Luftimi i vijës politike institucionale nga rrjeti i strukturave të fshehta serbe në Kosovë

Luftimi i vijës politike institucionale nga rrjeti i strukturave të fshehta serbe në Kosovë
  • 21 January 2019 - 08:22

Shkruan: Xhevat Meha

U raportua në medie që Xhavit Haliti paska deklaruar se nuk ka dëshmi që FARK-u ka ekzistuar. Nuk jam krejt i sigurt, por ngjashëm në shtator 2018 ka deklaruar edhe Bujar Bukuroshi (Bukoshi). Kjo deklaratë e Xhavit Halitit është hap logjik në serinë e hapave që rrjeti i strukturave të fshehta serbe në Kosovë ka kryer nga themelimi i LDK-se e deri tani. Ky rrjet sigurisht ka shtrirje të fuqishme edhe brenda vetë LDK-së. Para luftës dhe gjatë luftës së fundit, ky rrjet brenda strukturave të LDK-së sabotonte mbështetjen e punës së Ibrahim Rugovës, por edhe mbështetjen e luftës në pjesën që LDK-së i përkiste. Ky rrjet kur nuk mundi të ndalte fuqizimin e strukturave ushtarake që i kontrollonte LDK-ja, marrëveshjen për bashkim të strukturave të atëhershme ushtarake të arritur në Oslo e sabotoi me moszbatim dhe me vrasjen e Komandantit dhe Ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqi. Ky rrjet, kreu në vazhdimësi vrasje të individëve nga LDK-ja edhe gjatë luftës dhe edhe pas luftës. Ky rrjet, pas përfundimit të luftës krijoi artificialisht frontin me dy blloqe: blloku i paqes vs blloku i luftës, konflikt i brendshëm që së bashku me vrasjen e individëve nga LDK-ja dobësoi shumë fuqinë politike të LDK-së.

Garantimi i pandryshueshmërisë

Ky rrjet kreu ndarjen e LDK-së në dy pjesë. Ky rrjet, pas humbjes së fuqisë politike të LDK-së, e filloi nën drejtimin e Fatmir Sejdiut për të vazhduar nën drejtimin e Isa Mustafës shndërrimin e LDK-së nga parti politike prijëse shtetndërtuese në parti politike inerte, material ndërtimi për partitë e tjera politike, gjendje e cila vazhdon deri tani së fundi si material ndërtimi i politikave të VV-së. Ky rrjet e filloi nën drejtimin e Fatmir Sejdiut për të konsoliduar nën drejtimin e Isa Mustafës krijimin e strukturave të LDK-së të cilat e garantojnë pandryshueshmërinë e kësaj gjendje të krijuar në LDK, dhe përmes kësaj pandryshueshmërie në Kosovë, të funksionimit të sistemeve të instaluara si moszbatueshmëria e ligjit, shkelja poshtë deri në shkatërrim i vlerave të dobishme për Kosovën, e shumë sisteme të tjera të përshkruara më gjerësisht në librin tim SYNI DHE MENDJA E QYTETARIT PËRBALLË SHËRBIMEVE TË MSHEFTA SERBE të botuar para tre vjetëve. Për ata që kanë harruar, Isa Mustafa së pari është bërë kryetar i LDK-së e pastaj anëtar i LDK-së. Hapi i parë i tij si kryetar ishte të sjelli me 2/3 brenda një kohe relativisht të shkurtë emra të rinj në strukturat e partisë. Të gjithë këta emra Isa nuk i ka njohur se janë të duhurit për të ndërtuar struktura të partisë që i sigurojnë komoditetin kryetarit, siç janë duke i siguruar tani, dhe që garantojnë pandryshueshmërinë siç janë duke ofruar. Listën e këtyre individëve duhet të ketë përgatitur rrjeti i strukturave të fshehta serbe brenda LDK-së dhe Isa vetëm e ka autorizuar. Këto struktura të LDK-së si vazhdimësi e garantimit të pandryshueshmërisë, tani së fundi janë duke përkrahur drejtimin politik të mosndërtimit të LDK-së si alternativë politike që i duhet Kosovës. Këto struktura të LDK-së nuk kanë kryer as edhe një veprim të vetëm për të ndërtuar LDK-në alternativë të djathtë politike të ekonomisë së tregut, alternativë të djathtë politike që Kosova nuk e ka dhe që i duhet Kosovës.

Disa nga synimet

Rrjeti i strukturave të fshehta serbe brenda LDK-së që nga themelimin dhe në vijimësi, në çdo lëvizje brenda partisë, kanë situr jashtë partisë ose në nivele më të ulëta partiake individët me vlera të dobishme për Kosovën, dhe kanë filtruar e infiltruar individë të përshtatshëm për ndërtimin e strukturave të partisë si këto që LDKja i ka tani. Derisa Ibrahim Rugova ishte gjallë, këto kryheshin pas shpinës së tij dhe jo në shumicë. Pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, sitja, filtrimi dhe infiltrimi janë kryer me të madhe, deri te kryerje masive siç i përshkrua në paragrafët sipër me ndërrimin e 2/3 të individëve brenda një kohe relativisht të shkurtër. Veprimet e rrjetit të strukturave të fshehta të Serbisë në Kosovë të paraqitura në paragrafët sipër si pasojë kanë ardhjen në fazën e fundit të arritjes së synimeve të tyre. Disa nga synimet e tyre po i paraqes në vijim:

a) Shkelja poshtë brenda LDK-së deri në shkatërrim e vlerave të dobishme për Kosovën

