Pse kërkohet korrigjimi i kufijve?

Pse kërkohet korrigjimi i kufijve?
  • 18 January 2019 - 08:15

Shkruan: Genc Xërxa

Tema e korrigjimit të kufijve sa është jo e qartë, aq është e paarsyeshme nga perspektiva jonë nëse koncepti i saj për bazë merret ai etnik, ku kufijtë të ndahen në baza të përcaktimit të territorit se ku një popull fillon apo mbaron gjeografikisht. Ky koncept në kushtet dhe rrethanat e sotme është i tejkaluar, kur shihen se si vlerat evropiane tentojnë të promovohen në divergjenca kulturore, etnike, fetare me qëllim të integrimit të tyre ndër një ombrellë të përbashkët me emrin Evropian.

Shtetet simotra të ishJugosllavisë, me përjashtim Bosnjën dhe Hercegovinën, kishin dallime në strukturën e tyre të përbërjes së popullsisë demografike dhe shkëputja ndaj shtetit jugosllav nuk nënkuptoi edhe ndarjen territoriale të vendit të tyre drejt pavarësisë. Sllovenia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, ishin koncepte shtetërore që ruajtën rendin e sovranitetin të trashëguar nga ishrepublikat jugosllave. Pse tani Kosovës, pas 25 vjetësh apo më shumë, i imponohet kjo ndarje, korrigjim apo shkëmbim territorial, e nuk i ruhen kufijtë e trashëguar nga ish-RSFJ. Por, siç thuhet, u propozohet po qe se "aktorët arrijnë marrëveshje", do të pranohet secila zgjidhje, në njëfarë forme është paradoks dhe absurd i llojit të vet në këto rrethana të tanishme. 

Bosnja dhe Hercegovina e para do të testohet nga ky parim

Doemos do të ketë efekt të dominos edhe te vendet tjera me probleme të natyrës së tillë politike. Bosnja dhe Hercegovina e para do të testohet nga ky parim nëse arrin me Kosovën të jetësohet, Maqedonia nuk qëndron aspak larg nga ky ndikim, po as Mali i Zi, e Serbia (Sanxhaku, Vojvodina) e kështu më radhë. Duke ditur që sponsoruesi kryesor i shtetësisë së Kosovës është SHBA së bashku me Evropën do të jenë njëkohësisht vendim-marrësit më të spikatur në arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në njohjen reciproke mes tyre.

Forma e njohjes dhe relaksimit të raporteve varet shumë nga këta faktorë se si i shohin gjërat në vijat e ardhshme gjeostrategjike dhe ekonomike. Pala tjetër antagoniste në këtë proces është superfuqia tjetër bipolare Rusia, e cila gjithnjë ka qenë prezente në Ballkan, qoftë perëndimor apo lindor. Politikat e tij kohëve të fundit ishin në tentim të minojë proceset demokratike duke injektuar (populizmin, ksenofobinë) nga migrimet e shumta që vinin nga lindja në vendet e Evropës, plus me financimin e partive që janë politikisht pro-ruse, si në Francë, Mal të Zi, Hungari, Rumani, Ukrainë e gjetiu, mos të flasim ndikimin në Serbi, e që e bën hisedar mjaft të fortë në përcaktimin e politikave në Ballkan dhe zgjidhjes së nyjës me emrin Kosovë. Pra, pa një dakordim SHBA-Rusi, konsolidim të raportit të forcave globale, "marrëveshja e imponuar" mes Kosovës dhe Serbisë pak sa do të jepte rezultate në zgjidhjen e çështjes së saj.

Po pse tema është korrigjimi? Nëse u referohemi trendëve ekonomikë gjeostrategjikë në rajon, dimë që naftësjellësi rus me çdo kusht tenton të hyjë në tregun evropian, shtetet perëndimore bëjnë çmos duke tentuar ta bllokojnë dhe të mos lejojnë që nëpërmjet ekonomisë t'i drejtojë edhe politikat ruse në Evropë, Ballkan apo anasjelltas (nga politika tek ekonomia).

Korridori kryesor i tentimit rus është Kumanova drejt Serbisë

Një korridor i vetëm i Rusisë është Turqia" joevropiane" që nëpërmjet saj, Greqisë, Maqedonisë nëpërmes Serbisë apo regjionit të Preshevës të hyjë në Evropë pasi vijën pansllave të Teodosit vetëm se Evropa ka marrë masa për ta neutralizuar. Dalja e saj në det nëpërmes Krimesë është një hap drejt shpërthimit ekonomik, a është një kompromis i llojit të vet, Krimea edhe Kosova mbetet të shihet? Më shumë rreth këtyre zhvillimeve ekonomike është artikulli dy vite më parë që u mundova ta elaboroj më detalisht këtë trend që sot më jep edhe një argument shtesë në të.

