator të 2017 bëhet kryeministër i Kosovës për herë të dytë.

Ramush Haradinaj do na kujtohet gjatë si kundërshtarë i flaktë i demarkacionit me Malin e Zi! Në shtator të vitit 2015, ai nervozuar Murat Mehës i thotë peder, i revoltuar ia hodh hartat e demarkacionit në tavolinë ekspertit më të urryer në Kosovë, i cili po i falte 8200 hektarë Malit të Zi. Më pak se një muaj para se ta miratonte të njëjtin demarkacion, Ramush Haradinaj në një intervistë me Dardan Gashin i quan të pafytyrë Hashim Thaçin dhe Murat Mehën, të cilët po tentonin t'i falin Malit të Zi Qakorin dhe Zhlebin! Për çudi një muaj më vonë Ramush Haradinaj përafrohet me "kauzën" e atyre që i shante dhe u thoshte peder! Më 21 mars Ramush Haradinaj e voton demarkacionin e Murat Mehës! Të gjithë këtë metamorfozë Ramush Haradinajt e bëri pa u kërkuar falje as atyre qytetarëve që e kishin përkrahur sa ishte kundër demarkacionit! Thaçi në odat e Drenicës e përdori edhe Kanunin për të dëshmuar "pafajësinë" Viti 2018 na la me probleme të grumbulluara të korrupsionit, familjarizimit, urrejtjeve mes partive politike dhe pa kulturë të dialogut. Presidenti, i cili së paku duhej të tregohej unifikues, bile nga fundi i dhjetorit të vitit të kaluar, gjatë një gjykimi akuzoi udhëheqës të një partie politike se kinse paskan bërë plane për ta vrarë, që në gjuhën politike dhe juridike i thonë tentim për atentat. Atentati verbal ndaj oponentit të tij, presidenti Thaçi e bëri nga kompleksi i vetë nënçmimit. Sepse, në radhë të parë presidenti Thaçi asnjëherë nuk ishte udhëheqës i natyrshëm i partisë së tij, çfarë ishin Ibrahim Rugova e Albin Kurti. Ai ishte produkt i Xhavit Halitit dhe Azem Sylës.

Si I. Rugova dhe Albin Kurti, njëri me orgjinë nga Rugova e tjetri nga Vlladimiri, si i pari po edhe i dyti jo vetëm që ish/është udhëheqës të natyrshëm të partive, por ata me gjuhën dhe kulturën e tyre janë të kapshëm edhe për masat qytetare, pavarësisht krahinës ku jetojnë. Për dallim, presidenti Thaçi, i cili Burojën e merr me vete edhe në Prishtinë e Bruksel. Për dallim të I. Rugovës, i cili asnjëherë nuk përgojonte oponentët e tij, Hashim Thaçi është përçarës, ofendues dhe përgojues cinik ndaj oponentëve të tij. I. Rugova nga tradita rugovase mori vetëm shallin, përderisa H. Th përveç të folmes mori edhe kanunin ndër sqetull në Prishtinë! Si kryeministër, Thaçi në odat e Drenicës e përdori edhe Kanunin për të dëshmuar "pafajësinë". Këtë akt të normës arkaike nuk e kishte bëre asnjë burrështetas shqiptarë gjer më tani - madje as mbreti Zog. E i njëjti plot gojën e ka dialog, madje dialogë më Serbinë! Në vend që ti krijoj kushte dialogut brenda kombëtar - Presidenti tenton të inauguroj monolog! VV-ja për momentin është në koalicion opozitarë me LDK-në - dje e njëjta parti ishte në "armiqësi" më të njëjtën parti. Kryetari i LDK-së u atakua edhe në shtëpinë e vet, nga aktivistët e VV-së. I njëjti elektorat do e dënonte edhe një koalicion me PDK-në! Atëherë, unë nuk shoh koalicion konstruktiv as tani! Me një kryetarë të LDKsë, i cili është i dëmshëm në radhë të parë për partin e vet! Një ndër sloganet më të preferuar të LDK-së, gjatë fushatave zgjedhore ishte: Asnjëherë koalicion me PDK-në! E njëjta parti më vonë, jo vetëm që bëri koalicion qeveritarë, por kryetari i saj, Isa Mustafa, bëri çmos që Hashim Thaçit t'i sigurohen votat për president! E këtë e bënë siç thonë ata në emër të institucioneve - e tash në emër të institucioneve - e shajnë të njëjtin president! Edhe H. Thaçi, si individ, është pjesë e bashkësisë, i cili nuk mundë t'ia arrijë qëllimit të vetërealizimit vetvetiu! Të gjitha këto koalicione "shaj, e më vonë bashkëpuno" të përkujtojnë ata pijanecët irlandez të cilët gjatë pijes rrahën e kur këndellën prapë pajtohen - për t'u rrahur! Atëherë, çka kërkojnë udhëheqësit e partive politike nga elektorati/simpatizuesit, t`u përcjellim teket e tyre apo të jemi racionalë! Ju e mbroni të korruptuarin sa herë që ju leverdis Demokracia është racionale - e ndërtuar sipas principit të Abraham Lincolniti, cili thoshte "njeriu mund t'i mashtrojë të gjithë për një kohë, e disa krejt kohën, por njeriu asnjëherë nuk mund t'i mashtrojë të gjithë krejt kohën".