- Strukturat e fshehta serbe në Kosovë kanë arritur që të ndërtojnë struktura të LDK-së në të cilat individët bartës të vlerave të dobishme për Kosovën të janë në minorancë inferiore. Atë që nuk e kanë arritur këto struktura është se vlerat e dobishme për Kosovën janë shumicë tek anëtarësia e LDK-së.

b. Defaktorizimi i vijës politike institucionale të ndërtimit të shtetit të Kosovës

Këtë synim strukturat e fshehta serbe në Kosovë e kanë arritur. Ka shumë vite që LDK si forca kryesore politike bartëse e vijës politike institucionale nuk lë ndonjë shenjë në ndërtimin institucional të Kosovës. Përderisa LDK-ja nën drejtimin e Fatmirit me disa veprime ishte ndërtuese institucionale, kishte edhe qëndrime inerte. Inertësia u betonua nën drejtimin e Isa Mustafës.

c. Shuarja e vijës politike institucionale të ndërtimit të shtetit të Kosovës

Kjo është faza në cilën janë duke punuar tani strukturat e fshehta serbe në Kosovë. Përveç deklaratës së Xhavit Halitit dhe Bujar Bukuroshit (Bukoshit), siç u cek në paragrafin e parë, kambanat për këtë kanë rrahur, kuptohet për ata që i kanë dëgjuar, edhe në shtator të vitit 2018, kur u bë rivarrimi i eshtrave të Komandantit dhe Ministrit të Mbrojtjes Ahmet Krasniqi. Ahmet Krasniqi u rivarros me të gjitha elementet e ceremonisë si dëshmor i zakonshëm dhe jo si Ministër i Mbrojtjes dhe si Komandant i FARK-ut. Kam pas shkruar atëherë në rrjetet sociale për këtë, gjeni të bashkangjitur në fund të këtij shkrimi.

d. Defaktorizimi deri në shuarje i LDK-së

Ky synim i rrjetit të strukturave serbe në Kosovë është në fazën e fundit të arritjes. Përveçse me të madhe kanë shkelur poshtë deri në shkatërrim vlerat e dobishme për Kosovën brenda LDK-së, përveçse për shumë vite kanë konsoliduar LDK-në si parti politike inerte, përveçse kanë ndërtuar struktura të partisë që garantojnë pandryshueshmërinë e kësaj gjendje në LDK, tani janë duke marrë hapat vendimtarë për fundosjen e LDK-së si faktor politik në Kosovë. Strukturat e tanishme të LDK-së deri tani kanë arritur që për herë të parë LDK-në ta largojnë nga të qenurit partnere e aleatëve tanë për ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe të kthejnë LDK-në në kundërshtuese të aleatëve tanë për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Strukturat e tanishme të LDK-së deri tani kanë arritur që për herë të parë LDK-në ta largojnë nga të qenurit aktor kryesor dhe pjesëmarrëse në vendimmarrjen për ndërtimin e shtetit të Kosovës, dhe të kthejnë LDK-në parti politike të vetëpërjashtuar në vendimmarrjet për ndërtimin e shtetit të Kosovës. Sigurisht që vazhdimi i këtij drejtimi politik e dërgon LDK-në pashmangshëm në shuarje si forcë politike. Shtrohet pyetja, pse strukturat e fshehta serbe në Kosovë veprojnë kaq fuqishëm kundër LDK-së?

Përgjigjja është e thjeshtë, sepse ka qenë dhe vazhdon të mbetet bartësja më e madhe e vlerave të dobishme për Kosovën. LDK-ja dhe vetë Ibrahim Rugova kanë arritur qysh në themelimin e LDK-së që të tubojnë rreth tyre numrin më të madh të nacionaldemokratëve. Nacionaldemokratët kanë qenë dhe vazhdojnë të mbetën vlera më e madhe politike e dobishme për Kosovën. Pavarësisht disa rezultateve të arritura nga goditjet e rrjetit të strukturave të fshehta serbe, dhe jo vetëm këtyre, por edhe rrjetit të strukturave të fshehta të majta të Tiranës, vlerat nacionaldemokratike janë më të fuqishmet tek anëtarësia e LDK-së. Fuqia e mobilizimit të vlerave nacional-demokratike është dëshmuar deri tani në raste të caktuara. Ky mobilizim u fillua me diskutimet për ndryshimet kushtetuese në ish-Jugosllavi, u vazhdua me protestat për ndryshime demokratike në Kosovë, dhe ky mobilizim u konsolidua në krijimin e LDK-së dhe në punën e LDK-së. Besoj edhe në një mobilizim të sërishëm të këtyre vlerave në një të ardhme të afërt për të ndërtuar LDK-në forcë politike e djathtë e ekonomisë së tregut. Bac, nuk u kry, mashtrim ka qenë. Drzhava e Kosovës po bie, shteti i Kosovës po fillon të ndërtohet.

(Kosova Sot)