Pse Amerika ka nevojë për Kinën?

Pse Amerika ka nevojë për Kinën?
  • 11 January 2019 - 08:14

Shkruan: Shang-Jin Wei 

Shumë më pak kompani kineze shesin direkt në SHBA

Kina do të përfitojë nga normalizimi i marrëdhënieve të saj tregtare me SHBA-në, por ka rëndësi që të kuptohet se e njëjta gjë vlen edhe për SHBA-në. Kur gjiganti teknologjik amerikan, "Apple", së fundmi zvogëloi parashikimet e shitjeve të veta, shefi ekzekutiv Tim Cook përmendi rënien e shitjes në Kinë - ku lufta tregtare e presidentit amerikan Donald Trump është duke përkeqësuar efektet e një ekonomie të ngadalësuar - si një faktor kryesor kontribuues. Zvogëlimi i performancës së kompanisë "Apple" tregon se sa me rëndësi është bërë tregu kinez për shumë kompani amerikane dhe vë në pah rrezikun që proteksionizmi i Trumpit paraqet për ekonominë amerikane. E vërteta është se "Apple" shet më shumë pajisje "iPhone" dhe "iPad" në Kinë, sesa që e tregojnë këtë statistikat amerikane të eksportit. Ngjashëm me këtë, "General Motors" shet më shumë vetura në Kinë, sesa që shihet nga të dhënat amerikane të eksportit - më shumë sesa në SHBA dhe Kanada gjithsej. Kjo është kështu për shkak se, këto kompani, sikur edhe shumë të tjera, operojnë në Kinë dhe shesin direkt te konsumatorët kinezë. Shumë më pak kompani kineze shesin direkt në SHBA. Meqë kompanitë amerikane kanë rritur operimet në Kinë, brenda kohës, statistikat bilaterale tregtare vetëm pjesërisht reflektojnë rëndësinë e tregut kinez për ekonominë amerikane.

Rreth gjysma e importeve në Kinë janë subjekt të zero tarifave Nga viti 2000 deri në vitin 2018, eksportet amerikane në Kinë u rritën për 530% - shumë më shumë sesa rritja kumulative prej 130% të eksporteve amerikane në tërë botën. Ky ishte rezultat direkt i liberalizimit të konsiderueshëm dhe të njëanshëm tregtar të cilin e ka ndjekur Kina pasi që i është bashkuar Organizatës Botërore të Tregtisë, në vitin 2001, duke përfshirë edhe zvogëlimin e normës tarifore të aplikueshme nga 30%, sa e kishte para anëtarësimit në OBT, në më pak se 6% tani. Për më tepër, rreth gjysma e importeve në Kinë janë subjekt të zero tarifave, nëse prodhimi është për tregun global. Rritja e shpejtë e GDP-së së Kinës stimuloi importet, por ajo rritje po ashtu ishte ndihmuar nga liberalizimi i tregtisë dhe reformat e tjera pro-tregut.

Asnjë vend nuk ka larguar më shumë barriera ndaj tregtisë, si dhe nuk ka ndërmarrë më shumë reforma pro-tregut, sesa që ka bërë Kina gjatë katër dekadave të fundit. Reformat kineze, të orientuar kah tregu, liruan një valë të sipërmarrësisë dhe mundësuan hapjen e kompanive në sektorin privat dhe, në shumë raste, për ta arritur një rritje më të shpejtë sesa që kanë kompanitë shtetërore. Kjo bie ndesh ashpër me narrativën që shtyhet nga disa, se Kina ka injoruar me të madhe, apo ka shkelur përkushtimet që i kishte bërë kur kishte hyrë në OBT. Sikur kjo të ishte e vërtetë, atëherë Kina, thjesht, nuk do të mund të menaxhonte që të rritej më shpejt sesa 95% e botës, që nga viti 2001. Disa thonë se, edhe nëse bizneset amerikane kanë përfituar nga qasja e tyre në tregun kinez, tregtia midis Kinës dhe SHBA-së dëmton punëtorët amerikanë, vendet e punës të së cilëve janë të ekspozuar ndaj konkurrencës me rrogë të vogël nga punëtorët kinezë. Por, ekzistimi i mallrave të lira kineze, jo vetëm për konsumatorët amerikanë, por edhe për bizneset amerikane, duke mbështetur hapjen e vendeve të reja të punës. Rreth 40% të importeve amerikane nga Kina janë pjesë dhe komponentë të të dhënave intermediate. Kostoja e ruajtjes së këtyre importeve sjell te bizneset amerikane ndihmë për rritjen e konkurrencës, duke ua mundësuar atyre që të punësojnë më shumë njerëz.