Korridori kryesor i tentimit rus është Kumanova drejt Serbisë, Kosova evropiane e pengon këtë korridor të dikurshëm ndër Serbi, por tani nëse korrigjohet kufiri dhe pjesa e Preshevës dhe Medvegjës i takon Kosovës, perimetri kufitar drejt Vranjës serbe ngushtohet sa që strategjikisht "mbyllet" nga Maqedonia drejt Serbisë, pasi atë pjesë do ta kontrollojë Kosova pro-amerikane. Me ndryshimet qeveritare në Maqedoni vetëm sa po e konfirmojnë rrugën evropiane me qeverisjen e Zaevit, plus Greqia me disa reforma tjera ekonomiko-politike dhe e mbikëqyrur nga Evropa pas kolapsit të përjetuar ekonomik, vetëm sa e bënë më të vështirë rrugën pro-ruse, tradicionalisht të lidhur me këto vende, mos të harrojmë as Bullgarinë tani pro-perëndimore dhe korridorin e mbyllur drejt Varnës.

Pra, me një korrigjim kufitar në baza etnike vetëm sa pozicionohen strategjikisht forcat properëndimore në Ballkan duke kontrolluar pothuajse të tërën dhe amortizuar ndikimin rus, duke u lënë si kompensim… pasi parimi është etnik një pjesë të veriut të Kosovës etnikisht me përbërje serbe, Serbisë. Kumanova është një ndër pikat apo do të jetë më strategjike në Ballkan pasi lidh tre shtete që ishin antagoniste njëra me tjetrën. 

Kampi emergjent në Serbi

Maqedonia, Kosova dhe Serbia që të gjitha ishin në interes për secilën superfuqi. Se kush do të ndikojë dhe ndër cilën rrugëtim të përkrahjes së superfuqive botërore do të rreshtohet. Nuk ishin rastësisht trazirat që ndodhen viteve të kaluara mu aty. Një vend jo i sigurt politikisht nuk është vend për të investuar në të projektet ruso-maqedonase miliarda dollarëshe. Qëllimi rus për t'u penguar, pasi qeveritë e kaluara dinin të koketonin edhe me Evropën, por edhe me Rusinë. Kosova dihet se çfarë kursi "përjetësisht" do të mbajë, ashtu që duhet të sigurohet ky korridor njëherë e përgjithmonë në emër të korrigjimit kufitar në baza etnike dhe largimin e dominimit rus në Ballkan, pasi edhe Mali i Zi qartë e tregoi kursin e vet politik, duke e penguar daljen në det të Rusisë. Serbia mbetet treni i fundit i saj me qëllim që edhe këtë ta shkëpusin nga tradicionalja.

Por çka do të fitojë Rusia si këmbim nga i gjithë ky ripozicionim i pikave strategjike? Rusia mund të kompensohet në pretendime territoriale tani veçse të ditura në Abkhazi, Osetinë Jugore dhe Gjeorgji, pa llogaritur Krimenë, ishin disa hapa të saj që u bëri me dije spektrit ndërkombëtarë qëllimet e veta të qarta në këtë drejtim. Ky ndryshim, korrigjim i kufijve Kosovë-Serbi do t'i jepte pretekst Rusisë me të njëjtën monedhë të veprojë duke i "korrigjuar" kufijtë në të mirën e vet. Kjo atëherë mund t'i dërgojë drejtë tek kompromisi mes vendit që sponzorizohet nga SHBA-të, pasi përfiton edhe Rusia.

Por si do të duket kjo në sy të Serbisë apo Ballkanit, a po i bie që ka tërheqje të ndikimit nga Rusia prej kësaj pjese? Jo, aspak! Ajo veçse ka instaluar një kamp emergjent në Serbi me mundësi që ky ndikim të zgjerohet edhe në Republikën Serbe apo edhe të bëhet në një të ardhme të afërt… "pse jo" pjesë e "Serbisë së Madhe" me konceptin tash të promovuar të korrigjimit kufitar, ndërsa Hercegovina t'i bashkohet Kroacisë, mbetet Bosnja e vetme apo së bashku me Sanxhakun, varësisht prej raportit të forcave dhe interesave të superfuqive globale. Evropa si do të ndikojë në krejt këtë? Evropa luan "ngre e mos këput", po tenton ta afrojë drejtë vetës, Rusinë me qëllim që mund ta kontrollojë ndoshta më mirë.

Rusia e sheh Evropën si rast të mirë tregtar apo ekonomik duke tentuar që të hyjë në OBT apo mekanizma tjerë që do ta stimulonin rritjen dhe ndikimin e saj ekonomiko-politik në Evropë. Këto përafrime politike disa po i shohin me skepticizëm e disa po inkurajojnë, kjo po krijon qëndrime policentrike evropiane mes bartësve kryesorë të këtij koncepti. Pra janë "korrigjime territoriale", akte që do i qetësonin "apetitet e të gjithëve në skenë", por njëkohësisht do të kishte mundësi të çrregullojnë rendin e sotëm ekzistues. Pasojat cilat do të ishin? Ky efekt i ri-organizimit territorial mund të sjellë ndikime të pariparueshme nëse merr përmasa të gjera, globale!

(Kosova Sot)