Të dashur politikanë! Mos mendoni se duke sharë e akuzuar oponentët tuaj si tradhtarë, hajna e mashtrues po e luani atë politikanin utilitarist! Përkundrazi, ne e dimë se pak dallime keni mes njëritjetrit! Ja pse! Ju bëni koalicione sa herë keni interes personal, madje nuk ju bëhet fare problem pse e tradhtoni elektoratin. Po ashtu ju prishni koalicione, edhe nëse bie e tërë Qeveria, nëse ju kanoset interesi personal! Ju e mbroni të korruptuarin sa herë që ju leverdis! Duke e mbrojtur të korruptuarin ju vetë korruptoheni. Të korruptuarit dhe hajnat e mëdhenj ju i mbroni, sepse përveç përfitimeve ju i frikoheni vetes. Asnjë deputet, gjykatës apo prokuror, shef policia apo vëlla i ndonjë pushtetari, nuk është dënuar për hajni zhvatjeje e korrupsion deri me tani - madje as shoferët e tyre personalë! Më mirë është që elektorati t'ju përkrahë dhe votojë të bashkuar në suaza për aq sa dallojnë partitë! Se sa të përçarë e të ndarë deri në masë që shumë lehtë mund të manipuloheni dhe shiteni tek të huajt. Si përkrahës i dialogut mendoj që partitë politike kanë nevojë për dialog të mirëfilltë, ku palët e përfshira në bisedë t'i dëgjojnë idetë e jo t'i mbrojnë principet egoiste! Kjo është karakteristika e dialogut: të ngadhënjej ideja e mirëfilltë e jo interesi partiak. Nëse nuk jemi në gjendje të bëjmë dialog mes njëri-tjetrit kur në pyetje janë çështjet kombëtare, kur do bëni ju dialog! Presidenti Hashim Thaçi nuk e posedon Kosovën, për momentin ai është president i Kosovës si rezultat i dijes apo mosdijes politike kolektive. Qeveria aktuale është më e dobëta që prej krijimi të shtetit të Kosovës, opozita me gjithë kërcënimet për ta rrëzuar qeverinë u tregua e pasuksesshme! Nëse opozita nuk pranon të bëjë dialog a bashkëpunojnë me Presidentin, atëherë një president i vetëm lehtë shndërrohet në diktator. Anëtarët e ekipit negociues me Serbinë janë njerëzit (burrat) më të pavotuar nga qytetarët e Kosovës, aty kemi edhe sekserë, të cilët nuk kanë asnjë votë besimi nga qytetarët.

Dy partitë opozitare, LDK dhe VV, duke qenë partitë më të votuara, nuk janë në gjendje as ta rrezojnë Qeverinë, por nuk bënë asnjë tentim për dialog të brendshëm në lidhje me bisedimet me Serbinë. Madje nuk i dhanë shans as dialogut - për mos t'u pajtuar! Do të ishte mirë nga LDK-ja, e sidomos VV-ja që të krijojnë një ekip uniteti për bisedime me Serbinë. Ndryshojeni edhe Presidentin - Ju lutëm! Përndryshe, përvoja na ka mësuar që udhëheqësit e zëshëm të disa partive dikur kundërshtonin një projekt, ide a kauzë me pasion e më vonë të njëjtit ndryshonin njëqind e tetëdhjetë shkallë duke u bërë aktorë të vendimeve që dikur i kundërshtonin! Kështu ndodhi me demarkacionin me Malin e Zi. Bisedat me Serbinë mund t'i quajmë me çfarëdo emri! Por, jo dialog. Qeveria serbe s`ka rregulluar terren për dialog! Duke e ditë që dialogu duhet të jetë reflektim që të ngadhënjejë ideja e mirë. Qeveria serbe që nga bisedat e para teknike e ka minuar tërë kohën dialogun, duke vepruar te shtetet që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës t'i tërhiqnin njohjet. E njëjta Qeveri bëri çmos që Kosova të mos pranohet në Interpol!

Po, e njëjta Qeveri përveç që nuk na njeh shtetësinë, nuk ka kërkuar falje as për krimet e bëra gjatë luftës së fundit ndaj popullatës shqiptare ne Kosovë. T'i thuash dialog kësaj pune në këto rrethana në të cilat gjendet Serbia për momentin është njësoj sikur ta bindësh djallin se ferri është më i keq se parajsa! Meqenëse po na imponohet që edhe djallit t'i themi dajë, atëherë, dialogu me konsensus për çështje nacionale është i domosdoshëm në këtë moment. Për ta bërë këtë na nevojitët moral i fortë dhe vetëdije qytetare. Të formohet një ekip negociator për bisedime më Serbin, ku janë të përfshirë të gjitha partitë politike të Kosovës me ide dhe parime të përbashkëta ndaj çështjeve nacionale. Nëse do t'ia arrijmë qëllimit të formojmë një ekip të tillë, këtë do ta konsideroja më fitore se formimin e ushtrisë - sepse nëse jemi të përçarë edhe ushtrinë mund ta humbim.

(Kosova Sot)

23 orë e 59 minuta më parë
17/01/19