“Blofi me shkëmbimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, vështirë të besohet se Rusia po investohet…”

“Blofi me shkëmbimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, vështirë të besohet se Rusia po investohet…”
  • 20 January 2019 - 10:05

Shkruan: Preç Zogaj

Para se të niste pardje viz itën zyrtare të radhës në Beograd, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi nga Moska se politika e Shteteve të Bashkuara dhe e disa kombeve perëndimore që tregojnë rolin e tyre dominant, vazhdon të jetë faktor serioz i destabilizimit në Ballkan.

Përveçse një replikë me të njëjtën monedhë për akuzat në adresë të vendit të tij, deklarata e Putinit kërkon të përligjë përpjekjet e Rusisë për rritjen e pranisë, influencës dhe rolit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke nisur nga Serbia si aleat kyç i Moskës në rajon.

Me politika “destabilizuese” të SHBAve dhe kombeve perëndimore Rusia ka kuptuar politikat e integrimit të vendeve të rajonit në NATO dhe BE, çfarë është një aspiratë dhe një preferencë e shprehur e shumicës së qytetarëve në këto vende, përfshirë qytetarët serbë.

Rusia është përpjekur ta pengojë apo zhbëjë këtë aspiratë, duke dashur të ruajë influencën apo dominimin rus kudo ku mund të gjejë mbështetje.

Këto përpjekje kanë dështuar me kosto në Maqedoni dhe po ashtu edhe në Mal të Zi. Ngjarjet në këto vende kanë treguar qartë se përballja e përballjeve në Ballkan është stabilizimi euroatlantik, që mbështetet nga SHBA-të dhe kombet perëndimore në një anë dhe destabilizimi në funksion të synimeve të kundërta ruse në anën tjetër.

Retorika nuk e ndryshon dot këtë thelb të zhvillimeve në proces.

Për një koincidencë domethënëse, pikërisht këto ditë, kur para se të merrte avionin për në Beograd, Presidenti Putin akuzonte SHBA-të dhe kombet perëndimore për destabilizim të rajonit, Parlamenti grek votëbesoi qeverinë e Kryeministrit Tsipras për t’i hapur rrugë ratifikimit të marrëveshjes mes Athinës dhe Shkupit për emrin e ri të Maqedonisë, votim që zhbllokon anëtarësimin e fqinjit tonë lindor në NATO. Po ashtu, Qeveria e Shkupit votoi njohjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, një kërkesë e hershme e shqiptarëve, realizmi i së cilës i kontribuon unitetit në diversitet të qytetarëve në Republikën multietnike.

Ndërkohë, Republika e Shqipërisë dhe shteti i ri i Kosovës janë angazhuar në sfidat respektive të integrimit në BE (Shqipëria), në NATO dhe BE (Kosova). Zgjedhjet e lira, fillimi i funksionimit të drejtësisë së re dhe, lidhur me këtë të fundit, lufta kundër krimit dhe pandëshkueshmërisë në sferat e larta janë paketa e detyrave kryesore të Shqipërisë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Brukseli na ka lënë takim në qershor të këtij viti. Gjasat që Shqipërisë t’i ndizet drita jeshile janë minimale, sa për shkak të zhvillimeve të brendshme të rënduara nga korrupsioni i shfrenuar, aq edhe nga të panjohurat e zgjedhjeve të reja për Parlamentin Europian, që përkojnë në kohë me datën që i është caktuar Shqipërisë. Do të ishte një mrekulli nëse negociatat hapen këtë qershor, por vendi duhet të përgatitet për një afat të ri nëse europianizmi fiton zgjedhjet- dhe ky do të ishte prapë një lajm i mirë. Viti 2019 do të jetë viti i Reformës në Drejtësi, që ilustron partneritetin strategjik të SHBA-ve me Shqipërinë, sikurse edhe interesin e lartë të Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së për produktin e suksesshëm të kësaj reforme.

Kosova ndërkaq, është në rrugën e konsolidimit të shtetit dhe demokracisë. Tema e Kosovës ka zënë një vend të rëndësishëm në bisedimet e zhvilluara në Beograd midis Presidentit të Rusisë, Putin, dhe homologut të tij serb, Vuçiç. Të dy presidentët kanë theksuar e promovuar rolin e Rusisë në arritjen e një marrëveshjeje të paqes mes Serbisë dhe Kosovës, duke dashur të kundërbalancojnë me këtë rast rolin e SHBA-ve si vend protektor i Kosovës, i hapur edhe me Serbinë. Vullneti i drejtuesve dhe deputetëve të zgjedhur (i vulosur edhe me votën referendare të qytetarëve në rastin e Kosovës), është përcaktues për një marrëveshje të paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Por për arsye të njohura, duke qenë se çështja e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës ka qenë dhe mbetet një çështje ndërkombëtare, një marrëveshje e këtyre dy vendeve nuk mund të realizohet me sukses si marrëveshje strikte dypalëshe. Pra, angazhimi i SHBA-ve, Rusisë dhe vendeve me peshë të BE-së është i arsyeshëm, i domosdoshëm. Në këtë kontekst, drejtuesit politikë në Kosovë po dëshmojnë urtësi, përgjegjësi, vullnet dhe largpamësi, që duke manifestuar me fjalë dhe me vepra orientimin e tyre të qartë amerikanist dhe euroatlantik, mirëpresin kontributin e aktorëve të tjerë siç është Rusia. Vizita e Putinit përkon në kohë me debatin për “korrigjimin e kufinjve”, siç e ka përcaktuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në komentet e bëra, ky përcaktim ka nënkuptuar një shkëmbim territoresh mes Serbisë dhe Kosovës. Opsioni është përfolur, ka krijuar palë dhe tensione mes tyre, por mbetet një opsion fantazmë, për të cilin, po të jetë i vërtetë, nuk mund të vendosin kurrë një palë apo një grusht njerëzish. Ndaj edhe partnerët amerikanë kanë kërkuar nga Hashim Thaçi zgjidhje gjithëpërfshirëse, pa e zënë në gojë zgjidhjen. E panjohura e madhe këtu është qëndrimi i Rusisë. Gjithë duke folur për opsionin e shkëmbimit të kufijve, shumë opinionistë i kanë atribuuar Rusisë një qëndrim sikur e mbështet këtë zgjidhje si një monedhë shkëmbimi ndaj SHBA-ve e tjerë, për mbylljen e çështjes së Krimesë. Mua më duket se këtu luhet një blof. Është e vështirë të mendohet se Rusia investohet për një zgjidhje që e defaktorizon në lidhje me politikat që ka ndjekur e ndjek në rajonin tonë. Në të kundërtën, asaj i duhet të rikonsiderojë gjithë politikën e saj tradicionale në Ballkan, duke pranuar realitetin e pakthyeshëm euroatlantik në rajon, çfarë do të ishte një zhvillim i mirëpritur, por që ngjan të jetë utopik. E gjitha mbetet për t’u parë e ndjekur me mençuri nga ana e elitave në Prishtinë dhe Tiranë. Me mendje të hapur, duke ruajtur orientimin perëndimor. Euroatlantizmi është trendi dhe fryma e epokës në rajon. Është zgjidhja për një Ballkan në paqe e të zhvilluar.

(Kosova Sot)