Sipas kërkimit që kam bërë me kolegë, ky efekt i zinxhirit të furnizimit krijon më shumë vende të punës sesa që eliminon konkurrenca direkte nga Kina. Derisa humbja e vendeve të punës përqendrohet te sektorët prodhues, vendet e reja të punës si rezultat i tregtisë me Kinën janë të përhapura në tërë ekonominë, duke përfshirë edhe shumë sektorë të shërbimeve moderne. Falë këtij efekti të krijimit të vendeve të reja të punës, tregtia e SHBA-së me Kinën sjell përfitime për 75% të punëtorëve amerikanë, ende pa llogaritur efektet pozitive në fuqinë e tyre blerëse dhe para ndonjë transferimi të të ardhura nga fituesit, te humbësit.

Përkundër kësaj, shumë në SHBA vazhdojnë që të përqendrohen vetëm te roli potencial i tregtisë së hapur, në nxitjen e humbjes së vendeve të punës. Kur një kompani amerikane përjashton punëtorët nga puna, shpesh për këtë fajësohet tregtia me Kinën. Por, kur një kompani amerikane punëson më shumë punëtorë, rrallë ndodhë që të dëgjosh se kjo u bë e mundur nga mallrat më të lira kineze. SHBA-ja duhet t'i bëjë ca ndryshime Ka të tillë në SHBA që apelojnë për 'ndarjen' e ekonomive të SHBA-së dhe Kinës. Nëse do të ndodhë një gjë e tillë, atëherë kompanitë amerikane që përdorin mallra kineze do ta humbin aftësinë konkurruese krahasuar me kompanitë evropiane dhe japoneze, punëtorët e tyre mund të mbesin pa punë, si dhe standardi jetësor për ata me të ardhura të ulëta dhe të mesme, do të bëhej më e vështirë, meqë do të rriteshin çmimet për shumë mallra. Kjo nuk d.m.th. se Kina nuk duhet të bëjë ndryshime. Ajo duhet të punojë në uljen e mëtejme të barrierave tregtare, në zvogëlimin e subvencioneve ndaj kompanive shtetërore, në relaksimin e restrikcioneve ndaj kompanive të huaja që operojnë në Kinë dhe në forcimin e të drejtave të pronësisë intelektuale. Por, nëse tregtia bilaterale dëshirohet që të jetë më e drejtë dhe më efikase, atëherë edhe SHBA-ja duhet t'i bëjë ca ndryshime. Për shembull, ajo duhet ta ulë tarifat e larta ndaj tekstilit apo veshjeve, që paraqesin një kategori të madhe të eksporteve kineze.

Dhe, ajo duhet ta reformojë regjimin e vet dhe të ndryshojë rregullat jo të drejta të cilat, duke zvogëluar koston e prodhimit të vendeve të tjera, me kosto më të lartë, i ven eksportuesit kinezë në një disavantazh artificial. Si SHBA-ja, po ashtu edhe Kina përfitojnë nga normalizimi i marrëveshjeve të dyanshme tregtare. Derisa reformat politike janë gjithkund të vështira, për shkak të presioneve politike dhe interesave të ndryshme, një qasje reciproke dhe e balancuar mund të jetë çelës i një progresi të qëndrueshëm në të dyja vendet. Pyetja është se a do ta kenë liderët guximin dhe mençurinë e nevojshme për ta kthyer bashkëpunimin në binarë. 

(Kosova Sot)